E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Arvizu: “Duhen përpjekje mbarëkombëtare në luftën kundër korrupsionit”

08-09-2011 / Gazeta 55

Gjatë konferencës “Kundër korrupsionit - sektori i mbrojtjes dhe i sigurisë”, organizuar nga Qendra Evropiane “George Marshall”, kryeministri Berisha e cilëson luftën kundër korrupsionit si një sfidë të vështirë për çdo qeveri, por rinovon angazhimin për ta luftuar në çdo celulë. Ambasadori Arvizu kërkon një angazhim mbarëkombëtar për këtë aspiratë, duke kujtuar se askush nuk është mbi ligjin


Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se lufta kundër korrupsionit është një betejë e vështirë, por jo e pamundur. Sipas kryeministrit, para ligjit janë të gjithë të barabartë, por kur korrupsioni politizohet, neutralizimi i tij bëhet gjithnjë e më i vështirë. Deklaratat e kryeministrit u bënë në konferencën me titull “Kundër korrupsionit – sektori i mbrojtjes dhe i sigurisë”, të organizuar nga Qendra Evropiane George C. Marshall për Studime në fushën e Mbrojtjes. “Lufta kundër korrupsionin është një betejë e vështirë, por është një luftë e cila mund të fitohet, është një beteje që ia vlen të ndërmerren të gjitha reformat, është jetësore për suksesin e reformave në të gjitha fushat. Por, lufta ndaj korrupsionit bëhet shumë e vështirë nëse ajo politizohet. Përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit janë të vazhdueshme. Përpara ligjit të gjithë janë të barabartë, por kjo luftë ka një të keqe, politizimin. Lufta ndaj korrupsionit është më e vështira, kjo është një temë qendrore dhe permanente, sepse nuk ka reformë që mund të ketë sukses pa luftën kundër korrupsionit. Jam dakord me ambasadorin, është duel permanent, i përjetshëm midis zbatimit të ligjit dhe këtij fenomeni, dhe duhet luftuar. Qeveria ime po bën përpjekje shumë të mëdha për të luftuar. Duhet të marrim parasysh se antidoti më i rëndësishëm dhe më i mirë në këtë proces është transparenca dhe duhet vullnet që të bëhet transparencë”, u shpreh kryeministri. Sipas kryeministrit, bisedat dhe debatet sesi të luftojmë korrupsionin në sektorët e mbrojtjes dhe të sigurisë, i konsideroj të një rëndësie themelore. “Nuk ka luftë më të vështirë sesa lufta kundër korrupsionit, sepse jam plotësisht dakord me ju zoti Dayton, është një luftë me veten tënde dhe e vetmja mënyrë për ta luftuar, për të hedhur hapin e parë, është që të fillosh të luftosh me veten tënde. Njeriu në genet e tij, është lakmitar dhe kjo është e përjetshme. Duhet të bëjmë gjithçka që për ta mbrojtur atë që të mos bëhet i dobët. Prandaj lufta kundër korrupsionit është më e vështira, sepse pavarësisht sesa ke arritur, në rastin kur ke menduar se ke arritur diçka, rrezikon të dështosh në hapat  e tjerë. Kjo është një temë qendrore dhe permanente në të gjitha aktivitet e tua. Por ia vlen, sepse nuk ka reformë që mund të ketë sukses pa luftën kundër korrupsionit. Ka një ilaç që i bën reformat letra të vdekura në të gjitha fushat, dhe ky është korrupsioni, në çdo lloj fushe si në arsimimin, në mbrojtje në siguri”- tha ai. Kryeministri shtoi se mbështet qëndrimin e ambasadorit Arvizu, se ka një duel të qëndrueshëm midis këtij fenomeni dhe shtetit ligjor, nuk ka mënyrë tjetër më të mirë për ta luftuar atë sesa të respektosh shtetin ligjor. Kreu i ekzekutivit garantoi se Qeveria po bën përpjekje shumë të mëdha për të luftuar korrupsionin, duke e bazuar këtë në formula të thjeshta si “qeveri e vogël” dhe reforma të gjithanshme. “Ka disa parime bazë, të cilat padyshim janë të dobishme. Një qeveri e vogël, një ushtri e vogël, sa më të vogla të jenë këto aq më i vogël është kontakti me këtë fenomen. Duhet ta pranojmë që kjo është e dobishme. Duhet të mbajmë parasysh se në këtë aspekt, përmasa e saktë, është përmasa më e vogël e mundshme. Së dyti, nëse do të më pyesnit për eksperiencën tonë, unë e quaj thelbësore çdo reformë që sjell transparencë. Në këtë aspekt, antidoti më i mirë për korrupsionin është transparenca, dhe ajo nuk do të thotë të kesh burime të shumta, transparenca do të thotë të kesh vullnet për t’u bërë transparent. Para 4 vjetësh në kuadrin e Korporatës së Sfidave Mijëvjeçarit, qeveria amerikane i dha qeverisë sime fondin prag prej 15 milion dollarë amerikanë. Së bashku me  ekspert të USAID, ne filluam tre projekte: taksat elektronike, biznesin elektronik dhe prokurimet elektronike. Së bashku me miqtë tanë zgjodhëm këto projekte me qëllimin e vetëm për të luftuar korrupsionin. Regjistrimi i një biznesi në Shqipëri zgjaste 42 ditë dhe 4000 euro, dhe ndoshta edhe probleme të tjera. Prokurimet në pjesën më të madhe të tyre ishin një problem shumë i madh. Por falë këtyre projekteve, dhe një bashkëpunimi shumë të frytshëm, ne arritëm të krijonim qendrat ‘One Stop Shop’, ku bizneset mund të regjistroheshin për 30 minuta me 1 euro. Ky ishte një shembull. Falë këtij projekti ne u shndërruam në vendin e parë me prokurime 100 për qind elektronike. Por çfarë solli kjo? Kjo solli një garë, e cila më parë bazohej në pjesëmarrjen e 8600 kompani në 50.600 kompani. Nuk mund të them se korrupsioni u zhduk, jo, por padyshim gara u bë shumë më konkurruese, dhe transparenca u rrit në atë aspekt. Korrupsioni është real, një sëmundje e tmerrshme,  është një kancer social dhe ai mund të luftohet vetëm nëse lufton në mënyrë permanente kundër tij. Jam i lumtur që keni zgjedhur mbrojtjen dhe sigurinë si sektorë sepse në një farë mënyre ato janë të mbrojtur nga disa çështje specifike. Prandaj duhet të bëhen shumë përpjekje për ti sjellë sa më shumë në rrugën e drejtë, për shoqërinë. Për shumë vende është e vështirë por duhet që të krijojnë linja kryesore që janë: të adaptojnë praktika dhe standardet më të mira; të fusim sa me shumë që mundemi transparencën në vendimmarrje; të jemi sa më shumë transparent në veprimet tona,të nënkontraktojmë në mënyrën më transparente etj. Unë e përshëndes sektorin tonë të mbrojtjes për progresin që kanë bërë por sigurisht kjo është një beteje dhe është e gjatë, është e përditshme dhe thelbësore, për të ardhmen, për suksesin”, tha Berisha. Ai theksoi se Shqipëria ka legjislacionin, por çështja mbetet te zbatimi i tij. “Ne legjislaturën e kemi të mirë, vendi ynë ka përmbushur shumicën e detyrimeve dhe të i rekomandimeve që vijnë nga Kombet e Bashkuara, nga konventat e anit korrupsionit, por implementimi i tyre është i rëndësishme dhe kjo është thelbësore. Jam dakord me Ambasadorin Arvizu, që nuk ka kusht dhe faktor më të rëndësishëm sesa barazia para ligjit. Në këtë vend vitin e kaluar u arrestuan 120 zyrtarë dhe kjo do të vazhdojë, por gjithsesi agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të punojnë në mënyrë jo diskriminuese. Në fund, duke u bazuar në eksperiencën tonë dhe konkretisht edhe në eksperiencën time personale. Unë kam qenë lider i opozitës dikur dhe zyra e Prokurorisë në atë kohë nuk funksiononte dhe mendova ‘Do të bëhem unë prokuror publik’, dhe mora një dosje dhe shkova shesh më shesh. U tregova njerëzve dokumente. Mendova se kjo është detyra ime. Së paku, mendova, se duhet të bëj detyrën time dhe thosha publikisht se ky person ishte përgjegjës për këtë ose atë. Ishte një lloj transparencë, që kam frikë se ndiqte një rrugë që nuk ishte aspak e dobishme, sepse më e keqja në luftën kundër korrupsionit është politizimi. Ne duhet të luftojmë së bashku, duhet të ndryshojmë gjërat së bashku, duhet të bëjmë më të mirë për të mënjanuar politizimin në luftën kundër korrupsionit. Në qoftë se nuk e mënjanoni atë ndihmoni korrupsionin, punoni kundër ligjit, ju e dobësoni ligjin”, solli në vëmendje Berisha. Konferenca u përshëndet edhe nga Drejtori i Qendrës Evropiane George C. Marshall zoti Keith Dayton dhe nga ambasadori i SHBA zoti Aleksandër Arvizu. Në këtë aktivitet merrnin pjesë 36 pjesëmarrës kryesisht nga vendet e rajonit  ballkanik, por edhe të ftuar nga vendet e tjera të Evropës dhe Shteteve te Bashkuara.


Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu: Askush nuk qëndron mbi ligjin


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi në konferencën “Kundër korrupsionit – sektori i mbrojtjes dhe i sigurisë”, që u mbajt në Tiranë se, për luftën kundër korrupsionit duhen përpjekje mbarëkombëtare. Arvizu kujtoi se edhe SHBA ka pasur dhe ka probleme në vazhdimësi të korrupsionit, por zbatimi i ligjit është unik dhe qytetarët i respektojnë këto ligje. “Për të luftuar korrupsionin duhen përpjekje mbarëkombëtare. Një nga gjërat që mund të them për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është se edhe ne kemi pasur dhe kemi probleme me korrupsionin. Nuk jemi imun ndaj korrupsionit, ai ndikon në shoqërinë tonë ashtu sikurse ndikon në shoqërinë e çdo vendi. Por e rëndësishme në SHBA është se, ne kemi ligje dhe qytetarët i respektojnë këto ligje. Dhe qytetarët e dinë se në qoftë se merren me korrupsion, ata rrezikojnë të kapen. Por në Shtetet e Bashkuara në qoftë se dikush kapet, do arrestohet, do t’i vihen prangat, do të gjobitet dhe burgoset. Në SHBA e dinë se mund të jesh një ushtar i thjeshtë në ushtri apo një gjeneral, mund të jesh zyrtar i lartë, madje dhe presidenti i vendit, por kurrkush nuk është mbi ligjin, të gjithë janë subjekt i ligjeve”, u shpreh Arvizu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›