E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kutia e Pandorës” dhe “Kutitë e Edit”

20-12-2010 / Nga Eden Babani (Bruksel)

Është e lashtë shprehja “Kutia e Pandorës”. Njihet që në Lashtësi, qyshkur njerëzimi bashkudhëtonte përkrah mitologjisë. Si shumë mite të tjera, edhe Miti grek i “Kutisë së Pandorës” mbijetoi deri në ditë tona, duke e shoqëruar historinë njerëzore hap pas hapi, njëherazi duke paralajmëruar shkakun e një katastrofe, të një fataliteti. Për ata që nuk e njohin, marr leje ta tregoj shkurtazi.
Që të hakmerrej ndaj njerëzve, pasi Prometeu u vodhi zjarrin qiellorëve që t’ua dhuronte tokësorëve, Zeusi urdhëroi Vullkanin të mbrunte një femër prej dheut dhe prej ujit. Perënditë i dhuruan asaj bukuri, mirësi, brishtësi, mençuri, por edhe artin e joshjes e të mashtrimit. Emrin ia ngjitën Pandorë, që greqisht do të thotë “e pajisur me dhunti”. Pastaj e dërguan në shtëpi të Prometeut. Vëllai i Prometeut, Epimeteu, e lëshoi veten në kurthin e joshjes dhe vendosi të martohej me të. Ditën e dasmës, Perënditë i falën Pandorës një kuti ku ishin ndrydhur të gjitha sëmundjet e të këqijat e kësaj bote. Enkas, duke e ditur se do ta hapte Kutinë, e porositën të mos e hapte. Pa kuptuar hilen, Pandora kureshtare bëri atë që s’duhej bërë, e hapi. Sëmundjet dhe të këqijat u shpërndanë anekënd: mbi fusha e mbi male, mbi dete e oqeane. Në fund të Kutisë, mbeti shpresa, i vetmi ngushëllim që u jep njerëzve kurajë të përballen me të këqijat që u ranë për pjesë...
Për analogji, le të kthehemi në ditët tona. Përveç fjalës “Kuti” dhe përcaktorëve “Edi” dhe “Pandorë”, a ka pika afrimi ose largimi mes “Kutive të Edit” dhe “Kutisë së Pandorës”?
Nuk jam Jacqueline Romilly, helenistja e famshme që ndërroi jetë para dy-tri ditësh, e t’u hyj konsideratave shkencore për mitologjinë. Ama padija ime relative, nuk më pengon të gjykoj për “Kutitë e Edit”, t’i vë ato ballazi “Kutisë së Pandorës”.  “Kutitë e Edit” nuk kanë të bëjnë me mitologjinë, ani se do të hyjnë në histori. Ato janë pjesë e realitetit dredha-dredha të kohës që po përjetojmë. Është kohë kapërcyelli kjo jona. Dhe, në kapërcyell, të guximshmit e hedhin atë (kapërcyellin). Të mefshtët mbeten matanë. Ndër të lëkundurit, dikush përdredh a thyen këmbën, por, ndonëse çalash, gjendet në këtë anë, dikush tjetër bie në ortakëri me mefshtësinë dhe bëhet rob i saj. Në këtë kuptim, përtej kontekstit të mitologjisë, “Kutitë e Edit”, marrin vlera utilitare. Kush s’ka sy dhe kapërdin ndonjë, në Shkodër a në Ruzhdie, në Berat a kudo qoftë gjetiu, i bëftë mirë, por Zoti e shpëtoftë pa i mbetur në fyt. Kush ka sy, le t’i hapë, t’i bëjë katër.
Edi e di se me kuti nuk bëhet politikë, por, nga  e keqja, i përdor kutitë si kinsepolitikë. Ndryshe nga Pandora, ai e di çka ka brenda tyre. E di edhe se, po të hapeshin, do të shpërthente katrahura mes të mefshtëve dhe të lëkundurve, mbetur mataranë kapërcyellit, çka do të ishte e hidhur për të dhe për të vetët. E përbashkëta, pra, është simbolika që shprehin të dy llojet e kutive, katastrofa që do të ndodhte po të hapeshin ato të Edit, siç ndodhi me “Kutinë e Pandorës”. Katastrofa do t’i kapërcente edhe kufijtë e asaj që tashmë njihet si Selia Rozë. Do të na binte për pjesë të gjithëve, mua dhe ty, të majtëve e të djathtëve. Të parëve, për çka thamë. Të dytëve për pasojat që parashikojnë ligjet kushtetuese. Mjerë ai shtetar i lartë që do të guxonte të vinte dorë mbi to. Do të akuzohej për shkelje të Kushtetutës, për lidhje me aksh e aksh armik të popullit, për interesa të aksh e aksh mafieje, për aksh e aksh faj penal. Sepse, siç dihet mirëfilli, në “Kutitë e Edit” nuk fshihet alibi dhe vetëm alibi, ama përreth përgjojnë kushedi sesa kurthe, intriga, pabesi. Po të mos ishte kështu, kreu i opozitës do t’u kishte besuar qoftë edhe disave ndër komisionarët që vetë i përzgjodhi, do të kishte lexuar drejt raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe të atyre vendas, do t’u ishte drejtuar organeve të drejtësisë, do t’i ishte drejtuar Komisionit të Venecias.
Gjithsesi, Edi nuk është edhe aq i lehtë, ta zëmë, sa një axhustator i ofiçinave të Fierzës, i cili do të shkonte për lesh në Prokurorinë e Shkodrës e do të dilte i qethur. Përkundrazi, Edi është dinak, nuk bie aq lehtë në grackë. Madje është më dinak, ta zëmë, sa një avokat i stisur, pa kurrfarë përvoje në avokati, i cili, në vend që të synonte avokatinë e votës, synon shpërthimin e kutive, domethënë katrahurën anekënd vendit. Nuk është edhe aq sylesh, ta zëmë, sa një pinjoll i një familjeje nacionaliste, i cili e shkoi rininë burgjeve të diktaturës dhe, për këtë ”meritë”, fryhet si gjeldeti, aq sa sezon më sezon zgjedhor i shkrepet të bëhet ministër i brendshëm. “Kutia e Pandorës”, ndonëse mit i kohës para homerike, simbolizon një fatalitet, të cilit njerëzimi as iu shmang, as do t’i shmanget sa të jetë jeta. “Kutitë e Edit”, parakuptojnë kujdes. Mjerë kush bie në grackën e tyre.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›