E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al Kaeda, tetë vjet më vonë

Kur u flet sot për Osama bin Ladenin luftëtarëve të Hezbollahut, milicëve të Hamasit, nacionalistëve arabë, reagimi i tyre i parë, si zakonisht, është një tallje. Pas asaj talljeje të shpjegojnë se ata nuk janë mashtruar kurrë prej tij, që e kishin kuptuar menjëherë se Osama ishte një burrë i Mosadit, një vegël e CIA-s, i përdorur nga neokolonializmi perëndimor për të pushtuar Irakun, Afganistanin dhe tokat e Islamit. As popullariteti i Xhorxh Bushit nuk ra kaq poshtë sa ai që gëzonte sauditi në opinionet publike arabe. Në fund të vitit 2001, Osama u dukej njerëzve "Shpata e Re e Islamit", hakmarrësi, lideri që do të kishte udhëhequr kombin arab. Në imagjinatën tonë kishte rolin antik të pushtuesit mysliman. Dukej sikur kishte arritur të kish peshë si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Tetë vite më vonë, këto histori të pakuptimta vazhdojnë ende ta trazojnë horizontin tonë mendor. Gjithsesi, nuk janë vetëm sondazhet ato që konfirmojnë zhgënjimin arab për Bin Ladenin, i cili këtë vit u thellua edhe më shumë me sulmet në Gazë.

Të mundur në Gazë nga Hamasi, në "Wst Bank" nga Fatahu, në Liban nga Hezbollahu, në Irak nga vetë milicët në krah të së cilëve kishin luftuar amerikanët, anëtarët e Al Kaedës duhet të pranojnë se plani i tyre dështoi. Arabia nuk i do. As fundamentalistët më besnikë nuk besojnë më tek Osama bin Ladeni.

Megjithatë ekziston një tokë e premtuar, ku Al Kaeda duket se ka arritur të mbërthejë jo vetëm aleatë, por edhe një lëvizje në masë. Çuditërisht nuk është në Lindjen e Largët, ku që prej vitit 1998 Bin Ladeni ngrihet kundër hebrenjve dhe kryqtarëve. Nuk është as brenda kufijve të Kalifatit kjo mbretëri islamike që liderit e Al Kaedës ëndërrojnë të krijojnë. Toka e premtuar është në Azi, në Pakistan, në Afganistan: sot qendra e asaj përleshjeje të ndërlikuar, që ndonjëherë e quajmë edhe "luftë kundër terrorizmit".

Skenari i ri i Al Kaedës ndryshon nga ai i vjetri. Nuk ka kryqtarë, pushtues të tokave të shenjta të Profetit, por janë të pabesët ushtarët e NATO-s. Nuk ka hebrenj, por janë hinduistët, që ekstremistët lokalë i urrejnë me të njëjtën forcë që Bin Ladeni urren izraelitët.

Situata në zonën ku qëndron Al Kaeda është tepër kaotike, sepse pjesëtarët e saj mund të kultivojnë ëndrrat e tyre atomike. Afganistani është i pasigurt. Në Pakistan njerëzit e Al Kaedës janë vendosur në zonat fisnore, falë lidhjeve të tyre familjare dhe politike me talebanët lokalë. Grupit terrorist të Al Kaedës i janë bashkuar edhe disa banda islamike të Penxhabit, që në të kaluarën përdoreshin nga shërbimet sekrete pakistaneze në luftën e fshehtë në Kashmir. Rezultat i gjithë kësaj është, të paktën në fuqi, një lëvizje mase e devotshme ndaj xhihadit. "Sythet" e saj të para kanë filluar të çelin këtë vit në Suat, provincë pakistaneze, ku talebanët dhe aleatët e Al Kaedës kanë zbuluar se çfarë perspektivash ofron mbipresioni mes luftës së shenjtë dhe luftës së klasave. Vrasja ose dëbimi i pronarëve të tokave, si dhe kthimi i tokave fshatarëve-luftëtarë, u ka dhënë talebanëve konsensusin që më parë nuk e kishin, por ka zgjuar edhe shtresën e lartë shoqërore pakistaneze. Për herë të parë, kjo e fundit ka ngjallur te talebanët një kërcënim për interesat e tyre dhe e ka çuar ushtrinë në mposhtje. Edhe pse ushtarët kanë bërë disa gjëra të mira, ajo luftë pakistaneze duket sikur është në fillimet e saj.

Mes protagonistëve do të jenë të dërguarit e Al Kaedës. Ndikimi që këta të fundit kanë te shokët pakistanezë të luftës, është ngritur mbi një arsye të thjeshtë dhe universale: paratë. Ata menaxhojnë një sasi të vogël parash. Të ardhur kryesisht nga Europa dhe gadishulli arabik, ato para u sigurojnë disa biznesmenëve arabë "mbrojtjen" e terrorizmit (pse janë kaq të rralla sulmet në Emiratet e Bashkuara?), disave dashamirësinë e klerit radikal dhe gjithë të tjerëve sigurinë se një pjesë e mirë e njerëzve gjaknxehtë do të qëndrojnë në Afganistan dhe Pakistan, por larg gadishullit arabik. Gjithsesi, problemi më i madh i "luftës kundër terrorizmit" mbetet Osama bin Laden. Strofulla e fundit e sauditit është Tora Bora, mali afgan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›