E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat e Doshit, Shkëlzen Berisha: Deputeti pa diplomën e 8-vjeçares do përballet me drejtësinë

TIRANË- Djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha i përgjigjet publikisht deklaratës së deputetit të PS-së Tom Doshi bërë sot në Velipojë. Doshi shprehet se “E dini kush është Sali Berisha? Eshtë hajduti më i madh që ka Shqipëria. Ky hajdut ka futur fëmijët e vet sekserë. Te Shkëlzeni është bërë si me kenë zyra e punës, zyra e tenderave.”- deklaroi Doshi. 

Duke e cilësuar këtë deklaratë shpifje, djali i kryeministrit akuzon Doshin se i mungon diploma e shkollës 8-vjecare edhe pse ka atë të universitetetit, ndërsa shton se do të përballet me drejtësinë për këto shpifje. 

“Sot shqiptarët panë fytyrën pa maskë të Edi Ramës dhe nivelin ku ka degraduar skenari i rilindjes. Rama me plaformën e tij akuzo, shpif e moho, buzëqeshte sot në Shkodër teksa përdorte një kontigjent krimi si dajre për shpifjet e radhës. Ai ripërsëriti në Shkodër shpifje që kanë marrë jo një, por disa herë përgjigjen e drejtësisë. Të njejtin fat do të kenë edhe këto akuza të ambalazhuara nga Rama dhe të mbllacitura nga goja e ordinerit Tom Boshi, që Shkodra dhe e gjithë Shqipëria e njohin si deputeti që ka diplomë universiteti por i mungon ajo e shkollës tetë vjecare. Shpifjeve pa pikë e presje, nuk i vunë dot shenjë pikësimi, as buzëqeshjet e Ramës, i cili ndihet keq dhe humb kontrollin mes studentëve dhe diplomatëve, por e gjen veten ngrohtë dhe të përmbushur në shoqërine e doshëve. Shqiptarët kuptuan sot cila është rilindja e Edi Ramës. Një rilindje që për orator ka doshët, kokëdhimët dhe skenarist Edi Boshin”, shkruan Shkëlzen Berisha. 

Më tej ai i kërkon sqarim kreut të PS-së Rama për pallatin 5 katësh të gruas së tij.
“Duke ja lënë përballjen me shpifjet drejtësisë e ftoj Mr 20% - qindëshin që së bashku me premtimin për t'i falur gjobat bizneseve të Koçove dhe Doshëve, të mbajë premtimin për t'i shpjeguar opinionit se me cfarë parash është ndërtuar pallati 5 katësh i gruas së tij në sheshin mes pallateve, apartamentet e shumta në emër të saj, si dhe sarajet e tij qindra mijëra euro në malin e Dajtit. Ju jeni politikani i vetëm në 20 vite që garoni, duke pasur në shpinë, pallat dhe vilë që kanë kushtuar së paku 2 milionë euro e për të cilat jo vetëm nuk është paguar asnjë taksë por mbi të gjitha u mungon burimi”, thuhet në reagim.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›