E Shtunë, 31 Tetor 2026

Al-Kharafi. Së shpejti në Kuvajt do të organizohet “Java e Shqipërisë”

Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kuvajt, u prit sot nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe u shpreh se ndihej shumë krenar që priste Kryeministrin e Shqipërisë. Ai u shpreh se marrëdhëniet mes Parlamenteve të të dy vendeve janë të shkëlqyera dhe për këtë ka dhënë një kontribut të madh grupi parlamentari i Miqësisë Shqipëri–Kuvajt. Më tej, Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi, vlerësoi progresin e madh që ka bërë Shqipëria në fushën ekonomike dhe stabilitetin ekonomik të Shqipërisë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se bashkëpunimi ekonomik dhe investimet kuvajtiane në Shqipëri janë shumë të rëndësishme. “Një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, mund të zhvillojë edhe Parlamenti, me anë të bashkëpunimit të ndërsjellët të grupeve parlamentare të Miqësisë”, u shpreh Kryeministri Shqipërisë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për Fondin Kuvajtian, i cili ka financuar me qindra projekte në Shqipëri. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit e informoi Kryeministrin Berisha se së shpejti në Kuvajt do të organizohet “Java e Shqipërisë”, nismë kjo e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit. Kjo nismë ka për qëllim të njohë më nga afër investitorët kuvajtian me Shqipërinë dhe potencialet e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›