Akuzat në media, reagon Shtabi i FA: Fluturimi i datës 10 mars 2013, ka qenë veprim abuziv – piloti është liruar nga detyra
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, në lidhje me deklarimet e bëra në disa media të caktuara, për përdorimin e një helikopteri ushtarak jashtë detyrave dhe misionit, sqaron mbarë opinionin publik se, fluturimi i datës 10 mars 2013, ka qenë veprim abuziv dhe individual i Kolonel Sokol Çunaj, ish-Komandant i Bazës Ajrore të Helikopterëve në Farkë.
Mbi bazën e shkeljes së konstatuar, Komandanti i Forcës Ajrore pezulloi nga fluturimi pilotin Sokol Çunaj, ndërsa më pas, me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Ministri i Mbrojtjes e liroi nga detyra si Komandant i Bazës Ajrore së Helikopterëve.
Sigurojmë se Shtabi i Përgjithshëm dhe të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura, zbatojnë vetëm detyrat që rrjedhin nga misioni i tyre kushtetues, ato janë në shërbim të lirisë dhe të vlerave më sublime të Popullit Shqiptar!