E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al Kaeda 2.0

18-05-2011 / Nga Moises Naim (El Pais)

Si Osama bin Laden, ashtu edhe Al Kaeda e tij, i përkasin shekullit të shkuar. Al Kaeda e tanishme dhe kushdoqoftë pasuesi i Osamës, i përkasin kallëpit të shek.XXI: Al Kaeda, Versioni 2.0. Ky version i ri mbart aftësi e mangësi të spikatura dhe përballet me sfida strategjike krejt të ndryshme nga organizata që themeloi Osama bin Laden-i në vitin 1988. Sigurisht që ngjarjet e bujshme të sulmeve të vitit 2001 ndodhën në këtë shekull, e së fundmi Osama ka vdekur, por idetë e tij dhe rrethanat që përvijuan organizatën e tij i përkasin shek.XX. Në dhjetëvjeçarin e kaluar, qysh prej sulmeve të 11 shtatorit, ka ndryshuar shumëçka si në lidhje me organizatën e tij, ashtu edhe ne botë: mënyra e organizimit dhe veprimtarët kryesorë, origjina e anëtarëve dhe fondet e financimit, vendet e shënjestruara, taktikat, armiqtë dhe rivalët. Al Kaeda origjinale ishte një organizatë operative, që, edhe pse funksiononte përmes celulave të pavarura, ishte shumë e centralizuar: kundër kujt, si dhe kur duhej sulmuar, mbledhja dhe shpërndarja e parave, rekrutimi dhe përzgjedhja e udhëheqësve, ku vendimet më të rëndësishme i merrnin Osama, zëvendësi i tij Ayman al Zawahiri dhe një grup numërpakët vartësish. Ndryshe nga kjo, Al Kaeda e re është më tepër “frymë” sesa një organizatë që vepron duke zbatuar urdhrat e lëshuara nga një seli qendrore. Ndikimi dhe e ardhmja e saj tashmë gjejnë më tepër vend tek aftësia për të frymëzuar luftëtarë të rinj që tubohen, ushtrohen, planifikojnë e veprojnë në mënyrë të pavarur kundër shënjestrave që ata vetë i përzgjedhin, sesa në aftësinë si organizatë. Kjo nuk do të thotë që Al Kaeda e vjetër është shuar nga faqja e dheut. Osama bin Laden-i vazhdonte të planifikonte sulme terroriste që nga streha e tij në Abbottabad. Me gjasa, në ditët dhe muajt që do të pasojnë, Al Kaeda do të përpiqet të na e dëshmojë që vdekja fizike e Bin Ladenit nuk nënkupton edhe vdekjen e tij si institucion. Pak kohë më parë, policia gjermane kapi një emigrant me origjinë marokene, i cili, falë Al Kaedës, kishte marrë udhën drejt kufirit mes Pakistanit dhe Afganistanit për t’u ushtruar për përdorimin e lëndëve plasëse. Sigurisht që ka edhe raste të tjera. Por gjithsesi ky nuk është profili ideal i Al Kaedës, Versioni 2.0. Terroristi i saj ideal ka lindur e jeton në SHBA dhe Evropë dhe vepron për llogari të tij, pa pasur kurrfarë kontakti të drejtpërdrejtë me organizatën, deri sa mbërrihet në pikën që të vendosë një bombë - në emër të Al Kaedës - në vende plot me njerëz apo në ndonjë qytet të rëndësishëm në botë. Problemi me të cilin ndeshet Al Kaeda 2.0 për të rekrutuar këta veprimtarë rastësorë, lidhet me faktin se tani ajo po përballet me rivalë të rinj e të beftë: lëvizjet kundër diktaturave në botën arabe. Më parë, mesazhi që lëshonte Al Kaeda ishte i thjeshtë: “luftojmë kundër diktatorëve shtypës e profanë në vendet arabe, që i mbanë popujt në skamje, ndërkohë që për vete janë kamur me intrigat që kryejnë me të urryerën perandori amerikane, edhe më profane”. Për një të ri të papunë, pa të ardhme e pa mundësi të tjera për të kanalizuar energjitë e moshës, të acaruar e plot ëndrra për jetë më të mirë; thirrjes për lufte ishte e zorshme të mos ia vinte veshin. Sot, po ky i ri ka mundësi të qarkullojë lirisht e të luftojë jo më për të vrarë të pafajshmit e një vendi tjetër, por për të ndryshuar një mori gjërash në të mirë të jetës së tij. Shpërblimi i tij nuk lidhet aspak me fatin e të vetëvrarëve “heronj” të Al Kaedës. Al Kaeda ka edhe një tjetër problem: “Të ndreqë stampën e saj” në botën islame. Një organizatë që ka vrarë më shumë muslimanë sesa amerikanë e evropianë, duhet të japë shumë sqarime. Një tjetër situatë e pafavorshme për Al Kaedën është se ndërkohë që Al Kaeda e shek.XX përllogariste dhe entuziazmin dhe mbështetjen pa rezerva të disa vendeve arabe - Afganistani i talebanëve, për shembull - apo edhe financime nga ndonjë qeveri, të bësh sot aleancë të hapur me të është një pazar me shumë qeder. Gjendja e sikletshme e qeverisë pakistaneze për të shpjeguar vendstrehimin e Bin Ladenit apo kundërthëniet e udhëheqësve të Hamasit për shprehje të vlerësimit ndaj Al Kaedës, nxorën në pah radioaktivitetin politik që kishte arritur kjo organizatë. Në rastin e Hamasit, udhëheqësi i tyre Ismail Haniya, dënoi operacionin ndaj Bin Ladenit duke thënë se “dënonte cilindo që vriste një luftëtar mysliman”, pavarësisht se pak ditë më parë kishte urdhëruar një operacion të ngjashëm kundër një celule të Al Kaedës në Gaza, ku iu vranë dy anëtarë. Mpakja e mbështetjes qeveritare ndaj Al Kaedës nuk do të thotë se shtrirja e saj gjeografike është rrudhur. Nga Algjeria në Çeçeni dhe nga Somalia në Indonezi, dukuria e globalizmit ka vepruar në vijimësi edhe me celulat e Al Kaedës, ndonëse gjithnjë e më me pak mbështetje prej qeverive apo aleatëve të tyre brenda këtyre qeverive. Si përfundim: Al Kaeda 2.0 do të vijojë të përbëjë një kërcënim. Por, e gjymtuar, e shkërmoqur dhe e shterur në ide dhe udhëheqës që yshtin turmat.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›