E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, emigrantët

Kapshticë- Kthehen radhët e gjatë në pikën kufitare të Kapshticës, ndërsa panorama në dimrin e ftohtë të këtij viti ka ndryshuar kurs, duke u zhvendosur në shtetin fqinj Greqi. Kalimi ndërkufitar i emigrantëve shqiptarë për festat e fundvitit është vështirësuar së tepërmi në pikën e kalimit të Kapshticës. Në 24 orët e fundit pranë kësaj pike kalimi kanë hyrë nga Greqia për në Shqipëri pesë mijë emigrantë shqiptarë me 1200 automjete. E shtuna ka pasur dhe ditën më të ngarkuar për sa i përket lëvizjes së emigrantëve shqiptarë nga shteti fqinj drejt atdheut të tyre. Duke iu referuar burimeve zyrtare në Kapshitcë, fluksi është përballuar mirë nga ana e palës shqiptare, ndërsa problemet janë krijuar në anën greke të kufirit ku dhe radhët e gjata janë prezente në mënyrë të vazhdueshme, madje dhe në ortë e vona pas mesnate. Futja e të dhënave të të gjithë emigrantëve shqiptarë në sistemin kompjuterik TIM dhe për daljet nga Greqia një procedurë kjo e re e vënë në përdorim për herë të parë, ka krijuar gjatë këtij sezoni dimri konfuzion dhe radhë të gjata në pikën greke të kalimit në Kapshticë. Drejtori i Policisë të Qarkut të Korçës, Emri Vataj, në një prononcim për gazetën bën të ditur se një ditë më parë është kryer një takim i posaçëm me palën greke në vendkalimin e kësaj të fundit ku është diskutuar rreth temës së ditës që lidhet me lëvizjen e lirë dhe pa problem të shtetasve shqiptarë që vijnë për festat e fundvitit të atdheun e tyre. Pala greke është justifikuar me kontrollin e imtësishëm të dokumenteve të emigrantëve gjë që sipas tyre shton dhe kohën e punës, ndërsa ka premtuar se do të shtojë dhe dy sportele të tjera për daljet nga Greqia, ndërsa aktualisht punohet me një të tillë. Për ditët në vazhdim që pritet të jenë dhe më të ngarkuarat do të vihen në punë sportele të reja në pikën greke, ndërsa në anën shqiptare funksionojnë aktualisht tre sportele, duke mos krijuar radhë të gjata dhe pritje për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë gjatë orëve të vona të natës dhe të ditës. Ndërsa pala greke ka premtuar se nuk do të ketë vonesa, pritja është kthyer në modë në Kapshticë, ndërsa policia shqiptare nga ana e saj ka shtuar masat e sigurisë për të evituar çdo lloj problemi të mundshëm, por dhe për të pasur situatën nën kontroll të plotë dhe në ditët kur fluksi i emigrantëve do të ketë pikun e tyre. Në Kapshticë kanë hyrë gjithsej rreth 30 mijë emigrantë shqiptarë, ndërsa deri në 31 dhjetor ky numër pritet të arrijë në rreth 100 mijë vetë.E shtuna e kësaj fundjave ka qenë nga më të ngarkuarat, ndërsa java e ardhshme dhe ditët në prag të festës së Krishtlindjeve, pritet të jenë nga më të vështirat për punonjësit në pikën greke dhe atë shqiptare të kalimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›