E Shtunë, 31 Tetor 2026

EURALIUS sqaron qëndrimet për projektligjet e drejtësisë



Një takim i dy ditëve më parë, i aktorëve që operojnë në fushën e drejtësisë, deklarimet e bëra nga drejtuesi i EURALIUS-it, z. Miklau, për dy draftet e dërguara në Kuvend, atë të “Prokurorisë” dhe “Për Administratën Gjyqësore”, kanë sjellë interpretime të ndryshme në median shqiptare, lidhur me pozicionin e drejtorit të EURALIUS për këto dy projektligje. Deklarata e tij është përcjellë në formën apo mënyrën që kanë preferuar media të ndryshme, duke e pozicionuar z. Miklau si kundërshtues të këtyre dy projektligjeve. Ndërkohë që duke iu referuar asaj deklarate të z. Miklau, shihet qartë se ai nuk iu referua ndonjë çështjeje konkrete për sa i përket zhvillimit të reformës në drejtësi apo debatit politik aktual në Shqipëri. Drejtori i EURALIUS-it, z. Roland Mikalu, bëri një formulim të përgjithshëm në lidhje me praktikat në hartimin e drafteve ligjore. Në veçanti, ai inkurajoi vëzhgimin e procedurave të këshillimit të standardeve që lejonin grupet e interesit dhe ato profesionale për të shprehur e mendime dhe që të dëgjohen. Dhe si një mundësi tjetër për grupet e përfshira në përgatitjen e ligjeve, ai përmendi ngritjen e grupit të punës, i ngjashëm me atë që është duke diskutuar amendamentet e ligjit “Për Prokurorinë”, i cili ka dhënë rezultate të kënaqshme. Zoti Miklau shtoi se në një shtet demokratik hartimi i drafteve ligjore duhet fillimisht të dëgjohet dhe të reflektohet nga grupet e interesit të shoqërisë civile. Lidhur me këto keqinterpretime, drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë deklaron se ky dikaster ka marrë përsipër të gjitha sugjerimet për hartimin e projektligjeve që synojnë reformimin e sistemit të drejtësisë, për të cilin nuk kanë munguar edhe kritikat e ashpra nga institucionet ndërkombëtare. Ministria e Drejtësisë mbron të dyja projektligjet e hartuara prej saj, ai për “Administratën Gjyqësore” dhe “Prokurorinë”, se nuk cenojnë pavarësinë e institucioneve. Reagimi vjen vetëm një ditë, pasi Shoqata e Gjyqtarëve, noterëve dhe prokurorëve, kundërshtuan projektet e paraqitura nga ministria, duke miratuar edhe një rezolutë të përbashkët. Drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Brendshme, Marsida Xhaferrllari, deklaron se modelet e ofruara mbështeten mbi eksperiencën ndërkombëtare dhe se është marrë parasysh fakti për një rregullim sa më të mirë ligjor të funksionimit të operatorëve që japin drejtësi.

Modelet e adoptuara

“Duke rezultuar që dhënia e drejtësisë dëmtohet nga tre faktorë bazë, nga korrupsioni, nga paaftësia profesionale dhe fiktiviteti, ministria nuk ka shpikur asgjë të re, kemi marrë modelet nga të tjerë, ose janë adaptuar këto modele të projektligjeve që kanë shkuar për miratim në Kuvend, me qëllim për të luftuar këto tre fenomene që përmendëm më lart. Pyetja që unë bëj me këtë rast është, nëse gjyqtarët pretendojnë për pavarësi, atëherë ç’kuptim ka që projektligji që rregullon funksionet e tyre të hartohet nga vetë gjyqtarët, sepse gjyqtarët kanë detyrën kryesore të njohur nga Kushtetuta për të zbatuar ligjin dhe jo për të draftuar ligjin. Draftimi dhe miratimi i ligjit është kompetencë ekskluzive e Parlamentit dhe të jenë të sigurtë se Ministria e Drejtësisë në procesin e draftimit ka marrë të gjitha mendimet të gjitha shqetësimet në analizë të grupeve të interesit. Sigurisht që nuk mund të jetë ky produkt i vetëm i pushtetit gjyqësor apo i organit të prokurorisë. Projektligji për “Administratën Gjyqësore” është derivim i ligjit për “Organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Gjyqësor në Shqipëri”, ku siç dihet ka kaluar në Parlament me konsensus të plotë, në mars të këtij viti. Ishte pikërisht ky ligj që vendosi që shërbimet mbështetëse në administratën gjyqësore do të jenë në varësi në Ministrisë së Drejtësisë”, - tha ajo. Ndërkaq, në takimin e dy ditëve më parë, organizuar nga “Transparency International” merrnin pjesë edhe përfaqësues të misionit EURALIUS. Në komentin e tij, shefi i misionit, Roland Micklau, u shpreh për një proces gjithëpërfshirës në hartimin e ligjeve. “Kam dëgjuar Presidentin e Republikës të shprehet se ligji nuk është çështje e njëanshme. Unë mendoj se Presidenti ka shumë të drejtë, sepse ligjet dhe draftet ligjore në demokraci duhet të jenë çështje multilaterale dhe një proces multilateral”, - vuri në dukje shefi i misionit të EURALIUS-it, Micklau. Ndërsa drejtoresha e Kodifikimit, Xhaferrllari ka sqaruar duke vënë theksin në faktin se misioni i EURALIUS, në procesin e hartimit të drafteve nuk ka shfaqur asnjë rast shqetësime konkrete mbi nene të veçanta të projektligjeve të paraqitura.

Reagimi i EURALIUS-it

“Unë e kam dëgjuar shprehjen e përfaqësuesit të EURALIUS-it dhe ai nuk ka vënë theksin që në këtë ligj apo atë ligj ka munguar debati apo konsultimi mes palëve në këtë proces. Ai ka shprehur në parim, që sigurisht duhet të shoqërojë të gjithë procesin e hartimit dhe të miratimit të një ligji, konsultimi me grupet e interesit. Lidhur me projektligjin për prokurorinë, aty nuk kanë munguar debatet dhe konsultat për asnjë moment. Që në marsin e këtij viti, që është ngritur grupi i punës për projektligjin e Prokurorisë dhe deri aktualisht, pasi në datë 6 ka përfunduar produkti i grupit të punës për këtë projektligj, janë marrë konsultimet e nevojshme me palët e interesuara. Në ato takime që unë kam marrë pjesë, nuk kam dëgjuar deklarata të tipit që kjo nuk shkon, kjo është e gabuar”, - nënvizoi drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari. Por duke iu referuar disa shqetësimeve konkrete, duket se palët që kanë marrë pjesë në debat, kanë rënë dakord për kufizimin e imunitetit të prokurorëve. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe përfaqësuesit e EURALIUS kanë qenë për heqjen e imunitetit të prokurorëve”, - theksoi drejtoresha e Kodifikimit. Debat shkakton edhe çështja, nëse duhet të rikthehet në detyrë një prokuror i shkarkuar, për të cilin gjykata shprehet me një vendim të formës së prerë në favor të tij. “Është hedhur një propozim nga grupi i përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme që gjykata përveç shpërblimit të së drejtës së prokurorit, të vendosë edhe rikthimin e tij në detyrë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë kanë shprehur mendimin që ligji të mbetet siç është aktualisht, sepse edhe Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë theksuar se mosrikthimi në detyrë i prokurorit nga gjykata nuk prek standardet kushtetuese as standardet evropiane, pra të Komunitetit Evropian dhe të drejtave të njeriut, duke qenë se detyra e prokurorit është funksion publik dhe meriton çështje besimi, besim i cili, në momentin që Presidenti i Republikës vendos shkarkimin e tij, thuhet, kjo është një nga çështjet e diskutueshme që ende nuk është zgjidhur”, - shtoi më tej drejtoresha e Kodifikimit. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë nuk do të tërhiqet nga variantet e paraqitura prej saj për ligjin e ri për “Administratën Gjyqësore” dhe “Prokurorinë”. Drejtoresha e Kodifikimit shtoi më tej se “tashmë i takon Kuvendit që të vendosë se cila do të jetë forma përfundimtare e projekteve të paraqitura nga kjo ministri”. Takimi i të shtunës i aktorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e drejtësisë ofroi një kakofoni mesazhesh, duke sjellë dhe keqinterpretim të deklaratës së përfaqësuesve të misionit EURALIUS. Vetë këta të fundit në një raport mbi vlerësimin e proceseve të hartimit të këtyre dy projektligjeve, nuk kanë shprehur asnjë shqetësim konkret mbi nenet përbërëse të këtyre projektligjeve, mbi Prokurorinë dhe atë mbi Administratën Gjyqësore.

Detaj

“Si një mundësi tjetër për grupet e përfshira në përgatitjen e ligjeve, ai përmendi ngritjen e grupit të punës, i ngjashëm me atë që është duke diskutuar amendamentet e ligjit “Për Prokurorinë”, i cili ka dhënë rezultate të kënaqshme”, - deklaroi Miklau

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›