E Diel, 1 Nëntor 2026

Emiri i Kuvajtit: Stabiliteti ekonomik i Shqipërisë, bën që të jetë i favorshëm për investitorë

Në vijim të vizitës së tij në Kuvajt, Kryeministri Berisha u prit sot në takim nga Lartësia e Tij, Emiri i Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, në Seif Palace. Ai e falënderoi Emirin për mikpritjen, si dhe i shprehu nderin dhe kënaqësinë e tij për këtë takim. Kreu i Qeverisë e ftoi Emirin e Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah që të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me shumë kënaqësi nga Emiri i Kuvajtit. Ai u shpreh se në një kohë shumë të afërt do të kishte kënaqësinë që të vizitonte Shqipërinë. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të falënderuar qeverinë Kuvajtiane për mbështetjen dhe ndihmën financiare që i ka dhënë shqiptarëve, në Shqipëri dhe në Kosovë, me anë të shumë projekteve të ndryshme. “Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, , janë shkëlqyera, por do të punohet edhe më tej për zhvillimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike dhe në fusha të ndryshme me interes të përbashkët”, deklaroi kreu i ekzekutivit shqiptar. Kuvajti, sipas tij, është një nga vendet që e ka ndihmuar më shumë Shqipërinë në zhvillimin e saj ekonomik. Nga ana e tij, Emiri i Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah u shpreh se Shqipëria është një vend mik dhe investimet kuvajtiane në Shqipëri janë implementuar me shumë sukses. “Për këtë arsye, janë investime që Shqipëria i ka merituar plotësisht. Stabiliteti ekonomik i Shqipërisë dhe qëndrueshmëria e ekonomisë shqiptare, veçanërisht edhe në këtë periudhë të krizës botërore, bën që Shqipëria të jetë një vend mjaft i favorshëm për investitorët kuvajtiane”, u shprehu Emiri i Kuvajtit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›