E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria, gati kërkesën për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”

Komisioni i Jashtëm miraton me konsensus rezolutën

TIRANE - Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme miratoi të premten me konsensus projektrezolutën “Për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, të propozuar nga grupi parlamentar i PD-së, të mbështetur edhe nga opozita.
Projekt-rezoluta e miratuar, nxit qeverinë shqiptare që të paraqesë në fund të këtij muaji kërkesën për aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtar të BE-së. Në dokument thuhet se “Mirëpresim nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare, si dhe institucione të tjera të BE-së të marrin në konsideratë konsensusin dhe vendosmërinë që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë në lidhje me integrimin evropian”.
Në mbledhjen e djeshme anëtarët e Komisionit të Jashtëm vlerësuan projektrezolutën, si dhe propozuan disa ndryshime në përmbajtjen e saj. Kësisoj, deputeti republikan, Fatmir Mediu u shpreh se “miratimi i projekt-rezolutës sjell domosdoshmëri hapat që do të hidhen më pas”.
“Duke filluar nga detyrimet e qeverisë përballë Kuvendit, por dhe të deputetëve si përfaqësues të popullit. Duhet të ketë një lobing të nevojshëm për të bërë të njohur që ky aplikim të shoqërohet me ecurinë në rrugën e integrimit”, tha Mediu.
I pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, deputeti i PS-së, Namik Dokle propozoi që në rezolutë të shtohet paragrafi për “Për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si një angazhim që Kuvendi vë para qeverisë”.
Rezoluta “Për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, do t’i paraqitet për miratim parlamentit në seancën e së hënës, javën e ardhshme.
Ndërkaq, rezoluta në fjalë informon Bashkimin Evropian rreth angazhimeve, që Kuvendi i Shqipërisë do të ndërmarrë në vijim, për integrimin e vendit tonë në strukturat euro-atlantike.
Pas miratimit nga parlamenti, të rezolutës së anëtarësimit, pritet që kryeministri Berisha t’i dorëzojë në mënyrë zyrtare kërkesën për statusin e vendit kandidat në familjen evropiane, homologut të tij çek, vend i të cilit prej janarit drejton Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›