E Diel, 1 Nëntor 2026

Trefishim të financimeve për bujqësinë – e majta propozon heqjen e TVSH-së, një alternativë shkatërrimtare për fermerët

09-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me fermerët e Komunës Gosë të Kavajës

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje në mesditë një vizitë në komunën Gosë, Kavajë, ku fillimisht zhvilloi një vizitë në pemëtoren e zotit Mersin Lika dhe më pas zhvilloi një bashkëbisedim me fermerë të kësaj zone si edhe me eksportues nga Kosova dhe Mali i Zi.
Pemëtorja shtrihet në një sipërfaqe prej 10 hektarësh dhe në të janë mbjellë ftonj, shegë, mollë, etj. Gjithashtu, ky fermer kultivon edhe perime fushe në një sipërfaqe prej 30 hektarë. Prodhimet e fermës së zotit Lika tregtohen dhe eksportohen nga kooperativa e grumbullim eksportit të perimeve dhe frutave “LIKA”, në Gosë, Kavajë, e cila vitin e kaluar ka eksportuar 7 000 tonë perime, me një përfitim prej rreth 3 milionë euro.
Në komunën Gosë kanë përfituar nga grantet e qeverise plot 250 fermerë, me një shumë prej 500 milion lekë, të orientuara kryesisht në ujitje dhe blloqet me ullinj e pemë të ndryshme frutore. Kryeministri Berisha premtoi mbështetje për fermerët, gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës. Në projektin e demokratëve premtimet kryesore morën fuqi para se fermerët të shkojnë tek kutia e votimit. Duke bashkëbiseduar me fermerët, Berisha e cilësoi shkatërrimtare heqjen e taksës së TVSH-së për prodhimet vendase. “Prodhimet e huaja do dominonin tregun”, tha Berisha para fermerëve. “Lidhur me prodhimin, ideja e heqjes së TVSH-së për mallrat e importit, për vajin, për qumështin, për miellin, për bukën është shkatërrimtare për prodhimin vendas. Pasi ti ke një fabrikë qumështi dhe mbledh qumështin e fermerëve, të cilët në çdo lloj situate nuk mund ta prodhojnë kurrë me koston e ulët që e prodhon fermeri francez, gjerman, belg, i cili merr në ditë nga Komision Evropian 3.5 euro subvencion për çdo lopë. Atij sigurisht i del që ta shesë qumështin shumë më lirë. A duhet ne të marrim më lirë atë dhe të shkatërrojmë prodhimin vendas? Kjo do të ishte shkatërrimtare. Kur të vijë kohë që ne tu japim fermerëve tanë 3.5 euro në ditë për lopë, atëherë dhe ne themi të mos ketë taksa. Por deri sa ne nuk i japim dot 3.5 euro, atëherë do të mbajmë TVSH-në për të gjitha këto prodhime. Në fabrika bluarje, fabrika miellin, është investuar një sasi shumë e madhe dhe janë mbi 5 mijë punonjës në to. Po të hiqet TVSH-ja, asnjë fabrikë nuk ka pse bluan më në Shqipëri, sepse mielli del me kosto më të lartë nëse e bluan këtu”- tha Berisha. Nga ana e tyre fermerët u shprehën se mbështesin politikat e qeverisë “Berisha” dhe se vota e tyre në 23 qershor do të jetë për Partinë Demokratike dhe kryeministrin Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›