E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, përfituesit e vetëm

Raporti i stabilitetit financiar të BQK`së paraqet masat e rrepta që kanë aplikuar bankat komerciale gjatë vitit 2010, vetëm e vetëm që ta rrisin profitin e tyre. Krejt kjo në kurriz të kamatave të larta, që shkojnë deri në 16 për qind, largimit të rreth 100 punëtorëve dhe uljes së kamatave në depozita. Nga Agon Sinanaj më 22 dhjetor 2010 në ora 08:07

Sektori bankar në Kosovë funksionon për mrekulli kur janë në pyetje masat e rrepta që ndërmarrin bankat komerciale. Veç kamatave të larta dhe tkurrjes së kredive, këtë vit bankat nuk i kanë kursyer as punëtorët. Janë larguar mbi 100 punëtorë nga bankat, në emër të reduktimit të shpenzimeve, që si rezultat kishte rritjen e profitit.
E kur shtohet edhe zvogëlimi i normave të interesit në depozita, të hyrat e sektorit bankar deri në qershor 2010, kanë arritur deri në 103.2 milionë euro, që tregon një rritje vjetore prej 1.2 për qind.

Sipas Raportit të stabilitetit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës, rritja e profitit të sektorit bankar, kryesisht është si rezultat i zvogëlimit të shpenzimeve të këtij sektori.
“Si pasojë, bankat u kushtëzuan të ndërmarrin masa për kufizimin e shpenzimeve, gjë që ndikoi në ngadalësimin e zgjerimit të infrastrukturës së këtij sektori”, thuhet në këtë raport.

Derisa reduktimi i shpenzimeve bankave iu siguroi profit, ishin punëtorët ata që e pësuan më se keqi. Bëhet fjalë për 100 punëtorë të larguar nga puna.

“Përderisa në qershor 2009, ishin të punësuar gjithsej 3,827 punëtorë, në qershor 2010 ky numër u zvogëlua në 3,727”, tregon raporti i BQK-së.

Nga ana tjetër, pavarësisht trendit rritës të depozitave të qytetarëve, edhe vitin 2010 është vërejtur ngurtësim i kredidhënies. Si arsye për këtë, raporti i BQK-së nxjerr zvogëlimin e të hyrave nga jashtë dhe implikimet e mundshme në rritjen ekonomike, duke krijuar pasiguri te sektori bankar mbi aftësinë paguese të kredimarrësve.

Kështu, në qershor të vitit 2010, kreditë e lëshuara arritën vlerën prej 1.4 miliardë eurosh, një rritje vjetore kjo prej 9.6 për qind krahasuar me rritjen prej 17.5 për qind në qershor 2009. Shtrëngimi i kredidhënies nga sektori bankar është ndier më shumë në kreditë për ndërmarrjet, të cilat u rritën me një ritëm shumë të ulët krahasuar me periudhat e mëparshme.

“Si rrjedhojë, pjesëmarrja e kredive për ndërmarrjet në gjithsej kreditë ka rënë në 70.9 për qind, kurse kreditë për ekonomitë familjare kanë rritur pjesëmarrjen e tyre në 29.1 për qind”, vlerëson raporti.

Megjithatë, përkundër mosbesimit të bankave ndaj qytetarëve të shprehur në dhënien e kredive, janë pikërisht qytetarët ata që kanë besim të palëkundur ndaj institucioneve financiare. Deri në qershor të këtij viti, vlera e depozitave ka arritur në 1.8 miliard euro, që përben një rritje vjetore prej 15.8 për qind. Rritja e depozitave të sektorit bankar, sipas raportit, është kryesisht rezultat i rritjes së depozitave të mbledhura nga ekonomitë familjare. Ndërkaq, vërehet një rënie e depozitave të ndërmarrjeve.

“Kjo, kryesisht i atribuohet rënies së depozitave të ndërmarrjeve publike, nga 270.4 milionë euro në qershor 2009 në 75.7 milionë euro në qershor 2010”, thuhet në raportin e BQK-së.

Nga ana tjetër, depozitat e ndërmarrjeve private në qershor 2010 arritën vlerën prej 230.5 milion euro, që paraqet një rritje vjetore prej 10.5 për qind.

Megjithatë, ky besim i bizneseve ndaj bankave nuk po iu shpërblehet këtyre të fundit, nëse shikohen kamatat në kredi të ndërmarrjeve. Në qershor 2010, norma mesatare e interesit për kreditë e ndërmarrjeve ishte 16.7 për qind, kurse për ekonomitë familjare 12.2 për qind. “Një prej arsyeve që mund të ketë ndikuar në qasje më konservative të bankave ndaj bizneseve, është ndjeshmëria më e lartë e bizneseve ndaj tronditjeve në ekonomi si dhe profili më i lartë i rrezikut te projektet që ndërmarrin bizneset”, thuhet në raport.

Ndërkaq, norma mesatare në kredi thuhet se ka ndjekur një trend stabil, duke qëndruar në nivelin prej 14.3 për qind në qershor 2010, krahasuar me 14.4 për qind sa ishte në qershor 2009.

Veç kësaj, bankat komerciale janë kujdesur që t’i ulin edhe normat e interesit në depozita, të cilat kanë shënuar një rënie krahasuar me përudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Norma mesatare e interesit në depozita në qershor 2010 ishte 4.0 për qind, krahasuar me 4.4 për qind në qershor 2009”, thotë raporti.

Sipas të njëjtit raport, zvogëlimi i normës së interesit në depozita mund të jetë rezultat i ngadalësimit të kredidhënies nga sektori bankar, gjë që ka ndikuar në zvogëlimin e kërkesës për depozita.

Kamatat mbesin të larta
Sipas raportit të fundit të BQK-së, norma mesatare në kredi ka ndjekur një trend stabil, duke qëndruar në nivelin prej 14.3 për qind në qershor 2010, krahasuar me 14.4 për qind sa ishte në qershor 2009. Norma mesatare e interesit për kreditë e ndërmarrjeve ishte 16.7 për qind, kurse për ekonomitë familjare 12.2 për qind.

Shifra:
Bankat komerciale në Kosovë kanë pasur fitim mbi 103 milionë euro vetëm për gjashtë muaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›