E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolumbi-Itali, banda shqiptare e kokainës

Grupi i Bledar Gavellit, me korrierë kolumbianë dhe italianë. Trafikuan kokainë në Itali e Zvicër
TIRANË- Bota e krimit po bëhet gjithnjë e më e vogël për trafikantët shqiptarë. Autoritetet italiane të drejtësisë kanë sjellë në Shqipëri dosje që tregojnë se korrierët e dikurshëm të drogës, tashmë kanë grupet e tyre me korrierë të huaj, që veprojnë deri në Kolumbi. Një nga këto dosje voluminoze është edhe ajo e tre djemve nga Berati me mbiemër Gavelli, të cilët për të arritur qëllimin e tyre të trafikut të drogës nga Kolumbia në Itali, përdornin korrierë italianë dhe kolumbianë. Hetimi që po kryhet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është për një rrjet të trafikut të kokainës, të drejtuar nga shqiptarët, që fillon në Kolumbi dhe ka si destinacion tregun e narkotikëve në Zvicër dhe Itali. Sipas kërkesës për gjykim, të përpiluar nga prokurori i çështjes, Olsi Çela, dy vëllezërit beratas Leonat e Bledar Gavelli dhe kushëriri i tyre, Sajmir Gavelli (Petova) kryenin trafikun e kokainës nga Kolumbia në drejtim të Italisë. “Tre personat e mësipërm, në bashkëpunim dhe me Leonat Gavellin, Sajmir Gavellin dhe disa persona të tjerë me origjinë kolumbiane e italiane kanë organizuar disa herë futjen në Itali të rreth 2 kg kokainë, nëpërmjet pikë kalimeve kufitare të Zvicrës dhe më pas Italisë. Kjo sasi droge kishte ardhur nga Kolumbia ku vepronte Leonat Gavelli dhe që dorëzohej në Itali tek vëllai i tij, Bledar Gavelli dhe kushëriri i tyre Sajmir Gavelli”,-thuhet në kërkesën për gjykim, ku janë renditur faktet dhe provat e sjella me letër-porosi nga autoritetet italiane.
 
Kjo dosje, sipas akuzës është hetuar për disa vjet nga autoritet italiane, të cilët për shkak të sofistikimit të madh që kishte ky rrjet i trafikut të drogës, kanë mundur të kapin dhe të vërtetojnë ndaj tyre vetëm kalimin e 3 kg e gjysmë kokainë nga Kolumbia në Itali, gjatë periudhës 2003-2004. Për kryerjen e kësaj vepre, sipas kërkesës për gjykim, janë arrestuar korrieri italian, Dentice Donato dhe njëri nga vëllezërit, Bledar Gavelli, që mendohet se është koka i rrjetit. Ndërkohë, Sajmir Gavelli ka mundur t’i shpëtojë prangave të policisë italiane, më 7 maj të 2004, kur u arrestua korrieri italian dhe kushëriri i tij, për t’u arrestuar pesë muaj më parë në Shqipëri, pas një vepre tjetër penale të kryer në qytetin e Beratit. Pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda do të gjykohet vetëm i pandehuri arrestuar në Shqipëri, Sajmir Gavelli, pasi për të tjerët janë marrë masa dënimi në shtetin fqinj, Itali.
Sipas prokurorisë, çështja penale ndaj Sajmir Gavellit ka filluar në shtetin italian dhe më pas me anë të letër-porosisë është sjellë në Shqipëri. Në dosje, përveç provave materiale të sekuestrimit të 2 kg kokainë, autoritetet e drejtësisë italiane kanë siguruar edhe një sërë CD-sh me përgjime telefonatash, që kanë sjellë sekuestrimin e drogës. “Fillimisht Leonat Gavelli me anë të një korrieri kolumbian dhe linjës së tyre të trafikut ka sjellë nga Kolumbia në Zvicër 1080 gram kokainë. Në mungesë të lekëve, Bledar Gavellit i ka kërkuar kushëririt të tij, Sajmiritlekët, për të çuar më pas korrierin italian në Zvicër për të marrë drogën.Sajmiri i ka dhënë lekët dhe me anë të korrierit italian, Dentice Donato dorëzimi i “mallit” është kryer në Zyrih të Zvicrës dhe nga aty, droga është sjellë në Itali në duart e Bledar Gavellit”,-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas kësaj kërkese, episodet e këtij trafiku kanë ndodhur në dhjetor 2003, ku është trafikuar nga Kolumbia në Zvicër e më pas në Itali rreth 500 gram kokainë. Më pas, në muajin shkurt 2004 është trafikuar rreth 700 gram kokainë dhe në mars dhe prill të vitit 2004 janë trafikuar rreth 300 gram të tjera. Pas arrestimit të Bledar Gavellit dhe Dentice Donatos, më 7 maj 2004, policia italiane ka kontrolluar banesën e shtetasit italian ku kanë sekuestruar një makinë të tipit “Fiat Tempra” dhe një “Ford Fiesta” brenda të cilëve ndodheshin rreth 830 gram kokainë që mendohet se është sjellë nga Kolumbia për llogari të vëllezërve Gavelli. “Nga hetimet e kryer dhe provat e sjellura nga Italia, u vërtetua plotësisht se i pandehuri Sajmir Gavelli ka konsumuar elementët e veprës penale të “trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim e më tepër se një herë” , duke importuar në territorin e shtetit italian në disa raste lëndë narkotike të llojit kokainë.
3
Të pandehurit shqiptarë të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Zvicër janë cilësuar si drejtues të rrjetit. Për ta punonin korrierë italianë dhe kolumbianë që transportonin kokainën
3.5
Kilogramë kokainë kanë mundur të kapin nëpërmjet përgjimeve autoritetet italiane. Sipas hetimeve, vëllezërit Gavelli dhe i afërmi i tyre kanë qenë drejtues të rrjetit të trafikut

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›