E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat për korrupsion forcojnë shpresën në Kosovë

Qytetarët e Kosovës shpresojnë se akuzat për korrupsion kundër kryetarit të Komunës, madan Muja dhe pesë zyrtarëve të tjerë të lartë të komunës sinjalizojnë ndryshime pozitive në sistemin gjyqësor të vendit.

"Qytetarët janë ngopur me abuzimet e pushtetit. Ne presim që drejtësia të bëjë punën e saj, dhe nëse provohen akuzat kundër Muja, shpresojmë të jepet dënimi i duhur. Ky nuk është rasti i parë që zyrtarë të lartë akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre në Prizren. Ne duam të shohim një fund të korrupsionit, një herë e përgjithmonë", tha për SETimes Dreni Gashi, një punëtor nga Prizreni.

"Rastet ku të pandehur janë krerët e institucioneve qendrore dhe lokale ndikojë mbi të dyja nivelet e qeverisjes ... Nëse ky dhe raste të tjera përfundojnë me dënime, dhe zyrtarët e lartë përfundojë duke i vuajtur këto dënime, besimi i publikut në sistemin e drejtësisë do të rritet në vend, dhe të gjithë do të inkurajohen të marrin pjesë në zgjidhjen e aktiviteteve të ndryshme të korrupsionit", tha Betim Musliu, drejtor i Institutit Ligjor të Kosovës.

Në fund të shkurtit, EULEX-i ngriti akuza për korrupsion në Gjykatën Themelore në Prizren kundër Mujës dhe pesë zyrtarëve të tjerë të bashkisë për dhënien e tokave publike për Qendrën arsimore Gulistan dhe pronave publike për Kolegjin Mehmet Akif.

"Rasti përfshin akuzat për përdorim të paligjshëm dhe përfitim nga toka që i përket Bashkisë së Prizrenit, si dhe veprime të tjera që kanë rezultuar në shkelje të të drejtave të rënda të një numri pretenduesish në ankimime civile", tha EULEX.

Pavarësisht akuzave, kryetari i komunës dhe zyrtarë të tjerë vazhdojnë të jenë ende në detyrë. Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it, tha se zyra e prokurorit nuk po vendos nëse Muja duhet të qëndrojë në detyrë apo të largohet prej saj.

Zyra e prokurorit shtetëror të Kosovës tha për SETimes se sipas legjislacionit aktual, kur ngrihen akuza, zyrtarët mund të vazhdojnë të mbajnë postet e tyre.

"Bazuar në nenin 56 të ligjit për vetëqeverisjen lokale, mandati i kryetarit të bashkisë përfundon, "në rast të një dënimi për një vepër penale me urdhër për burgim për gjashtë muaj ose më shumë", tha për SETimes Agron Maxhuni, drejtor për monitorimin juridik të bashkive në ministri.

Ymer Berisha, zëdhënës i Bashkisë së Prizrenit, tha se komuna nuk i ka marrë akuzat zyrtare nga gjykata.

Lëvizja opozitare Vetëvendosje vuri në dukje se ky është kryebashkiaku i katërt nga Partia Demokratike e Kosovës kundër të cilit janë ngritur akuza për krime të rënda.

"Ky nivel i krimit, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës ndodh jo vetëm në nivel bashkiak, por edhe në nivel qendror", tha Vetëvendosje në një deklaratë për shtyp, duke shtuar se "zhdukja e korrupsionit është një parakusht për zhvillimin politik, social dhe ekonomik të Kosovës".

Por qytetarët nuk duan që lufta kundër korrupsionit të njolloset nga politika.

"Drejtësia duhet të bëhet, por pa ... politikë", tha Ndue Paluca, një tregtar nga Prizreni.

Rita Rexhepi, 24 vjeçe, tha se ajo shpreson se akuzat e fundit të korrupsionit do të sjellin një ndryshim.

"Është e vështirë të bësh biznes administrativ, pa pasur nevojë të japësh ryshfet", tha ajo. "Unë shpresoj se do të vijë dita kur do të merren parasysh ankesat e qytetarëve". /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›