Konfiskimet nga Irani, ushtria amerikane mund të vendosë trupa të armatosura në anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit

Ushtria amerikane po shqyrton mundësinë e vendosjes së personelit të armatosur në anijet tregtare që udhëtojnë përmes ngushticës së Hormuzit.
“Ky është një veprim që synon të ndalojë Iranin të kapë ose të ngacmojë anijet civile”,- thanë pesë zyrtarë amerikanë për Associated Press të enjten.
Që nga viti 2019, Irani ka kapur një sërë anijesh në ngushticë, gryka e ngushtë të Gjirit Persik, si pjesë e përpjekjeve të tij për të bërë presion ndaj Perëndimit mbi negociatat në lidhje me marrëveshjen e tij të dështuar bërthamore me fuqitë botërore.
Vendosja e trupave amerikane në anije tregtare mund ta pengojë më tej Iranin nga kapja e anijeve, ose të përshkallëzojë më tej tensionet.
Lëvizja e parashikuar do të përfaqësonte gjithashtu edhe një angazhim të jashtëzakonshëm në Lindjen e Mesme nga forcat amerikane, ndërsa Pentagoni përpiqet të përqendrohet në Rusi dhe Kinë.
Amerika nuk e ndërmori këtë hap as gjatë të ashtuquajturës “Lufta e Tankerëve”, e cila kulmoi me përplasjen e Marinës së SHBA-së dhe Iranit që zhvilluan një betejë detare njëditore në 1988, e cila ishte më e madhja e Marinës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Zyrtarët ofruan pak detaje të planit, por ai vjen teksa mijëra marinsa dhe marinarë në anijet sulmuese amfibe USS Bataan dhe USS Carter Hall dhe një anije zbarkimi, janë rrugës për në Gjirin Persik.
Ata marinsa dhe marinarë mund të sigurojnë shtyllën kurrizore për çdo mision të armatosur roje në ngushticën, përmes së cilës kalon 20% e naftës së papërpunuar në botë.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nga AP në lidhje me propozimin e SHBA.
Pesë zyrtarë amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar propozimin, pranuan detajet e planit.
Zyrtarët theksuan se ende nuk ishte marrë asnjë vendim përfundimtar pasi diskutimet vazhdojnë midis zyrtarëve ushtarakë amerikanë dhe aleatëve të tyre arabë në Gjirin Persik.
Zyrtarët thanë se marinsat dhe marinarët do të siguronin vetëm ato anijë që do të kërkonin ndihmë.
Një zyrtar e përshkroi procesin si kompleks, duke thënë se çdo vendosje e mundshme do të kërkonte gjithashtu miratimin e vendit nën të cilin anija ka flamurin, si dhe vendit në të cilin pronari është i regjistruar.
Më herët të enjten, zëvendës adm. Brad Cooper, kreu i Flotës së 5-të të Marinës me bazë në Lindjen e Mesme, u takua me kreun e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
Blloku gjashtë-vendesh përfshin Bahreinin, Kuvajtin, Omanin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Apnews
/rtsh.al/