Akuzat për Levan-Vlorë, Olldashi: Të hapur për hetime

Kreu i Transporteve i kundërpërgjigjet akuzave të Partisë Socialiste në lidhje me marrjen e një fondi shtesë për rrugën Levan -Vlorë. Sipas Sokol Olldashit projekti ka pasur problematika të ardhura nga përllogaritja e gabuar aritmetike nga vetë PS, pasi nuk parashikonte shtresën e stabilizantit , duke qenë një projekt i hartuar dhe miratuar nga PS gjatë qeverisjes së tyre.
Lidhur me këtë numri 1 i Transporteve sqaroi se shtresa për stabilizantin shkon 2 milion euro, shto dhe shtesat për ndryshimin e shtratit tëVjosës dhe shtesën në fond për mbrojtjen mjedisore.
Nga ana tjetër Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve shprehu gatishmërinë e tij për të vënë në dispozicion të PS projektin, për të hetuar gjithcka, qoftë nga komisionet hetimore apo dhe vetë Prokuroria, pasi sipas tij institucioni që ai drejton nuk ka asgjë për të fshehur lidhur me këtë rast.
“PS të kërkojë komision hetimor për ndryshimet dhe unë jam i gatshëm të raportoj për çdo detaj të aksit. Por theksoj se ky është investimi më i lirë në infrastrukturë, pasi 2.45 mln euro/km në rrugën Levan-Vlorë është kostoja më e lirë”.