E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka e Anglisë mban të pandryshuar interesin bazë

Bordi drejtues i Bankës së Anglisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën e vet bazë të interesit në rekordin historik më të ulët të 0.5 për qind, për shkak të shenjave se ekonomia e këtij vendi po rigjallërohej me ritëm më të ngadaltë sesa pjesët e tjera të Europës.
Banka Qendrore la gjithashtu të paprekur programin e vet të blerjes së bondeve, pasi udhëheqësit e botës vendosën të mbajnë stimujt antikrizë edhe për disa kohë të tjera deri sa bota të tregojë shenja të qarta rigjallërimi.
"Britania e Madhe është ende shumë-shumë larg nga tërheqja e stimujve, tha Howard Archer, një ekonomist. Rigjallërimi do të jetë i ulët dhe do të rrezikohet nga kolapse të mëtejshme".
Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim parashikoi javën e kaluar se ekonomia e Britanisë do të ulet me 4.7 për qind këtë vit, shifër kjo më e lartë sesa parashikimi i mëparshëm. Sipas OECD, Britania do të jetë vendi që do të vuajë më shumë nga kriza mes botës së zhvilluar. Britania përballet edhe me një deficit buxhetor prej 175 miliardë paundësh këtë vit, ose 12.5 për qind të PBB-së, më i larti që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›