Akuzohen se shpërdoruan detyrën në të paktën 31 raste, dërgohen për gjykim kryeinspektori dhe dy inspektorë të IMT Divjakë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryeinspektorin dhe dy inspektorët e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Divjakë, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet zbuluan se në të paktën 31 raste të ndërtimeve të paligjshme, të dënuara me vendime të formës së prerë nga gjykata, inspektorët nuk ushtruan detyrën për kontrollin e territorit. Po ashtu, nuk u ndoq procedura ligjore për kundërvajtjet administrative, si vendosja e gjobës, prishja e objekteve dhe kallëzimi penal.
Nga mosvjelja e gjobave për periudhën 2021–2022, Prokuroria ka provuar një dëm ekonomik prej 11,170,000 lekësh në buxhetin e shtetit dhe të njësisë vendore.
Të pandehurit janë: R. L., kryeinspektor i IMT Divjakë, S. M., inspektor i IMT Divjakë dhe I. K., inspektor dhe ish-kryeinspektor i IMT Divjakë.
/rtsh.al/