Emigrantët, radhë të gjata në Kakavijën greke
KAKAVIJË- Dyndja e madhe e emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi drejt kufirit shqiptar, ka bërë që edhe një herë tjetër të përsëriten skenat e qindra automjeteve që presin në radhë të gjata e për orë të tëra. Tri ditë para festës së Krishtlindjeve është katërfishuar numri i emigrantëve shqiptarë që kanë hyrë nëpërmjet stacionit të policisë kufitare të Kakavijës. Për ta përballuar këtë numër të madh është hapur numri më i madh i mundshëm i sporteleve nga pala shqiptare. Të dhënat zyrtare të marra pranë këtij vendkalimi tregojnë se vetëm gjatë 48 orëve të fundit nëpërmjet saj kanë hyrë në Shqipëri për të kaluar festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri rreth 20 mijë emigrantë. Ndërkaq, vetëm gjatë 16 orëve, duke filluar nga mesnata e së shtunës e deri pasdite, kanë hyrë në territorin shqiptar më shumë se 12 mijë emigrantë e mbi dy mijë automjete. Por megjithëse nga pala shqiptare, pothuajse gjatë gjithë këtij harku kohor është punuar me numrin maksimal të sporteleve, gjithsej 13, prej të cilëve 11 në hyrje dhe 2 në dalje, mësohet se radhët janë krijuar për shkak të numrit të ulët të sporteleve me të cilët punonte pala greke. Vënia në dispozicion të emigrantëve e vetëm 2 sporteleve deri në orët e para të mëngjesit është justifikuar me ditët e fundjavës, të cilat njihen si ditë zyrtare pushimi. Mësohet se rreth orës 05.00 të mëngjesit të djeshëm, në territorin grek është krijuar një radhë automjetesh me një gjatësi prej rreth tre kilometrash. Gjithashtu, të gjendur përpara një situate të tillë ku me qindra automjete ishin të detyruar të prisnin për orë të tëra në temperature mjaft të ulëta, ka bërë që nga pala greke mëngjesin e djeshëm të çelen edhe tre sportele të tjera. Ndërkaq, është dashur edhe ndërhyrja e konsullit shqiptar në Janinë, Eshref Shehu, që situata në Kakavijë të shkonte drejt normalizimit, gjë që u arrit të kryhej vetëm në mesditë. Në një deklarim për mediat konsulli Shehaj, është shprehur se kontaktet mjaft të mira të krijuara me autoritetet helene gjatë ditëve të fundit, sollën përmirësimin e situatës. Për kreun e Stacionit Kufitar të Kakavijes Zijadin Allaraj, dita e djeshme konsiderohet si më e ngarkuara në këtë sezon ndaj dhe u morën të gjitha masat konkrete për përballimin e fluksit të të ardhurve nga Greqia. Edhe gjatë ditës së sotme pritet një tjetër numër i madh emigrantësh, që kthehen nga Greqia duke qenë se Kakavija është vendkalimi më i madh tokësor. Qysh prej datës 10 dhjetor, kohë në të cilën filloi lëvizja e lirë e emigrantëve nëpërmjet këtij stacioni të policisë kufitare kanë hyrë në Shqipëri rreth 40 mijë emigrantë, ndërsa numri i tyre pritet të rritet ndjeshëm në ditët e ardhshme.