E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Jemi partnerë me mediat

Nga Express më 04 maj 2011 në ora 16:22

Qeveria e Kosovës konsideron se në punën e saj ka transparencë maksimale, ndërsa mediat i vlerëson si partnere, konkurrente dhe korrektuese të veprimeve të Qeverisë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës garanton lirinë e fjalës, bazuar në atë që e garanton ligji dhe në këtë drejtim ai ka shtuar se duhet të merren hapa më pozitivë edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës, edhe nga institucionet tjera.

Ai ka bërë komentet pas mbledhjes së Qeverisë, një ditë pasi Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), në një raport të publikuar me rastin e 3 majit, Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, e cilësoi Qeverinë si institucionin që më së shumti e cenon lirinë e shtypit në Kosovë.

“Unë mendoj se Qeveria e ka transparencën maksimale të mundur. Asnjëherë transparenca dhe liria nuk janë kufizuar, do të thotë ka mundësi edhe më shumë. Ju e dini që mbledhjet tona mbahen të hapura, apo publike, po ashtu çdo vendim i yni publikohet në faqen e internetit, po ashtu e dini se keni qasje 24 orë tek secili prej nesh, por ka përgjigje që nuk janë në kompetencën tonë dhe unë do doja që të adresohen tek njerëzit kompetentë”, ka thënë Kuçi, transmeton KosovaPress.

Ai ka vlerësuar rolin e mediave, duke thënë se janë partnere, konkurrente dhe korrektuese të veprimeve të Qeverisë së Kosovës.

“Për Qeverinë e Kosovës mediat i kanë tri role: e para janë partnerë në mbrojtjen e interesit publik, e dyta janë konkurrentë, ne kemi ide t’i vëmë në opinionin publik dhe mediat i ballafaqojnë, nganjëherë i mbështesin nganjëherë i kundërshtojnë dhe e treta janë korrektues të veprimeve tona. Ne i ftojmë që të punojnë sa më shumë në korrektimin e çdo lëshimi që bëhet nga secili anëtar i Qeverisë”, ka thënë Kuçi.

Ai ka pranuar se Qeveria nuk është perfekte sa i përket raportit me mediat, por ka thënë se bëhen përpjekje maksimale për të qenë sa më transparente.

Sipas raportit të publikuar nga AGPK-ja, i hartuar në bazë të anketave të bëra me gazetarë, ka dalë se nga gjithsej njëqind e një gazetarë shtatëdhjetë prej tyre e kanë identifikuar Qeverinë si cenuese të lirisë së shprehjes. Në vend të dytë janë radhitur partitë politike, ndërsa vendin e tretë e ka zënë gjyqësori. Pas tyre kanë pasuar prokuroria, EULEX-i dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›