E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leku vijon zhvlerësimin

Leku shqiptar humbi 0.3 për qind të vlerës dje, kundrejt euros në ditën e shtatë radhazi, zhvlerësim gradual që e ka dërguar sakaq në kuotën më të ulët që nga prilli i vitit 2004. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye mesatarisht në mesditën e djeshme me 133.64 lekë, 36 qindarka më shumë sesa ditën e mërkurë. Që nga fillimi i javës, leku ka humbur 0.8 për qind të vlerës së vet, ndërsa në krahasim me janarin e këtij viti, euro u kushton shqiptarëve plot 8.2 për qind më shumë.
Dita e djeshme u karakterizua nga lëvizje të forta në tregun e këmbimit valutor. Leku e nisi ditën në kuotën 134 lekë, për ta mbyllur rreth kuotës 133 lekë. Kambistët thonë se kërkesa për valutë mbetet shumë e lartë përkundrejt ofertës që mbetet skarco. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë vazhdimisht në treg për të shmangur zhvlerësime të menjëhershme dhe të forta të lekut. Zyrtarisht, BSH nuk ka ndonjë referencë se sa duhet të jetë kursi i këmbimit të lekut, por gjatë muajve prill e maj u bë e ditur se institucioni që e emeton lekun ndërhyri në mbrojtje të kuotës 129.7 lekë për euro. Gjatë javës së kaluar, kuota e rezistencës ishte 132.5 lekë, ndërsa këtë javë tendenca është edhe më negative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›