E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat e Dick Marty Berisha: Të hapur për hetimin e cdo pëllëmbe tokë

TIRANË - Pas miratimit në Këshillin e Europës të raportit të zviceranit Dick Marty, Kryeministri Berisha deklaroi se Shqipëria është plotësisht e hapur për hetimin e çdo pëllëmbe toke të territorit të saj, lidhur me akuzat e ngritura për trafikim organesh.

Ndërsa shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë, kreu i qeverisë garantoi komunitetin ndërkombëtar se vendi ynë do ti japë mbrojtje të plotë çdo dëshmitari që do kërkohet.

"Dick Marty ka bërë një deklaratë të rëndësishme se do të japë dëshmitarë nëse do të kenë mbrojtje. Dua të garantoj komunitetin ndërkombëtar se Shqipëria do tu japë mbrojtje të plotë çdo lloj dëshmitari që do kërkohet” u shpreh Kryeministri shqiptar.

Deklaratat e kryeministrit u bënë gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, ku kreu i qeverisë u ndal gjerësisht në vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku u votua raporti i Dick Marty.

"Theksoj edhe njëherë se akuzat e ngritura në raport, nuk janë të reja, janë akuza të fabrikuara nga makineria propagandistike e Millosheviçit fill pas sulmit të NATO-s mbi Sadamin e Ballkanit. Akuzat janë hetuar dhe nuk kanë qenë të vërteta", tha Berisha.

Sipas Berishës "duhet të jesh i verbuar nga urrejtja ndaj shqiptarëve që të pretendosh se një shqiptar jep shtëpinë e tij për kasapanë njerëzore".

Berisha theksoi se “delegacioni shqiptar në KiE votoi pro rezolutës, pasi në të kundërt do të dukej sikur i kundërviheshim hetimit".

(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›