Akuzat e Dick Marty, familjarët e "Shtëpisë së verdhë", kundër EULEX
Familjarët e së ashtuquajturës "Shtëpia e verdhë", në Gurrë të Vogël të Matit, deklarojnë se do të kundërshtojnë kontrollin e shtëpisë së tyre nga prokurorët e Task Forcës së EULEX-it për të hetuar në lidhje me akuzat e ish-senatorit Dick Marty për trafik organesh.
Mersim Katuçi, djali i madh i "Shtëpisë së verdhë" aq shumë të përfolur, ka deklaruar për njw nga mediat kosovare se ai dhe familja e tij nuk janë dakord që EULEX-i të rikthehet në shtëpinë e tij për hetime e kontroll, pasi një gjë të tillë ata si familjarë e kishin kërkuar për 8 vjet me radhë. Djali i madh i Katuçëve ka kërcënuar se do të bllokojë hetuesit e EULEX-it, ashtu siç vepruan më 10 gusht të vitit 2009 me reporterët e KE-së.
Ndërkohë, më 30 të vitit 2011 raportuesi i Këshillit të Europës Dik Marty është paditur në Gjykatën e Tiranes për dëm moral nga të zotët e asaj që tashmë cilësohet si "Sshtëpia e verdhë". Familjarët kërkojnë nga raportuesi i Këshillit të Europës të paguajë një shumë prej 10 milion lekësh si dhe të përgënjështrojë raportin, i cili bën objekt hetimi shtëpinë e tyre për transplant organesh të ushtarëve serbë nga ana e ish- ushtarëve të UCK-së.
Dick Marty kreu një hetim dy vjecar në lidhje me krimin e organizuar në Kosovë, pasi Këshilli Europian mandatoi atë për të hetuar pretendimet për trafikun e organeve nga ana e UCK-së pas mbarimit të luftës me Serbinë, në vitin 1999. Raporti i hartuar nga raportuesi i të drejtave të njeriut Dick Marti konstatoi se godina e njohur si “Shtëpia e Verdhë”, është përdorur si burg ku mbaheshin të burgosurit, ndërsa operacionet e heqjes së organeve kryheshin në një shtëpi tjetër në Fushë Krujë, 20 km larg Tiranës.