Regjistrimi i “Bashkohu” si parti politike, nxit reagime

Regjistrimi i Lëvizjes Islamike Bashkohu, si parti politike, ka zgjuar reagime, përfshirë këtu edhe Institucionin e Avokatit të Popullit, zyrtarët e të cilit e kanë cilësuar si jo të rregullt shndërrimin e kësaj lëvizje në parti politike.
Por, kjo gjë nuk i ka bezdisur anëtarët e partisë më të re me orientim fetar, të cilët thonë se ka qenë i pritur një reagim i tillë.
Ndërkohë, qytetarët kanë mendime të ndryshme për certifikimin e kësaj lëvizjeje islame.
Lëvizja Islame Bashkohu LISBA aplikoi më 1 shkurt të këtij viti në Komisionin Qendror Zgjedhor, që të regjistrohet si subjekt politik me të drejtë garimi në zgjedhje parlamentare, transmeton KTV.
Propozimi për certifikimin e partisë është miratuar me 2/3 e votave të nevojshme të anëtarëve të KQZ-së.
Lëvizja Bashkohu u bë e njohur kryesisht për organizimin e protestave në Prishtinë me kërkesën për ndërtimin e Xhamisë në Prishtinë, por edhe për kërkesat që të mbuluarave me shami t’u lejohet të shkojnë në shkollë. Kjo lëvizje ishte përfolur dhe kritikuar shumë edhe për pengimin që iu bë aktivitetit të revistës “Kosovo 2.0”. /Indeksonline/