E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat e Olldashit, Manjani: LSI flet në emër të interesit të qytetarit dhe jo të kumarit

TIRANE- Nën/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani në një takim me gazetarët ku shprehu shqetësimin e LSI-së për situatën në të cilën ndodhet turizimi i është përgjigjur edhe akuzave të ministrit të Transporteve Sokol Olldashi, sipas të cilit LSI është një parti pazaresh. Manjani tha se nuk merret me kumarxhinj të ndëshkuar me votën e shqiptarëve.

"Kjo është një çështje që në fakt mua nuk më takon të merrem me të. Unë jam këtu për të folur në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por jo vetëm. Janë 1 milionë shqiptarë që sot presin nga ne se cili do të jetë programi qeverisës në 4 dhe më shumë vite të ardhshme. Të gjithë presin një mënyrë të re qeverisje nga sa deri më sot. Nuk jam këtu për t’u marrë më interesat e askujt, aq më tepër një partie politike apo qoftë edhe të kandidatëve për kryetar politik. Kjo është një çështje që nuk më takon mua. Unë jam këtu për të folur në emër të interesit të qytetarit dhe jo në emër të interesit të kumarit. Kumari dhe kumarxhinjtë janë ndëshkuar sistematikisht me votë, sa herë që kanë kërkuar votën e shqiptarëve. Dhe e përsëris jam këtu për t’u bërë thirrje edhe juve për të përdorur hapësirën mediatike që të kompensojmë sadopak ato defekte të cilat janë vënë re nga qeverisja e shkuar në mënyrë të veçantë në infrastrukturën e turizmit. Kjo është e rëndësishme. Të paktën të mund të ecim përpara drejt situatave të tjera. Kumari dhe kumarxhinjtë nuk na interesojnë", tha Manjani.

Duke iu rikthyer temës së takimit me gazetarët, Manjani i bëri thirrje institucioneve shtetërore agjencive turistike dhe policisë së shtetit që të marrin situatën në dorë me qëllim normalizimit të situatës së turizmit.

“Por çështja është që të paktën institucionet shtetërore publike, agjencitë turistike, në mënyrë të veçantë shërbimi i policisë së shtetit, sepse edhe nga ky sektor vijnë lajme shqetësuese. Përditë ka ngjarje të rënda kriminale derti te shpërthime me eksploziv e që nuk janë edhe këto gjëra të mira, që të marrin situatën në dorë dhe të ndihmojnë qartësisht qytetarët shqiptarë, por jo vetëm, që t’i drejtohen bregut të Shqipërisë për të kaluar 10 ditë pushime. Kjo është një detyrë që çdo shtetas i këtij shteti sot duhet ta ketë. Është një moment që duhet t’i shërbejmë ekonomisë kombëtare, jo vetëm ekonomisë kombëtare, por ekonomisë së shqiptarëve në tërësi por edhe relaksit të gjithsecilit që të shpenzojë 10 ditë të pushimeve apo më shumë në bregun shqiptar, pasi realisht ne kemi nevojë që të nxisim këtë sektor që është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare. Nga kjo pikëpamje nuk përjashtohen nga kjo thirrje sigurisht edhe agjencitë turistike, shërbimeve konsullore kudo që të jenë duke pasur parasysh që ka edhe një situatë disi të favorshme për shkak se dy vende të mëdha që kanë thithur turistë për vite me radhë, Turqia dhe Egjipti janë sot në situatë krize. E për pasojë situata turistike nuk është e favorshme, kështu që është një moment kur të gjitha agjencitë tona të marrin këtë avantazh për ta shfrytëzuar dhe për të sjellë drejt bregut shqiptar sa më shumë turistë të jetë e mundur, për të ndihmuar ekonomitë e shqiptarëve, por edhe ekonominë kombëtare në tërësi”, u shpreh Manjani
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›