Akuzat ndaj dy shqiptarëve që mbollën hashash në Greqi
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi fazën hetimore ndaj dy të pandehurve Arenc Kalivaçi dhe Roland Kakuli, duke dorëzuar dosjen për gjykim pranë togave të zeza. Sipas kërkesës për gjykim, dy të pandehurit e arrestuar në Berat akuzohen se kanë kryer veprat penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”; “kultivimit të narkotikëve”; “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake” të gjitha këto në kuadër të “grupittë strukturuar kriminal” në shtetin fqinjë Greqi. “Me ardhjen e materialeve hetimore me anë të letër-porosisë nga shteti grek për dy të pandehurit Kalivaçi dhe Kakuli, prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi procedimin penal dhe filluan hetimet për identifikimin, vendndodhjen dhe më pas arrestimin e tyre”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas prokurorisë, me ardhjen e letër-porosisë ka rezultuar se autoritetet greke kanë mbledhur një sërë provash ndaj dy shqiptarëve të pandehur, nga fotografitë e tyre deri tek provat më të rëndësishme, gjurmët e gishtave. “Nga hetimet e kryera prej autoriteteve greke rezulton se i pandehuri Arenc Kalivaçi dhe Roland Kakuli, në bashkëpunim dhe me një person tjetër të paidentifikuar, kanë kultivuar bimë narkotike kanabis sativanë një zonën pyjore në “Liafica” të Dhamatsës (Fthiotida) në Greqi. Ky fakt është zbuluar gjatë një operacioni të policisë greke në datën 25 gusht 2005, gjatë së cilit njëri nga policët grekë që merrte pjesë në aksion, i quajtur Petro Kordhas, i veshur civil është qëlluar me armë nga Arenc Kalivaçi, por nuk ka pësuar asnjë dëmtim”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Pas këtij aksioni të dështuar të policit Kordhas për të verifikuar parcelën e mbjellë me hashash, në drejtim të vendit të dyshuar është nisur një grup i forcave të policisë për t’i arrestuar pronarët e kësaj parcele. “Sapo i janë afruar parcelës me hashash, i pandehuri Arenc Kalivaçi ka qëlluar në drejtim të policisë me automatik, duke iu shmangur kështu arrestimit të tij së bashku me personin tjetër të paidentifikuar, ndërsa Roland Kukuli është arrestuar për t’u dërguar më pas në Shqipëri. Ndërsa në mes të plantacionit të hashashit, sipas kërkesës për gjykim, janë gjetur një pistoletë dhe dy granata, ku nga ekspertimi daktiloskopik ka rezultuar se në to ndodheshin gjurmë papilare që i përkasin Arenc Kalivaçit, i cili së bashku me Roland Kukelin janë arrestuar në Shqipëri muaj më parë. Sipas prokurorisë, i pandehuri Arenc Kalivaçi ka kryer veprat penale të “kultivimit të narkotikëve”; “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”; “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve” të gjitha këto në “grupit strukturuar kriminal”. Ndërsa i pandehuri Roland Kakuli ka kryer veprat penale të “kultivimit të narkotikëve”; “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve” në kuadër të “grupit strukturuar kriminal”.