E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Velipojë: Vota symbyllur për PD ka marrë fund

SHKODER – “Shkodra, ashtu si e gjithë Shqipëria ka nevojë të rilindë, duke i dhënë fund rrënimit të mëtejshëm”. Kështu deklaroi kryesocialisti Rama gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Oblikës në Shkodër. Ai i bëri thirrje sërish shkodranëve që t’i japin fund, asaj që e cilëson si lidhje qorre me Partinë Demokratike. Sipas Ramës, PD i ka tradhtuar shkodranët në këto 20 vite, duke mos mbajtur premtimet e dhëna.

“Tanimë vota symbyllur e Shkodrës ka marrë fund. Tanimë edhe Shkodra, ashtu si e gjithë Shqipëria kërkon rilindje, për të ndalur rrënimin e mëtejshëm të mbarë vendit. Nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të përmbytet, të jetë në mes të varfërisë, e papunësisë. Nuk ka asnjë arsye Shqipëria që të jetë një vend qesharak, kur shkon kapërcen pragun e spitalit apo pragun e shkollës. Shqipëria i ka të gjitha arsyet që të jetë një vend normal dhe të jetë model zhvillimi.”- deklaroi Rama.

Më pas kryesocialisti Rama bashkëbisedoi me banorët e Velipojës, ku akuzoi kryeministrin Berisha se e ka kthyer Shqipërinë në një vend qesharak në sytë e botës.

“Jemi bërë qesharakë në sytë e botës. Me këtë kryeministër qeshin të gjithë jashtë shtetit. Nuk e merr njeri seriozisht këtë personazh. Dhe fatkeqësisht është kryeministri i Shqipërisë. Miqtë e mi, ne duhet të ndërtojmë shtet, duhet të respektojmë veten, ligjet që bëjmë vetë. Ja ku e keni Kosovën, shikojeni, 5 vjet shtet ka”,- u shpreh Rama.

Në këtë takim, Rama është shoqëruar edhe nga kandidati për deputet në qarkun e Shkodrës, Tom Doshi, i cili lëshoi një serë akuzash në drejtim të kryeministrit Berisha.

“E dini kush është Sali Berisha? Eshtë hajduti më i madh që ka Shqipëria. Ky hajdut ka futur fëmijët e vet sekserë. Te Shkëlzeni është bërë si me kenë zyra e punës, zyra e tenderave”,- deklaroi Doshi.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›