E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse po ndihemi gjithnjë e më të vetmuar?



Gëzim TUSHI

Para ca ditësh, një grup studentësh të shkencave sociale, nuk e di se pse, në mënyrë eksplicite, donin gjykimin tim për raportet e reja të modernitetit me vetminë dhe prirjen e njeriut për të qënë sa më i vetmjaftueshën dhe i izoluar nga raportet e zgjeruara sociale. Pyetja në thelb ishte: Sa është pozitive kjo tendencë sociale dhe ku do ta çojë natyrën e njeriut kjo prirje e modernitetit? Padyshim, një shqetësim social që nuk e kanë vetëm studentët që kanë kërshëri intelektuale dhe dëshira që lidhen me profesionin e tyre, por edhe të gjithë njerëzit e tjerë, sepse në shoqërinë tonë, tashmë është bërë fenomen i dukshëm dhe i vlerësueshëm sindroma e vetmisë sociale dhe prirja që njeriut që ka filluar ta ndjejë veten më mirë kur është i shkëputur nga të tjerët dhe, sa më i pavarur nga determinimi mekanik i marrëdhënieve sociale. Kjo tendencë universal është bërë tipike tek njeriu i sotëm që priret në mënyrë të natyrshme për t’u izoluar brenda vetes. Një fenomen social dhe individual tipik i modernitetit.
Në të vërtetë, duke e parë këtë dukuri në ontologjinë dhe fenomenologjinë e shfaqjes në shoqërinë tonë, me siguri që sociologjikisht duhet të bëjmë vlerësimin që është analog me realitetin dhe pranë të vërtetës sociale të përgjithshme se edhe tek në raporti i njeriut me vetminë, është produkt kontradiktor i relacioneve të reja sociale që ai vendos me shoqërinë e re, me “veten” e ndryshuar, dhe me të tjerët e pangjashëm. Kjo dukuri sociale që përgjithësisht ka qënë e panjohur në shoqërinë tradicionale dhe jetën e njeriut tonë të në kaluarën, tashmë duket ka filluar të bëhet tendencë sociale. Madje, është prirje që tenton të fitojë gjithnjë e më shumë terren social dhe të bëhet tipar masiv që ka përfshirë njerëz të ndryshëm, që janë të lidhur me tendencën e “vetmisë” për shkaqe dhe arsye të ndryshme. Natyrisht, shoqëria shqiptare dhe njerëzit tanë në mënyrë të natyrshme dhe të domosdoshme kanë filluar të “përshtaten” me imperativat e kohës, tekat sociale të jetës dhe oshilacionet e modernitetit. Kjo tendencë luksi dhe moderniteti është e lidhur me faktin që koha moderne ka sjellë më shumë mundësi dhe shanse dhe e ka bërë jetën e njeriut dikotomike, brenda vetes, dhe në raport me të tjerët, ngaqë është më i garantuar në kuptimin material, por, njëherësh edhe më të “vetmuar” në kuptimin e gjendjes shpirtërore dhe tendencës frenetike të kufizimit në maksimumin e lejuar të lidhjeve sociale. Kjo sepse e tërë shoqëria jonë tashmë është duke inkluduar të plotë formatin liberal dhe natyrën individualiste si tipare esenciale të jetës moderne, në të cilën njerëzit kanë prirje të dukshme të reduktimit të qëndrimeve shoqërore dhe të pakësimit të nivelit të marrëdhënieve sociale me të “tjerët”. Ne, mbase sot nuk jemi në gjendje të bëjmë “inventarin social”, apo numërimin statistikor të sasisë, intensitetit të kësaj ndjenje, apo të vlerësojmë se deri në çfarë përmase ajo është reale si produkt. Akoma më shumë e vështirë është që të bëjmë vlerësim adekuat sociologjik se deri në çfarë dimensioni vetmia shfaqet si patologji sociale. Akoma nuk kemi tentativa për ta studiuar këtë dukuri sociale në mënyrë integrale dhe të llogariten pasojat sociale.
Megjithatë, edhe duke e parë empirikisht problemin, mund të themi se është i sigurt fakti se në shoqërinë tonë po ravijëzohet një tendencë sociale që është kontradiktore; që do të thotë se aq sa është normale dhe produkt i nayrshëm i kohës, po aq është dhe prirje individualisht eksentrike, e cila po ndikon që shumë njerëz në emër të modernitetit luftojnë që të bëjnë jetë sa më të vetmuar nga të tjerët, duke qëndruar sa më të pavarur që të jetë e mundur nga relacionet shoqërore. Në të vërtetë, duke vlerësuar ndryshimin e realitetit social dhe duke bërë krahasimet “lidhjeve” të shoqërisë së djeshme me “vetminë” dhe tendencat e sotme të shfaqjes së saj, apo duke e vlerësuar si realitet të dukshëm të jetës individuale, mund të kuptojmë se kjo prirje nuk është e “importuar” por është tendencë natyrale, është pasojë e veçoritë e reja të marrëdhënieve sociale të njerëzve midis tyre dhe me shoqërinë.
Pavarësisht nuancave të veçanta të realitetit tonë, prirja për “vetmi” mbetet megjithatë sfidë e madhe e kohës moderne, pavarësisht se te njerëz dhe shtresa të caktuara kjo ndjenjë është kthyer në patologji, duke u shfaqur si përpjekje e sforcuar për të ndërtuar me parametra modernë lidhjen me të tjerët dhe komunikimit social me shoqërinë. Thelbi i asaj që duhet të diskutojmë kur analizojmë prirjen e njerëzve për “vetmi”, është fakti që çfarë mund të bëjmë edukativisht, por dhe me të gjithë mënyrat e tjera të ndikimit social, kulturor dhe mediatik, në mënyrë që raportet e njeriut me “veten” të “tjerët” dhe shoqërinë të mund të ekuilibrohen dhe të të bëjmë çdo gjë që duhet që të sigurojmë ekzistencën e atij terreni social, në mënyrë që marrëdhëniet e njerëzve me njëri tjetrin në cdo rast të mbeten relacione qarta njerëzore.
Për pasojë, si qytetarë dhe si njerëz të kësaj shoqërie, duhet të jemi ca të shqetësuar që në shoqërinë tonë duket se ka shumë ndodhi, ngjarje, fakte që e kanë vështirësuar procesin e lidhjeve, marrëdhënieve dhe komunikimin social të njeriut së pari me “veten” dhe pastaj edhe me të tjerët. Moderniteti nuk ka pse cënon atë tipar interesant dhe me vlerë që ka patur shoqëria jonë, lidhur me trajtimit e “tjetrit” si “veten”, të vlerësimit të të njeriut “tjetër” si qënie e aftë me të cilin mund të merremi vesh dhe që të kemi marrëdhënie normale me ta si “qënie tjetër”, por njerëzore. Natyrisht, është e pranuar që koha moderne do ta sillte edhe tek ne tendencën e reduktimit të natyrshëm të nivelit të ekzagjeruar të marrëdhënieve njerëzore, dhe bashkë me të edhe disa procese që të vlerësuara me metrikën sociologjike tradicionale duket se në thelb janë tendenca të frikshme asociale. Në të vërtetë, të vlerësuar me dialektikën e sociologjisë modern dhe duke i parë gjërat në kontekste të zhvillimeve më të gjëra globale, duhet të themi se në një masë të caktuar, tendenca për vetmi dhe reduktimi të komunikabilitetit social, janë tregues të natyrshëm të modernizimit të jetës sonë. Ndaj nuk duhet të ekzagjerojmë nga ana tjetër faktin që koha i ka reduktuar ndjenjat e socialitetit, sociabilitetit dhe komunikabilitetit social në shoqërinë shqiptare.
Por, ndryshimet në jetën sociale kanë masën e tyre. Ato nuk bëhen nën presionin “imperialist” të ekzibicionit social apo të modës modern, sepse këtu është arsyeja sipas mendimit tim që sot, në jetën tonë, janë shtuar të këqijat sociale që vijnë nga thellimi i paarsyeshëm i prirjes së njerëzve për ndarje sociale dhe “vetmi individuale”. Kjo është arsyeja nga ana tjetër, që në shoqërinë tonë ka shumë acarime sociale dhe neurotizëm evident, të shoqëruar herë herë me sjellje brutale, vrasje, krime, acarime të tejskajshme, të cilat tregojnë se në shoqërinë modern nuk qënka dhe kaq e lehtë, madje po bëhet e vështirë mundësia që të kesh marrëdhënie normale njerëzore me të tjerët. Kjo ka bërë që të zgjerohet tendenca që shumë njerëz priren të “shkurtojnë marrëdhëniet” me njerëzit e tjerë, duke reduktuar lidhjet sociale. Pikërisht, për këto arsye, dhe në mënyrë paradoksale në shoqërinë tonë, ka filluar të ngjallet frika sociale nga nevoja për të pasur marrëdhënie me të “tjerët”. Nganjëherë, kjo situate ka “zbritur” edhe brenda familjes. Fakti që janë bërë të vështira marrëdhëniet e “vetes” me “unit” brenda njeriut dhe në të njëjtën kohë edhe me të “tjerët”, e kanë detyruar njeriun në shumë raste që në mënyrë të gabuar, të gjejë si si kompensim dhe zgjidhje, vlerësimin e rrugës së “vetminë personale” dhe të izolimit social nga jeta shoqërore.
Kjo do të thotë se fenomeni i “vetmisë”, shkëputjes, margjinalizimit, izolimit social të disa njerëzve, nuk është më thjesht një realitet hipotetik, por një dukuri sociale në zgjerim. Pavarësisht prirjes së jetës sociale për “izolim” dhe natyrës së njeriut për më shume “vetmi”, në thelb, duke e vlerësuar si produkt social të deformuar të modernitetit që tenton të shkojë përtej limiteve njerëzore, nuk mund të themi se kjo tendencë është tërësisht pozitive dhe as të vlerësohet në mënyrë të njëanshme si moderne. Sepse koha ka treguar se asnjë gjë nuk vlen, asgjë nuk është e bukur në jetën sociale, në se njeriu e kërkon atë vetëm në “vetminë” dhe “izolimin social”. Duke dashur që këtë argument ta kem sa më të bazuar, mendoj se ka absolutisht të drejtë filozofi, eseisti, romancieri dhe publicisti spanjol Fernando Sevaster, i cili shkruan se “Jeta njerëzore është e mirë midis qënieve njerëzore, përndryshe jetë mund të jetë, por nuk do të jetë as e mirë, as njerëzore”. ( F Sebastian, “Bisedë me tim bir”, faqe 64)
Padyshim që, sociologjikisht, duhet të jemi realistë duke e vlerësuar me sens mase çështjen e “vetmisë” në një dimension më të gjerë social, sepse tashmë është e vërtetuar tashmë se “vetmia” në jetën e shoqërisë moderne, nuk është një fenomen individual dhe rastësor. Koha po e bën tendencën për “vetmi” esencë të qëndrueshme të stilit të jetës moderne, mënyrë të jetuari dhe koncept të ndeshur dëndur të mënyrës së të jetuarit modern. Kjo do të thotë se “vetmia” si e tillë duhet pranuar si e vërtetë sociale që jo vetëm ekziston, por ka shumë mundësi që në të ardhmen të thellohet si tendencë në shoqërinë tonë (rrezik të bëhet prirje sunduese në të ardhmen). Siç thotë sociologu francez, Dominique Wolton, “Rreziku i vetmisë është çmimi që duhet paguar për lirinë e qënies dhe të lidhjes”. D Wolton, “Të shpëtojmë komunikimin”, faqe 26)
Por, nga ana tjetër, në vështrimin e manierave dhe mënyrave të jetës në shoqërinë tonë, duket se ka një konfondim të koncepteve të njerëzve. Po shtohen realisht njerëzit që duke jetuar në liri e ndjejnë veten më të sigurt duke jetuar në “vetmi”, duke qënë sa më pak të lidhur me shoqërinë. Ka të tjerë që në mënyrë fataliste mendojnë se jeta nuk është në dorën e shoqërisë dhe të njeriut, por në “rastësitë” dhe “fatin individual”. Padyshim mbivlerësimi i situatës së lirisë, është një nga shkaqet që i bën njerëzit të vetmuar, që i bën ata të jetojnë jashtë shoqërisë dhe në situatë izolimi dhe të ekskomunikuar me të tjerët. Ky është një iluzion i deformuar i realitetit, që ka si pasojë të dukshme të vërtetën që është e pranuar edhe në kohën tonë sipas të cilës, në asnjë rast nuk është e mundur që njeriu i vetmuar të jetë “zot” i mjaftueshëm i jetës së tij. Në këtë kontekst, asgjë nuk ka ndryshuar nga ajo që ka parashikuar Fromi gjysëm shekulli më parë, sipas të cilit “…askush nuk dëshiron të mbetet i vetëm,…njerëzit i zë paniku vetëm nga mendimi se do të mbeten vetëm, qoftë edhe për një kohë të shkurtër”. (Eric Fromm, “Psikanaliza, seksi dhe karakteri” faqe 180).

19 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›