E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama: “Qeveria po mban peng rikonstruktimin e sheshit Skënderbej”



Bashkia e Tiranës do të nisë shumë shpejt projektin për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit. Por, për të përballuar fluksin e trafikut dhe për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve gjatë kësaj periudhe që do të punohet për restaurimin e këtij sheshi, ka nisur puna për rikonstruksionin e katër rrugëve të tjera “Abdi Toptani”, “Bardhok Biba”, “Urani Pano” dhe rruga pas Pallatit të Kulturës. Kryebashkiaku Edi Rama gjatë inspektimit të këtyre punimeve, deklaroi për mediat se projekti i madh për këtë shesh nuk kishte nisur ende për shkak se qeveria mban peng procesin e shpronësimeve. Sipas Ramës, tashmë është kthyer në domosdoshmëri shpronësimi i arteries së Unazës nga ana e qeverisë, gjë e cila do të mundësojë fillimin e punimeve në këtë shesh. “Duke përsëritur edhe një herë apelin e qytetarëve të Tiranës ndaj qeverisë, që të hapë rrugë për shpronësimin e domosdoshëm dhe krijimin e kushteve që të mbyllet unaza e vogël, e cila do ta spostojë përfundimisht trafikun nga qendra dhe do i japë mundësi kësaj të fundit që të funksionojë për këmbësorët” u shpreh Rama. Ky i fundit më tej ka shtuar se po prezanton përpjekjen për të hapur një rrugë ndihmëse provizore, e cila do të mund të devijojë trafikun, duke lejuar fillimin e punimeve në sheshin “Skënderbej”. Kryebashkiaku Rama ka thënë se ndaj këtu bindjen me të gjithë qytetarët se është domosdoshmërish, sot i detyrueshëm për të filluar, por ndërkohë përsëris që zgjidhja përfundimtare është hapja e gjurmës së Unazës së Vogël.
Përplasjet
Sipas Ramës hapja e gjurmës së Unazës së Vogël do të bëjë të mundur që punimet në sheshin “Skënderbej” të mos ndikojnë aspak në trafikun rreth e rrotull sheshit, ndërkohë që në të kundërt do të na duhet që të përballemi me vështirësi jo të vogla. “Megjithatë, fillimi i punës në kantierin e sheshit “Skënderbej” tashmë është afër. Ne do ta fillojmë këtë punë duke iu përgjigjur jo vetëm kalendarit tonë, por edhe kërkesës së vazhdueshme dhe të drejtë të qytetarëve, ndërkohë që unë uroj dhe shpresoj që veshët e shurdhër të qeverisë të hapen dhe që pushteti të mos bëjë politikën e mbrapshtë të lënies së gjërave pezull, me qëllimin shumë të padenjë për të nervozuar njerëzit, për të mërzitur njerëzit, për të dëshpëruar njerëzit, në mënyrë që kjo pastaj të kanalizohet si përfitim politik” pohoi kryebashkiaku. Ai e vijoi fjalën e tij duke thënë se kjo nuk është një sjellje për shekullin ku jetojmë, kjo është një sjellje e vjetër primitive, nuk ka asnjë sens që qytetarët të paguajnë për këtë sjellje dhe që qyteti të vonohet në realizimin e një projekti të madh siç është ai i sheshit “Skënderbej”, pasi kemi bërë konkursin, pasi kemi bërë gjithçka gati, kemi marrë edhe financimin nga miqtë tanë kuvajtianë për pjesën më të madhe të punës dhe është e domosdoshme që kjo punë të fillojë.
Projekti
“Rehabilitimi i sheshit ‘Skënderbej’ është një nga projektet më ambicioze dhe të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës” ka theksuar Kryebashkiaku Rama. Ky projekt, rrjedhojë e një konkursi prestigjioz kombëtar dhe për të cilin është siguruar financimi i nevojshëm nga ana e qeverisë kuvajtiane dhe bashkisë për pjesën tjetër, do të përjetojë rilindjen e tij, si një hapësirë e denjë për metropolin ku jetojmë. Me qëllim përballimin e flukseve të trafikut dhe lehtësimin e lëvizjes në një periudhë transitore, deri në përfundimin e rrjeteve rrugore kryesore, si: Pjesa Verilindore e “Unazës së Vogël”, apo dhe Pjesa Jug - Perëndimore e Unazës së Madhe. Bashkia e Tiranës ka filluar procesin e rikonstruksionit të rrugëve:“Abdi Toptani”; “Bardhok Biba”
“Urani Pano” dhe rruga pas Pallatit të Kulturës. Rrugët e sipërpërmendura janë parashikuar për përballimin e flukseve transit të trafikut, duke mundësuar kështu lehtësimin e punës për rivitalizimin e qendrës së qytetit dhe pakësimin e ndotjes së ambientit dhe zhurmave. Rikonstruksioni i këtyre rrugëve do të krijojë një frymëmarrje për transportin kryeqytetas, në kuadër të fillimit të zbatimit të projektit të sheshit “Skënderbej”. Modeli i ri urban i qytetit të Tiranës, ndërtuar mbi bazën e “Strategjisë së Transportit” përfshin kthimin e sheshit “Skënderbej” në një shesh për këmbësorë, biçikleta dhe pa mjete private. Pika kryesore në këtë projekt është përcaktimi dhe zhvillimi i një identiteti të ri për sheshin “Skënderbej”, duke rezervuar të gjithë hapësirën për nevojat e këmbësorëve. Ky koncept urban, duke u ballafaquar me funksionin urban (si për shembull transportin publik), i cili në këtë moment po pëson një zhvillim demografik, social dhe ekonomik sjell gjithashtu edhe rritjen e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve në rrugët përreth sheshit. Ndërkohë, shkaku kryesor për vonesat në realizimin e këtij projekti të madh mbetet shpronësimi i domosdoshëm që hap arterien e Unazës së Vogël tek godina e “Insigut” dhe që mundëson devijimin e të gjitha makinave, të cilat sot kalojnë detyrimisht në sheshin “Skënderbej”, shpronësim i cili duhet të bëhet nga ana e qeverisë. Masat e ndërmarra, së bashku me ndërhyrjet në transportin publik do lehtësojnë situatën e trafikut, por nuk janë zgjidhja e tyre, zgjidhje e cila kërkon domosdoshmërisht ndërtimin e rrugëve kryesore unazore.

Të dhëna teknike për punimet që do të kryhen:
Gjatësia e rrugëve që do të trajtohen: 730metra linearë
Sipërfaqe të shtruara me asfalt 7800 m2

Përplasjet e tjera qeveri-bashki
Fakti që Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe Berisha qeverinë qendrore bëri që dy liderët të përplasen shumë fort. Qeveria vendosi të prish mbikalimin tek “Zogu i Zi” në Tiranë i cili po ndërtohej nga Bashkia e Tiranës. Ky vendim solli një përplasje të ashpër mes Ramës dhe Berishës duke akuzuar njëri-tjetrin. Rama për mbikalimin vendosi të nxirrte popullin opozitar në protestë për ta mbrojtur. Edhe pse lufta qe e ashpër, mbikalimi u prish nga ana e policisë ndërtimore duke u krijuar një konflikt i ashpër mes qeverisë dhe bashkisë dhe më konkretisht me Edi Ramës dhe Sali Berishës. Edhe pas prishjes së mbikalimit koha e më pasme u shoqërua mjaft e ashpër mes të dy liderëve. Rama një farë kohe vendosi të bllokonte dhe parlamentin duke orientuar deputetët e PS-së që të marrin bilbila në seancë. Tjetër përplasje midis këtyre dy institucioneve ka qenë për truallin në qendër të kryeqytetit, mes Rrugës së Durrësit dhe Kavajës. Akuzat dhe deklaratat lidhur me këtë truall kanë ardhur duke u ashpërsuar. Për këtë mjedis, pak metra larg sheshit “Skënderbej”, ekzistojnë dy versione zhvillimi: njëri, sipas bashkisë, që është pronë private, për të cilën Këshilli Rregullues i kryeqytetit ka dhënë një sërë vendimesh edhe të drejtën për pajisje me leje ndërtimi, ndërsa versioni i dytë i qeverisë sqaron se ky shesh është pronë shtetërore dhe për këtë është menduar që të kthehet në një shesh pushimi, lulishte me hapësirë të gjelbër. Sakaq, sipas administratorit të Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, prona për të cilën bëhet fjalë është në pronësi private të Komunitetit Mysliman dhe bashkëpronarëve të familjes Kika, e vërtetuar me certifikatë pronësie. Kjo pronë ka një histori 14- vjeçare miratimi lejesh, ku gjejmë emrat e të gjithë kryetarëve të bashkive dhe kryeministrave të mëparshëm. Dhe tani së fundi po vazhdon përplasjet midis qeverisë dhe bashkisë për rikonstruktimin e sheshit Skëndërbej, dhe ende nuk është dhënë një përgjigje e prerë se si do ti shkojë fati këtyre punimeve dhe a do rëndohet trafiku për qytetarët e Tiranës.

2 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›