E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimi për korrupsion, tre vjet burg prokurorit Mulkurti

26/01/2011  Gjykata njeh si provë përgjimin privat. Dënim me 6 muaj për avokatin Ndreca

TIRANE- Ish- prokurori i Kavajës, Musa Mulkurti, që u kap “mat” duke i marrë një qytetari para në këmbim të uljes së dënimit, është shpallur fajtor nga gjykata e Tiranës duke u dënuar me 3 vjet heqje lirie. Së bashku me të është dënuar edhe avokati Pjetër Ndreca, për të cilin gjykata ka dhënë vendimin me 6 muaj burg. Vendimi është ndjekur me interes edhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane, të cilët kanë qenë prezent në sallën e gjyqit. Togat e zeza pasi kanë dëgjuar pretendimet e prokurorit Genti Osmani dhe avokatëve mbrojtës të dy të pandehurve Mulkurti dhe Ndreca, kanë dhënë verdiktin përfundimtar duke dënuar me 3 vjet burg ish-prokurorin e Kavajës, si dhe me 6 muaj burg avokatin Pjetër Ndreca. Në këtë proces gjyqësor Prokuroria ka përdorur një kasetë filmike të regjistruar në rrugë private, e cila më pas është transmetuar në emisionin “Fiks-Fare”. Gjykata e Tiranës ka pranuar si provë këtë regjistrim dhe mbi bazën e saj ka dhënë dënimin e ish-prokurorit për akuzën e korrupsionit dhe për avokatin për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj prokurorit. Në dosjen hetimore të organit të akuzës rezulton se kaseta është sekuestruar nga emisioni “Fiks-Fare”, dhe pas transkriptimit të plotë të saj është pyetur në cilësinë e dëshmitarit shtetasi i dëmtuar Zagoll Muça, i cili ka denoncuar dhe aferën e prokurorit. Ndërkohë, në bazë të pamjeve filmike, duket qartë “pazari” që prokurori Mulkurti bën në emër të ligjit dhe shtetit, duke i kërkuar edhe 1 mijë euro të tjera përveç 2500 që kishte marrë nga babai i të pandehurit Selam Muça, për të kërkuar një masë më të butë dënimi nga gjykata. Sipas denoncimit të Zagoll Muçës, prokurori Musa Mulkurti i ka kërkuar fillimisht 5 mijë euro për të kërkuar një masë më të ulët dënimi, por, më pas e ka ulur shumën në 3500 euro, ku 2500 i kishte marrë dhe një ditë para leximit të konkluzioneve do të merrte edhe 1 mijë euro të tjera. Këto para, Zagoll Muça do ti siguronte nga shitja e makinës së djalit, për tia dhënë prokurorit që të kërkonte nga gjykata dënimin më pak se 8 vjet burg. I pandehuri Selam Muça ishte arrestuar nga policia e Kavajës dhe pas hetimeve përfundimtare çështja ka shkuar në gjykim. Sipas babait të të pandehurit, djali i tij është arrestuar së bashku me dy shokë të tjerë me rreth 1 kg e 800 gram drogë, që në trup të djalit të denoncuesit ishin gjetur vetëm 300 gram drogë. Sipas pamjeve të regjistruara nga Zagoll Muça, biseda është kryer dhe regjistruar dy ditë para leximit të konkluzioneve përfundimtare të prokurorit Musa Mulkurti, ku i kërkonte para për uljen e masës së dënimit që do kërkonte nga gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›