E Diel, 1 Nëntor 2026

“Akuzat, shpifje dhe mashtrime, do u qendroj vendimeve të mia, sa të kem besimin e mazhorancës”

08-09-2011 / Gazeta 55

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi hedh poshtë akuzat, i bën thirrje prokurorisë të nisë hetimet


Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, ka dorëzuar dje një kallëzim penal, kundrejt ndërtuesit dhe botuesit, Irfan Hysenbelliu, me akuzën, “shpifje për shkak të detyrës”, si dhe i është drejtuar gjykatës së Tiranës, për ta akuzuar atë, me akuzën “dëm jo pasuror kundrejt imazhit të ministrit”. Ministri Olldashi argumentoi dje këtë vendim, gjatë një konference për shtyp, duke thënë se “në datën 5 shtator, Inspektorati Kombëtar Urbanistik, ndërmori një kontroll rutinë, për të kontrolluar ligjshmërinë e ndërtimeve që po zhvilloheshin në territorin e komunës Dajt”. “Ndër konstatimet e këtij kontrolli rutinë të INUK, ishin disa ndërtime që kryheshin jashtë kushteve ligjore dhe për të cilat u ndoq procedura që ndiqet gjithnjë, pra u mbajt proces verbali përkatës në përputhje me ligjin e inspektimit që i përmbahet inspektorati”, u shpreh ministri Olldashi. Sipas tij, një ndër këto ndërtesa, ishte dhe një pallati i sapo nisur, brenda një territori që nuk figuron as në vijën e verdhë të bashkisë Tiranë, as në atë të komunës Dajt, por që ishte pozicionuar në një tokë bujqësore, për të cilën nuk ka një plan rregullues apo studim pjesor. Ky pallat i përket grupit “Egnatia”, që është 100 për qind në pronësi të Irfan Hysenbelliut. Ministri Olldashi shprehet se menjëherë në vijim të datës 5, kur INUK kreu detyrën e caktuar nga ligji, media në posedim të Hysenbelliut, ka nisur një fushat denigruese, shpifjeje kundër tij, të cilën ministri e konsideroi si një shantazh. Olldashi theksoi se, “kjo fushatë e shpifjeve, e cila më shumë i ngjan një shantazhi, nuk ka asnjë shans të funksionojë dhe nuk do të ndodhë asnjëherë që me deklarata të tilla denigruese të cenohet institucioni i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe institucioneve në varësi të tij”. “Do vazhdoj të kërkoj nga të gjitha hallkat e kësaj ministrie respektimin e ligjit, për sa kohë mazhoranca dhe kryeministri do vazhdojnë të më besojnë këtë detyrë. Do vazhdoj të respektoj rigorozisht ligjin, ashtu siç do bëj dhe me zhvillimet e sapo përmendura”, theksoi Olldashi, duke njoftuar vendimin për të bërë kallëzim penal. “Si fillim, i kam dërguar një letër Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, që të fillojë një hetim për gjithçka thuhet për mua. Së dyti kam dorëzuar kallëzim penal, kundrejt ndërtuesit  dhe botuesit Irfan Hysenbelliu për shpifje për shkak të detyrës dhe së treti i jam drejtuar gjykatës së Tiranës, për dëm jo pasuror kundrejt imazhit tim”, tha ndër të tjera ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›