Pranga shqiptarit të kërkuar për krime të rënda
GREQI- Policia greke e Selanikut ka deklaruar si një arritje të madhe arrestimin e një shqiptari, i cili akuzohet për trafikim droge, armëmbajtje pa leje, tentative vrasjeje si dhe prostitucion. Në mbrëmjen e ditës së premte është arrestuar shtetasi shqiptar Ledion Hysniu që ishte shpallur person në kërkim qysh prej 12 tetorit, kur ai kishte qëlluar mbi një prej policëve të patrullës që ndaluan për kontroll makinën në të cilën ai ndodhej bashkë me katër persona të tjerë. Atë ditë, makina e dyshimte nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar po ka ikur me shpejtësi madje duke kaluar disa herë me semafor të kuq derisa është ndaluar 200 metra larg drejtorisë së policisë së Selanikut. Ledioni nuk kishte pranuar të dorëzohej por ka qëlluar mbi një prej dy policeve dhe duke përfituar nga nata dhe rrethanat është larguar me vrap. Polici i dytë, megjithëse ka qëlluar drejt tij, nuk e ka ndjekur, por ka arrestuar katër personat e tjerë dy prej tyre shqiptarë, i treti armen dhe personi i katërt ishte një vajzë, shtetase greke. Pas kontrollit, në makinë ishin gjetur dy pako me kokainë të pastër me peshë 455 dhe 98 gram si edhe një peshore farmacie. Prej asaj dite Ledion Hysniu karakterizohej sipas policisë greke të Selanikut, si një person i rrezikshëm dhe punohej vazhdimisht për kapjen e tij. Madje edhe fotografinë e tij kishin bërë publike organet greke derisa dy ditë më parë, në mbrëmje ai u arrestua në qendër të Selanikut. Pas kësaj menjëherë është kryer kontroll në banesën e tij ku janë gjetur 42 gramë heroinë ,70 gramë kokaine si dhe një pistolete me karikator dhe një pasaporte false shqiptare. Madje, sipas përshkrimit të policisë në momentin kur u arrestua, dorën e mbante në xhep ku kishte një pistoletë tjetër. Bashkë me të është arrestuar edhe një vajze 19- vjeçare që bashkëjetonte me të. Pas pyetjeve të para në hetuesi policia e antidrogës ka marrë informacionet e para edhe për një bazë tjetër të një bashkëpunëtori të tij në rrugën Koleti, në anën perëndimore të Selanikut.