E Diel, 1 Nëntor 2026

Bagdadi do ta presë si hero njeriun që sfidoi Presidentin Bush

Në Bagdad njerëzit janë të entuziazmuar: "Mezi po e presim lirimin e Muntazerit. Do të bëjmë një festë të madhe. Është idhulli i njerëzve, heroi i irakianëve". Dhe jo vetëm kaq. Nga Palestina në Marok, gazetari që në dhjetorin e shkuar goditi me këpucë Presidentin Xhorxh Bush gjatë konferencës së tij të fundit në Irak është kthyer në një hero në botën arabe, në një simbol për ata që jetojnë në Amerikë dhe "imazhi" i imperializmit. Në Turqi e kanë vendosur në lojërat për fëmijë, në Egjipt e kanë stampuar nëpër bluza. Drejtori i "Al Baghdadiya", televizioni privat për të cilin Muntazer punonte si reporter që prej 2005-ës ka një listë të gjatë për të treguar: "Një irakian që jeton në Rabat ka marrë në telefon dhe është treguar i gatshëm për t‘i ofruar vajzën e tij për grua. Një saudit ishte gati të paguante 10 milionë dollarë për këpucët e tij. Një maroken i ka ofruar një kalë me shalë të artë. Nga Palestina kanë telefonuar shumë gra që donin të martoheshin me Muntazer". Bush ka dalë nga skena dhe njeriu që goditi me këpucë Presidentin Bush, do të dalë nga burgu. Fillimisht gazetari irakian, për gjestin ndaj Presidentit amerikan u dënua me tre vjet burg, dënim që u reduktua në një vit, e në fund në dhjetë muaj. Por lind pyetja se çfarë do e presë kur të dalë? E përditshmja britanike "The Guardian" ka dërguar një korrespondent të sajin në Nablus, ku në dhjetorin e shkuar Ahmed Jouda shiti gjysmën e dhive të tij për të kontribuar në shpenzimet e procesit kundër "heroit të Bagdadit". Sot 75-vjeçari Jouda kërkon ta mbajë premtimin: "Atëherë thashë se do i jepnim për grua një prej vajzave tona. Jemi njerëz të besës. Nëse dëshiron, është një grua palestineze e veshur me flori që po e pret". Në shenjë falënderimi, ceremonia e pritjes është menduar mirë. Të gjitha fiset irakiane, shiite dhe sunite do të dërgojnë delegacione për të festuar rikthimin e Muntazerit. Shumë njerëz në Bagdad kanë përgatitur banketin e falënderimit me mish qengji të pjekur nëpër rrugë. Nuk do të jetë një festë shtetërore, por një festë e popullit. Në janar qeveria urdhëroi heqjen e statujës për nder të tij, një këpucë rreth tri metra e lartë, e vendosur para jetimores së Tikritit, me qëllim për të kujtuar fjalët që gazetari i tha Bushit para se t‘i hidhte këpucët. Fjalë që irakianët i kanë mësuar përmendësh: "Kjo është përshëndetja jote e lamtumirës qen. Kjo është për vejushat dhe jetimët irakianë".

Të hënën do të dalë nga burgu, edhe pse mendonte se do të përfundonte më keq. "Ishte i sigurt se rojet e Bushit do ta kishin goditur në moment. Gjithmonë ka menduar se do të vdesë si martir ose nga amerikanët, ose nga Al Kaeda". Para se të futej në burg, jetonte me qira, ndërsa tani do të ketë dhuratë një shtëpi dhe një makinë nga televizioni ku punonte. Dhuratat e tjera do të vijnë. Për më tepër një ose shumë gra. Por, Muntazeri nuk dëshiron të jetë më gazetar. Ëndrra e tij është të hapë një jetimore në Bagdad.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›