Policia arreston lazaratasin, fshatarët sërish në protesta
GJIROKASTËR- Kundërshton, fyen dhe godet punonjësit e policisë së grupit të gatshëm. Situata rëndohet edhe më tepër pas protestës së rreth 20 të rinjve para ambienteve të policisë dhe zgjidhet vetëm me ndërhyrje forcërisht nga ana e uniformave blu. Shkak është bërë shoqërimi i një automjeti për mungesë dokumentacioni.
Konflikti ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të premtes në qytetin e Gjirokastrës. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur për “Shekulli” se një 22-vjeçar nga fshati Lazarat dhe pikërisht Bako Buzheri është arrestuar nga punonjësit e komisariatit të policisë. “Arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi është bërë, pasi në vendin e quajtur sheshi i lagjes “18 Shtatori” ky shtetas i ndihmuar edhe nga shtetas të tjerë ka penguar punonjësit e policisë së grupit të gatshëm të Komisariatit të Policisë Gjirokastër për të bërë shoqërimin e një mjeti për mungesë dokumentacioni. Shtetasi Bako Buzheri gjatë kësaj kohe, duke përfituar nga situata e krijuar ka ofenduar, kërcënuar dhe goditur punonjësit e policisë të grupit të gatshëm të Komisariatit të Policisë Gjirokastër. Grupi i Gatshëm në zbatim të ligjit ka bërë shoqërimin forcërisht të këtij shtetasi për në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër”,- kanë bërë të ditur këto burime. Por, ngjarja nuk ka përfunduar këtu. Menjëherë pas arrestimit, një grup të rinjsh po nga fshati Lazarat janë grumbulluar përpara mjediseve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut duke kërkuar lirimin e shokut të tyre dhe gjithçka është zgjidhur vetëm pas një ndërhyrjeje të dytë të grupit të gatshëm. “Shtetasit që e kanë ndihmuar rreth 15 deri në 20 persona, të gjithë banorë të fshatit Lazarat, kryesisht të moshës adoleshente, janë grumbulluar para Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër duke kërkuar lirimin e shokut të tyre. Grupet e Gatshme të komisariatit të policisë kanë ndërhyrë forcërisht, duke bërë të mundur shpërndarjen e këtyre shtetasve, të cilët janë të identifikuar nga ana jonë”, thuhet më tej në deklaratën zyrtare për shtyp të policisë së Gjirokastrës për këtë ngjarje. Ndërsa mbi 22-vjeçarin Bako Buzheri rëndojnë tri akuza: “Kundërshtim të punonjësit të policisë së Rendit Publik”, “Goditje për shkak të detyrës” si dhe “Kanosje për shkak të detyrës”, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër nëpërmjet komunikatës ka garantuar qytetarët se do të zbatojë me rigorozitet ligjin për këdo që e shkel atë, që prish rendin dhe qetësinë publike, si dhe për këdo që do të pengojë punonjësit e policisë për të kryer detyrën do të përballet me forcën e ligjit.