Qeveria miratoi disa projektligje

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar Projektligjin për Akcizën në Produktet e Duhanit, i cili ka për qëllim pagesën e veçantë të akcizës në produktet e duhanit që janë prodhuar, importuar dhe shitur në territorin doganor të Republikës së Kosovës. Ministri i Financave Bedri Hamza, tha se me këtë projektligj kemi rregulluar procedurën e blerjes dhe vendosjes së pullave fiskale dhe gjithashtu, kemi paraparë edhe masat e mbikëqyrjes doganore.
Qeveria ka miratuar po ashtu edhe Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-005 për Përdorim Civil të Eksplozivëve. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se ky projektligji adreson të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me procedurat, kushtet dhe kriteret e prodhimit, tregtimit, importit, eksportit, transitit, transferimit, deponimit, përdorimit dhe asgjësimit të eksplozivëve dhe fishekzjarrëve, si dhe rregullon format për ushtrimin e kësaj veprimtarie dhe dhënien dhe revokimin e licencave për personat juridikë.
Në mbledhjen e sotme është miratuar propozim-vendimi për emërimin e Mbikëqyrësit Kryesor dhe Mbikëqyrësve të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe shqyrtimi i Raportit Vjetor.
Qeveria ka miratuar Raportin Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2010, i cili në përgjithësi prezanton zhvillimet në fushën e auditimit të brendshëm në nivelin qendror dhe lokal gjatë vitit 2010. Këtu përfshihen aktivitetet e Njësia Qendrore për Harmonizimin e Auditimit të Brendshëm opinionin, rekomandimet për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik të Kosovës dhe shtjellohen zhvillimet në kapacitetin dhe aktivitetet e auditimit të brendshëm të qeverisë gjatë tre vjetëve të kaluara.
Me kërkesë të ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, qeveria ka miratuar vendimin për financimin me vlerë 10 mijë euro, të aktiviteteve të Xhejms Berishës në pjesë të ndryshme të botës, për njohje të Republikës së Kosovës.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka prezantuar një kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me ndarjen e një fondi shtesë për mbështetjen e punës së institucionit të prokurorisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që në vazhdën e mbështetjes së punës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të stimulojë punën e tyre duke ndarë një fond shtesë prej 130 mijë eurosh.
Duke folur rreth kësaj pike të rendit të ditës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se synimi ynë kryesor ka qenë dhe mbetet fuqizimi i qeverisjes së mirë, sundimi i ligjit, qeverisja transparente, efektive dhe efikase, lufta e pakompromis ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive negative. Dhe kjo, tha kryeministri Thaçi, mund të arrihet vetëm me mbështetje të plotë të institucioneve për organet e drejtësisë, gjithmonë, duke ruajtur pavarësinë e plotë të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar Qeveria e Republikës së Kosovës ka garantuar një sistem të hapur, transparent dhe të pavarur të drejtësisë, ligje të mira dhe ka shtuar se tani jemi në fazën e plotësimit të vendeve të lira për gjyqtarë dhe prokurorë. Po ashtu zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Kuçi, ka potencuar edhe pagat që i janë krijuar bartësve të institucioneve të pavarura të drejtësisë, paga këto të barabarta me kryeministrin, përkatësisht ministrat.
Kuçi në mbledhjen e sotme të qeverisë, ka ripërsëritur thirrjen për të gjithë qytetarët dhe posaçërisht bartësit e posteve publike të bashkëpunojnë me institucionet e gjyqësisë dhe të prokurorisë, dhe jo të pengojnë punën e tyre.
Në mbledhjen e sotme, qeveria ka marrë vendim që të vazhdojë mbështetjen për projektin e Bursës së Punësimit me një shumë prej 50 mijë eurosh.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi duke folur për reformën e zhvillimit ekonomik ka theksuar se një ndër prioritetet kryesore ka qenë dhe vazhdon të mbetet partneriteti me komunitetin e biznesit dhe krijimi i mundësive më të mira për hapjen e vendeve të reja të punës.
Në kuadër të këtij partneriteti është edhe sensibilizimi i këtyre angazhimeve për vende të reja të punës dhe lëvizjes së këtij angazhimi në qendra të ndryshme në Kosovë, duke respektuar të kaluarën e partneritetit tonë edhe me Odën Ekonomike të Kosovës, me Odën Ekonomike Amerikane dhe me Aleancën Kosovare të Biznesit.