E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, hipoteka: Gjysma e pallateve të reja, të paregjistruara



Ashtu si edhe në qytetet e tjera kryesore të vendit, edhe në Durrës, shpesh ndërtuesit dhe klientët e tyre po ndeshen me problemet e hipotekimit të pallateve që janë dhe po ndërtohen çdo ditë. Kështu, një numër mjaft i madh pallatesh, edhe pse kanë vite që janë ndërtuar, ende kanë mbetur të pahipotekuar në qytetin bregdetar dhe zonën e plazhit. Pronarët e apartamenteve kanë paguar mijëra euro për blerjen e tyre akoma nuk disponojnë certifikatat e zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit. Një pjesë e tyre ka dëshirë që t’i shesë hyrjet, por e ka të pamundur pasi blerësit kërkojnë dokumentet hipotekore. Pallatet ende të pahipotekuara kanë shkelur kushtet e projekteve, duke rritur sipërfaqet e ndërtimit, duke ngritur kate mbi projektet apo duke ngritur shtesa në krah të pallateve të vjetra pa marrë fare leje në zyrat përkatëse.

Objektet e banimit

Duket se edhe pse nuk ka një evidentim të saktë të numrit të pallateve të pahipotekuara, për ndërtuesit kjo shifër varion nga 25 për qind deri 30 për qind të numrit të përgjithshëm të ndërtimeve. Ka pallate që janë ndërtuar 10 vjet të shkuara dhe ende nuk kanë kryer procesin hipotekor. Në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme shprehen se “punonjësit e këtij institucioni kanë qenë të detyruar të kthejnë mbrapsht një numër të madh praktikash, pasi ato kanë pasur mungesa të mëdha dokumentacioni apo janë gjetur me shkelje të kondicioneve të ndërtimit duke i krahasuar me projektet”. Kurse, sipas tyre, një pjesë tjetër nuk ka paraqitur lejet e shfrytëzimit të ndërtesave. Vetëm shtesa pallatesh nga 4 deri në 6 kate numërohen mbi 117. Që të gjitha janë pa hipotekë, pasi janë ndërtuar pa leje. Pronarët e tyre, duke shfrytëzuar hapësirën që ka krijuar ligji për legalizimin, kanë aplikuar pranë degës përkatëse në Durrës. Gjithashtu, është edhe një numër i madh pallatesh në zonën e plazhit që ende nuk është hipotekuar për të njëjtat shkaqe.

Banori i një pallati tregon se edhe ai së bashku me komshinjtë nuk disponon certifikatë hipotekore. Për këtë arsye, ata kanë paguar nga 10 mijë deri 15 mijë euro më pak për çdo hyrje sesa vlera reale, me kusht që këtë pjesë ta shlyejnë kur të kenë në dorë certifikatën hipotekore.

Miliona lekë nuk shkojnë në arkën e shtetit

Për shkak të mungesës së hipotekës të mijëra apartamenteve në qytetin e dytë të vendit, në arkën e shtetit rezulton një fitim i munguar prej miliona dollarësh. Kjo, sepse nuk është paguar një pjesë e detyrimeve financiare nga ana e ndërtueseve. Specialistët e ndërtimit sqarojnë se kjo situatë e ka zgjidhjen e saj ligjore. Të gjitha pallatet që kanë shkelje të kondicioneve të ndërtimit e që konsistojnë kryesisht në rritjen e sipërfaqeve të ndërtimit jashtë projekteve, duhet të gjobiten dhe më pas të procedohen normalisht. Por kjo pjesë e ligjit nuk është zbatuar në asnjë rast si nga ana e Policisë së Ndërtimit, ashtu edhe nga zyra e hipotekës. Këto institucione kanë preferuar të presin derisa ndërtuesit e pallateve të kopsitin dokumentet për problemet e konstatuara e më pas kanë vepruar. Nga një verifikim i kryer disa kohë më parë nga ana e Policisë Ndërtimore kur ende nuk kishte kaluar në vartësi të bashkisë, vetëm në linjën Currila-Durrës, qenë konstatuar mbi 60 pallate me shkelje në lartësi (kishin nga 1 deri 3 kate më tepër sesa përmbanin projektet). Por kjo polici vetëm sa kreu konstatimin, pasi pak ditë më pas u suprimua. Edhe kjo kategori ka menduar t’i ligjërojë shkeljet me anë të procesit të legalizimit. Në Durrës, nga viti 1993 deri në vitin 2007 janë ndërtuar 412 pallate të reja, duke përfshirë plazhin, Shkëmbin e Kavajës etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›