E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë- Digjet makina e një efektivi policie, arrestohet autori dhe porositësi i zjarrvënies

Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Porosia”, duke zbardhur në kohë të shpejtë djegien e qëllimshme të një automjeti në pronësi të një punonjësi policie. Si pasojë e flakëve u dëmtua edhe një automjet tjetër që ndodhej pranë.

U vu në pranga shtetasi A. M., 39 vjeç, banues në Vlorë, person me precedent kriminal. Gjithashtu, hetimet dokumentuan edhe porositësin e ngjarjes, shtetasin L. H., 35 vjeç, i cili ndodhet aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”.

Ngjarja ka ndodhur më 14 prill 2026, kur automjeti “Ford C-Max” në pronësi të punonjësit të Policisë D. P. u përfshi nga flakët. Zjarri u përhap edhe tek një “Mercedes-Benz” në pronësi të shtetasit R. K.

Sipas hetimeve paraprake, motivi dyshohet të lidhet me një operacion policor të datës 2 prill 2026, ku forcat “Shqiponja”, mes tyre edhe efektivi D. P., kapën në flagrancë shtetasin L. H. pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Policia ka sekuestruar automjetin me të cilin lëvizte autori i dyshuar dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.

/rtsh.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›