Korrupsioni, ministra dhe deputetë fshihen pas imunitetit
Albert Gjoka
Qeveria amerikane publikoi dje raportin e drogave për vitin 2010, ku konstatohet se Shqipëria ka ende probleme përsa i përket korrupsionit, i cili ka një shtrirje të thellë. Imuniteti që kanë zyrtarë të lartë të qeverisë, anëtarë të Kuvendit dhe gjyqtarë ka bërë të mos ketë fuqi hetimi. Sipas dokumentit të publikuar ditën e hënë, “Shqipëria është një vend tranzit për trafikantët e lëndëve narkotike që lëvizin kryesisht heroinën afgane nga Azia Qendrore me destinacion në të gjithë Europën Perëndimore”.
Në 2009-n u rrit sasia e heroinës së sekuestruar, por ka rënie të sasisë së konfiskuar të marijuanës. “Cannabisi vazhdon të prodhohet në rajonet e thella malore të Shqipërisë për t’u trafikuar në tregjet e Europës”, - thotë dokumenti. Sipas tij, “në përgjigje të presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar, qeveria e Shqipërisë në mënyrë agresive është konfrontuar me elemente kriminale, por vazhdon të ketë mangësi për shkak të burimeve, ekspertizës dhe korrupsioni endemik”.
Droga në kanale tokësore
Raporti thotë se “portet e Shqipërisë në Adriatik dhe kufijtë e brishtë tokësorë e bëjnë atë një ndalesë tërheqëse për linjat e kontrabandës për trafikantët, për të transportuar ngarkesat në Europën Perëndimore, pjesërisht për shkak të masave antidrogë që janë ende nën nivel, me mbështetje financiare, si dhe mbikëqyrjes së keqe nga ana e zyrtarëve të korruptuar që merren me zbatimin e ligjit. Marijuana prodhohet brenda vendit për tregjet në Europë, kryesisht për Italinë dhe Greqinë. Ndonëse shumica e drogave historikisht janë trafikuar përtej detit Adriatik, kohët e fundit qeveria shqiptare ka nxitur politika më agresive në brigjet e saj, duke i detyruar trafikantët që të përdorin kufijtë tokësorë me Kosovën dhe Malin e Zi, për të vazhduar tranzit brenda në Serbi dhe Bosnjë. Njëra prej nismave është Moratoriumi antiskaf, i cili nxori jashtë ligjit disa lloje mjetesh lundruese për të qarkulluar në ujërat territoriale në bregdetin e Shqipërisë. Ministria e Brendshme urdhëroi vazhdimin e tij edhe pse përfundoi afati në fillim të vitit 2009. Lënia në fuqi e tij ka ngadalësuar lëvizjen e drogës dhe trafikimin e personave nga anije të vogla, veçanërisht drejt Italisë. Raporti i qeverisë amerikane konstaton se në janar 2009, Lockheed Martin ka përfunduar instalimin e një sistemi survejimi me shtatë radarë, i cili u siguron ministrive të mbrojtjes dhe atyre të brendshme një pamje të plotë dhe në kohë reale të të gjithë kufirit detar. Në vitin 2009, Roja Bregdetare Shqiptare mori një anije patrullimi nga Holanda dhe do të marrë edhe katër të tjera me qëllim luftimin e kontrabandës në brigjet e Shqipërisë. “Si rezultat i këtyre masave, rruga e preferuar nga trafikantët tani duket të jetë përmes Serbisë dhe Bosnjës, dhe më pas për në Itali”, - thuhet në këtë dokument.
Përpjekjet për zbatimin e ligjit
Policia e Shtetit vazhdon të kapë gjithnjë e më shumë heroinë vit pas viti. Të dhënat nga Italia vazhdojnë të tregojnë se sasia e heroinës afgane e kapur në Itali, që kalon direkt nga Shqipëria, mbetet minimal. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, raporti i narkotikëve konstaton se Policia e Shtetit, në 9 muajt e parë të vitit 2009 ka kapur 73,95 kilogram heroinë, në krahasim me 59 kilogramë që janë kapur në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Që nga janari 2009, Policia e Shtetit ka arrestuar 320 persona për trafikimin e drogës dhe ka shpallur në kërkim 24 të tjerë. Policia e Shtetit ka sekuestruar 2030 kilogramë marijuanë dhe ka shkatërruar 123 681 bimë marijuanë. Kjo është pak më e ulët se viti 2008, por kjo mund t'i atribuohet përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë dhe zhvendosjes së rajoneve që kultivuesit mund të përdorin për t’iu shmangur zbulimit nga policia. Policia e Shtetit gjithashtu ka konfiskuar 3,85 kilogramë kokainë dhe ka të arrestuar në cilësinë e të dyshuarve 27 persona, ku shumica rezultojnë të jenë shpërndarës dhe jo trafikantë.
Korrupsioni dhe pasojat e tij
“Korrupsioni mbetet një fenomen i ngulitur thellë në Shqipëri”, - konstaton DASH, dhe kjo lidhet me pagat e ulëta, gjendjen sociale, ryshfetin dhe rrjetet e forta të lidhjeve shoqërore, të cilat e bëjnë të vështirë luftën antikorrupsion nga radhët e policisë, gjykatësve dhe zyrtarët e doganave. “Në vitin 2008 dhe në gjysmën e parë të vitit 2009, Policia dhe Gjyqësori kanë qenë më aktivë në hetimin e zyrtarëve të qeverisë dhe të zbatimit të ligjit për korrupsionin”, - thuhet në raportin vjetor të qeverisë së SHBA-ve. Por, sipas tij, “edhe pse në statistika ka një përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet e mëparshme, Shqipëria vazhdon të vuajë mungesën e pavarësisë së Gjyqësorit dhe, në shumë raste, nuk janë zgjedhur procedura transparente dhe të paanshme. “Zyrtarët e rangjeve të larta të qeverisë, duke përfshirë qeveritarë dhe anëtarë të Parlamentit, gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, gjë që pengon hetimet e korrupsionit”, - thotë raporti. Ndër elementet që vlerësohen është edhe krijimi i njësive të përbashkëta investiguese për luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, të cilat kanë sjellë ndikim të prekshëm në luftën kundër korrupsionit në kryeqytetin e Shqipërisë.
Kultivimi dhe prodhimi
Me përjashtim të Cannabisit, Shqipëria nuk është një prodhuese e rëndësishëm e drogave të paligjshme. Sipas autoriteteve të Njësisë Antidrogë të Ministrisë së Brendshme, aktualisht, Cannabisi është e vetmja drogë që kultivohet dhe prodhohet në Shqipëri dhe shitet në mënyrë rajonale. Kultivimi i marijuanës është paksa në rënie për shkak të punës së Policisë së Shtetit dhe prodhimi i bimës narkotike mbetet e parëndësishme. Policia ka konfiskuar 4,5 kilogramë bimë opium. Gjatë vitit 2009 nuk është zbuluar të ketë laboratorë për prodhimin e drogës sintetike dhe tregtia e drogës sintetike mbetet praktikisht inekzistente. Shqipëria nuk është prodhuese e sasive të konsiderueshme të kimikateve për përgatitjen e drogave. Por, sipas ekspertëve amerikanë, “Policia dhe zyrtarët e doganave nuk janë të trajnuar për të njohur lëndë të tilla kimike me përdorim të dyfishtë”.
Tranzitimi dhe kalimi i drogave
“Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si pikë tranziti për drogat dhe llojet e tjera”, - thotë raporti, sipas të cilit, “Shqipëria mbetet një vend tranzit i heroinës afgane dhe një vend burim për marijuanën, veçanërisht në Itali dhe Greqi”. “Shtetasit shqiptarë duket se kanë marrë një rol më të madh në financimin dhe shpërndarjen e heroinës jashtë Shqipërisë, sidomos në Ballkanin Verior dhe Europën Perëndimore, sidomos në Gjermani”, - thekson dokumenti i përvitshëm i DASH-it. Problem mbetet edhe vlerësimi i saktë i përdoruesve të drogës, të cilët, sipas autoriteteve shqiptare, llogariten në rreth 30 000 veta. Raporti thotë se Ministria e Shëndetësisë “nuk ka të dhëna të besueshme rreth përdorimit drogës për të mbështetur këto pretendime. Ndërgjegjësimit publik nga probleme të lidhura me abuzimin e drogës mbetet i ulët dhe ka vetëm një qendër toksikologjike në Spitalin Ushtarak, struktura e vetme në Shqipëri e pajisur për të trajtuar rastet e përdorimit të mbidozës, e cila përbëhet nga vetëm tre toksikologë klinikë. Shqipëria ka disa rregulla për shitjen e benzodiazepinës, e cila shitet në farmacitë lokale dhe abuzimet në familje nga këto medikamente besohet të jetë në rritje, megjithëse nuk ka të dhëna në dispozicion”, - konstaton ky raport.
Mbështetja e qeverisë amerikane
SHBA janë e përfshirë në programe sektoriale të asistencës ligjore në fushat e forcimit të ligjit dhe reformën ligjore përmes asistencës teknike, donacionet në pajisje dhe trajnime. “Një nga problemet në trajnim vazhdon të jetë polarizimi i thellë politik në të gjitha nivelet e qeverisjes, që rezulton me një mungesë të një shërbimi civil të fuqishëm dhe në këtë mënyrë shumë të trajnuar janë pjesë e reformave gjatë kohës së ndryshimeve politike”, - thotë raporti. Departamenti Amerikan i Shtetit i ka mbështetur këta sektorë përmes Departamentit Amerikan të Drejtësisë ICITAP dhe OPDAT, të cilat kanë vazhduar programet e tyre në Ministrinë e Brendshme, në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndër arritjet e vlerësuara është krijimi i njësive të përbashkëta investigative kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit për të përmirësuar investigimin dhe hetimin e krimeve financiare, veçanërisht pastrimin e parave dhe të korrupsionit. “Dëshira e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian dhe hyrja e saj në NATO në vitin 2009 vazhdojnë ta nxitin qeverinë shqiptare për të implementuar dhe zbatuar reformat, por natyra fraktuale e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile shqiptare kanë penguar përparimin”, - thotë dokumenti i publikuar dje.
2 Mars 2010