Dr. Berisha dhe energjia e tij e pashtershme
Mllefi dhe shpifjet ndaj kryetarit të PD-së: “Doktor i Bllokut të udhëheqësve‘; sajesat dhe rrenat ndaj patriotizmit të familjes së bashkëshortes së tij; përse e quajnë „komunist“ ? Si u anëtarësua në P. e Punës, pa entuziazëm? Sa të interesuar janë lakenjtë e E. Ramës t’i mbajnë iso kryetarit abuziv të PS-së, maniakut patologjik për postin e kryeministrit, me meskinitete moshe, me rotacion të detyrueshëm, me pisllëqe të jelekut antiplumb? Në faqen 8 të librit të parë politik, Edi Rama shkruan: “Refleksionet” mund t’i përkufizojmë si rrugë në kërkim të së vërtetës”. Në fakt, libri i tij i dytë “Kurban”, i përmbysi të gjitha “të vërtetat”, që dolën rrena. Jo më kot e hodhi vetë autori në koshin e plehrave, kur u kujtua se të gjitha “të vërtetat” e tij, na paskëshin qenë rrena! Ia donte puna, tanimë, që të sajonte “të vërteta” të tjera, të cilat doemos që janë të pabesueshme, si ato të parat. Nga antikomunist i pabesueshëm, vajti në origjinë, kur në revistat e Sigurimit shkarraviste karikatura të rëndomta për sigurimsat e lavdishëm vigjilentë, që i kapnin të gjithë desantët që hidheshin nga imperialistët, për të dëmtuar regjimin e demokracisë popullore. Këto suksese arriheshin, ç’është e vërteta, me ndihmën e spiunit anglez Kim Filbit, që u arratis në Bashkimin Sovjetik, për të vdekur i alkoolizuar. Ai libri i parë duhej zhdukur nga qarkullimi nga vetë autori, se ky nuk ia fal vetes që Berishën e quante “doktor Berisha” (disa herë në f. 13) dhe jo si tani që e quan “Saliu”, pavarësisht se doktori e cilëson vazhdimisht ‘z. Rama’. Kësisoj edhe papagajtë e tij, veprojnë si i zoti...
Në faqen 12 të librit “Refleksione” të cilin Haxhi Pishmani Edvin e kishte sikterisur, gjejmë një frazë interesante. Në një tubim, të ulur në një kolltuk, ai sheh doktor Berishën (kështu e cilësonte në atë kohë) kur doktori, në një intervistë të “Dritës” jepte “parametrat e lules së intelektualit”, kur Ramiz Alia po mbillte pluralizmin e mendimeve”. Sigurisht E.R.-a, më vonë, do të shqyente rrobat nga marazi, që e kishte quajtur doktorin ‘lulen e intelektualit’. Duke mbyllur faqen 12, na jepet të pyesim: - Kush u bë pishman: dr. Berisha apo E. Rama? Kush mbeti antikomunist konsekuent, i pari apo i dyti? Nëpër mitingjet e tanishme zgjedhore, doktori vazhdon të ngrejë të dy gishtat lartë, së bashku me ata që mbushin përplot sheshet dhe e përshëndesin, ndërsa Rama, nën hyqmin e atyre që janë si qafa që e kthen kaptinën si t’u interesojë, e bën grushtin gati që ta vërë në ballë e pastaj bëhet pishman dhe, afër kokës, bën ca rrethore aktoreske, duke përdorur edhe dorën tjetër! Tani, duke iu përgjigjur disa pikave që i kemi vënë në krye të këtij shkrimi, vijmë te pyetja nëse ka qenë mjek i klinikës speciale. Keqdashësit e Berishës, veçanërisht të përlyerit si mëkatarë në kohën e Dullës, thonë e përsëritin thënien mashtruese se ka pas qenë mjek i klinikës speciale. Kjo do të thotë se ka pas qenë mjek i Enver Hoxhës(!). Por në këtë pikë s’kemi përse të zgjatemi. Ata që kanë lexuar kujtimet e Nexhmije Hoxhës, me titullin “Jeta ime me Enverin”, e shohin JO-në e Zonjës së Zezë, jo vetëm në këtë libër por edhe në ndonjë intervistë të saj. I zoti e jep, tellalli s’e jep - është një thënie e popullit. Nexhmija, si titullare e luftës së klasave, ka shfryrë edhe disa mendime të errëta kundër doktoreshës Liri, një zonjë e nderuar për të cilën flitet me respekt edhe nga kundërshtarët e bashkëshortit të saj, paçka se N.H.-a e përdor edhe për të thënë: - Si do të ishte Berisha doktor i shokut Enver, kur bashkëshortja s’i kishte kushtet... etj?
Një mjek i Bllokut, që tani është kryetar nderi i një partie opozitare, ka shkruar se ishte ai që ia kishte dhënë Berishës, rekomandimin për anëtar partie. Në atë kohë ishin miq, si mjekë. I kishte thënë se, po të dëshironte, garant bëhej ai. Kishte marrë si përgjigje se nuk e ndjente të domosdoshme. Por arsyetimi i mikut ishte më bindës: - Ti vete në konferenca ndërkombëtare për çështjet kardiologjike. Je edhe anëtar i kryesive të disa forumeve shkencore. A të ka shkuar ndër mend se mund të të kufizohen, por edhe të ndërpriten këto, udhëtimet shkencore? Mendoje edhe këtë. Flasim prapë nesër. Miku kishte të drejtë. Përse të dëmtonte veten për një akt formal, kur ishte i çmuar për studimet shkencore në mjekësi, të cilat ishin vlerësuar edhe në kolegët jashtë shtetit? Disa të tjerë kishin pasur vlerësime mesatare. Dr. Berisha ishte në një nivel të admirueshëm. Por kishte mundësinë të sillte këtu edhe libra shkencorë. Madje edhe libra shoqërorë ose letrarë, disa prej të cilëve edhe të padëshirueshëm. Ja cili ishte Berisha i vërtetë. Tani propagandistët e së keqes e quajnë Berishën, pa pikë turpi, komunist! A mos ka celebruar ndonjëherë festat anakronike të Pezës (16 shtator), me grushtat në ballë e me fotot e panumërta të diktatorit E. Hoxha? Është gjendur E. Rama në këto festa, ndërmjet veteranëve që do t’i varte në litar (!) dhe midis çupëlinave që i çonte në autobusë që të indoktrinoheshin me avujt e rakisë dhe me orgji ku nuk mungonte edhe droga! Dhe tani bën sikur rebelohet që në mitingjet zgjedhore të Berishës venë edhe të rinj e të reja, për të cilët e paskan fajin drejtorët e shkollave! Këta do t’i pushojë nga puna, sikundër edhe investitorët e huaj që do t’i dëbojë, e kërcënime të tjera, kur të bëhet kryeministër (në kalendat greke!).
Po përse ky qejf i madh për ta quajtur komunist doktorin, kur Rama ka mbledhur në koalicionin e tij të majtë, katër parti enveriste, dy të P. Punës dhe dy të P. Komuniste? Përgjigjja është shumë, tepër, e thjeshtë: Komunist unë, komunist ti, - eja e gjeje kush është komunisti me tamam, ai që u ka nxjerrë ujë të zi édhe të pafajshmëve që u kanë rënë në dorë, nëpër hetuesira, nëpër burgje, nëpër kampe lëngimesh...A është dakord E.Rama që të dilnin fotot e zmadhuara të diktatorit në ministrinë e Jashtme të pas ’97-s, kur titullar ishte ai që plasi të marrë një mandat në zgjedhjet e 23 qershorit të pritshëm, për të cilin është e qartë se ‘janë larg pashkët për Paskalin?’. Për t’i mbyllur të gjitha pikat në krye të këtij shkrimi, më mbeten “Mosha”, “Rotacioni” dhe ... “Jeleku i plumbit!”. Kujtojnë moshën e Berishës, që është shumë më i ri se Adenaueri, De Goli, Çërçilli, Andreoti, Napoletano...në kohën e tyre të aktivitetit politik. Po përse nuk përmendin moshën e Edit që është azmatik dhe i mban breshkat në dhomën e punës? A rri dot në ujë Edvini 2 orë e 30’? A mund të bëjë gjithato aktivitete ne dobi të koalicionit të tij, E. Rama, i krahasuar me Berishën? Ky i fundit, edhe kur vjen nga jashtë shtetit, nuk shkon dot në shtëpi, pa bërë edhe një përurim. Kjo fjalë ua prish gjakun koalicionit tjetër! S’duhen përmendur as rrugët, që janë faktor zhvillimi. Sepse rrugët që i la gropa-gropa E. Rama, po i përfundon Lulzim Basha! Dhe thotë që hedh zift përmbi zift! Sot janë kamerat që e bëjnë dallimin. Është shiu që i bën të pakalueshme!
Rotacioni! Mjaft ndenje ti, tani e kam radhën unë! Përse në bashki kërkonte mandat të tretë, përmes kauçukut, jo vullnetit të qytetarit? E mori përgjigjen nga komisioni i Venecies! Por më qesharakja, më trushkulura, më karagjozja, është ajo e jelekut të plumbit që na veshka doktori. Kur duan të bëhen simpatikë me shakara pa kripë! Përse na e çon kujtesën tek heroi i demokracisë, të ndjerit Azem Hajdari? “Komunistët janë të pabesë: të vrasin tinëzisht!”. E qëlluan në parlament (Mazreku, komunist). E qëlluan në rrugë komunistët. E qëlluan për vdekje, për herë të tretë, para selisë së tij të P. Demokratike! Tani E.R.-ja kërkon të kërcënojë kundërshtarët që i quan armiq? Apo po i del në dritë, në koleksionin e tij të sëmundjeve , edhe një sëmundje sysh që nuk dallon këmishën e tejdukshme nga jeleku antiplumb? Apo i është fiksuar ajo bufonata e “karameleve të Saliut” në xhamat e shtëpisë, me aluzionin se Saliu e kishte qëlluar më plumba, që Edi të pretendonte makinë të blinduar vetjake, në një kohë kur ato nuk gjendeshin në vendin tonë?