Akuzat për cenimin e zgjedhjeve dhe mashtrim, Donald Trump mbërrin në gjykatë

Ish-presidenti Donald Trump ka mbërritur në Gjykatën Uashingtonit për t’u përballur me akuzat federale të ngritura nga avokati i posaçëm, Jack Smith. Ai është paditur për tentativën për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës, duke nxitur edhe sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Trump pritet të deklarohet i pafajshëm dhe të lirohet në pritje të gjykimit. Ndaj tij rëndojnë edhe akuzat e komplotit për mashtrim të SHBA-së, për pengimin e procedurave zyrtare dhe për mohimin e të drejtës për të zgjedhur.
Ndërkaq, kryegjyqtari James Boasberg e ka kaluar një pjesë të kësaj dite historike duke u takuar dhe duke përshëndetur gazetarët dhe anëtarët e publikut në gjykatën federale “E. Barrett Prettyman”, përpara se të artikulojë akuzën ndaj ish-presidentit Donald Trump, transmeton CNN.
Boasberg mori rolin e gjyqtarit kryesor – një nga gjyqtarët më me ndikim në kryeqytetin e vendit – vetëm disa muaj më parë. Si gjyqtar që mbikëqyr jurinë e madhe, ai ka luajtur një rol kyç në vendosjen e çështjeve për hetim, i cili kulmoi me padinë penale kundër ish-presidentit.
/rtsh.al/