Vlorë; Keqtrajtonte gruan, arrestohet bashkëshorti 36-vjeçar
Një 36-vjeçar nga Vlora është arrestuar nga policia, pasi akuzohet si shkaktar i tentativës vetëvrasëse të gruas. Dyshohet se ai e kishte keqtrajtuar gruan sistematikisht, derisa gjendja në familje ka përfunduar në një akt vetëvrasës. Sipas burime policore, një 38-vjeçare me banim në zonën pranë ish-fabrikës së çimentos, është dërguar me urgjencë në spitalin e Vlorës. Mjekët konstatuan se ajo kishte një plagë të thellë thike në pjesën e barkut, çka ka dëmtuar edhe organet e saj. Ardhja e gruas ka stepur bluzat e bardha. Mësohet të ketë qenë një fqinj që e ka lënë pranë tyre e ka ikur menjëherë, pa dhënë më tepër shpjegime. Më pas, e pyetur nga mjekët, ka qenë vetë gruaja që ka dhënë shpjegime se ka marrë thikën për të shkaktuar vetëvrasjen. Nëna e tre fëmijëve ka shpjeguar se shkak ka qenë konflikti me bashkëshortin e saj. Siç bën me dije policia, 36-vjeçari e ka keqtrajtuar gruan sistematikisht e në mënyrë të vazhdueshme, duke e detyruar të tentojë të vrasë veten me thikë, duke shkaktuar plagë të rënda. Duke vlerësuar situatën dhe pyetjen e të njohurve të tjerë, policia ka vënë në pranga 36-vjeçarin, i cili akuzohet për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”. Sipas burimeve të policisë, gjatë deponimeve të tij, burri ka shfaqur shenja të një shëndeti jo të qëndrueshëm mendor.