Berisha: “Liberalizimi i vizave, duhen rritur masat kundër krimit të organizuar”
Kryeministri Berisha kërkoi dje gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, forcimin e mëtejshëm të luftës kundë krimit të organizuar. Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Berisha bëri një analizë të masave të marrë në këtë drejtim, përmbushjes së detyrimeve dhe parashtroi detyrat kryesore, ku duhet të përqendrohet veprimtaria e institucioneve të përfshira në këtë luftë, në të ardhmen. “Kjo mbledhje është thirrur për të analizuar ecurinë e përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar. Duhet të kemi të qartë se ky Komitet, institucionet që janë të mbledhura këtu, kanë dhe do të kenë si detyrë më kryesore adaptimin e tolerancës zero ndaj krimit të organizuar. Do të ishte shumë e gabuar në qoftë se ne do të shkrehnim sado pak, duke e lidhur me vizat, këtë veprimtari, e cila duhet të njohë vetëm rritje dhe konsolidim. Lufta kundër krimit të organizuar, bashkërendimi i kësaj lufte, përpjekja e përbashkët e institucioneve nuk ka dhe nuk mund të ketë objektiv më kryesor, sesa sigurinë e jetës, pronës, veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, nuk ka dhe nuk mund të ketë objektiv më kryesor shtypjen e krimit me të gjitha mjetet ligjore. Natyrisht, vendosja e regjimit të heqjes së përkohshme të vizave për 90 ditë, shton edhe më shumë këtë obligim, por kjo mbetet një detyrë permanente e të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Kjo mbetet edhe një përparësi më madhore e qeverisë, e cila, në funksion të saj, është dhe mbetet e vendosur t’u garantojë të gjithë mbështetjen e nevojshme këtyre institucioneve, për t’u përballur me sukses me këtë luftë”, është shprehur kreu i qeverisë. Ai kërkoi më shumë bashkëpunim mes institucioneve të vendit në drejtim të forcimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. “Konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm memorandumin e nënshkruar midis Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Financave për të shqyrtuar problemet e përbashkëta. E një rëndësie të veçantë është një lloj ujdie që është arritur midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Luftës Kundër Pastrimit të Parave, për të qartësuar më tej kriteret dhe përpjekjet e përbashkëta në këtë luftë.
Një problem po del gjithnjë e më shumë si problem kryesor jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë Europën dhe botën, ai i larjes së parave. Pas 11 shtatorit, çështja e larjes së parave është bërë çështje kryesore në luftën kundër krimit të organizuar. Tendenca për të përfshirë në larje parash ekziston edhe për kontrabandën, edhe për evazionin. Në tërësi ka rritje pune. Të bashkëpunohet ngushtë me doganat dhe tatimet. Ky memorandum që është nënshkruar midis Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Prokurorisë së Përgjithshme duhet të mishërohet në një veprimtari konkrete, të vazhdueshme”, - është shprehur Berisha.
31 Korrik 2010