Tanja Fajon: Forcat politike të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve vendore- nuk është koha të përsëriten precedentët e të kaluarës

Eurodeputetja e njohur, deklaron se shqiptarët e respektuan siç duhet liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian dhe se u treguan korrektë. Ajo apelon që zgjedhjet vendore të së dielës të përmbushin kriteret e OSBE/ODIHR, ndërsa thekson se partitë politike duhet të pranojnë rezultatin që do prodhojë ky proces elektoral. Sipas znj.Fajon nuk është koha që politika të eksperimentojë precedentët e pas zgjedhjeve të 2009-ës
Znj. Fajon, të dielën janë zgjedhjet lokale në Shqipëri që edhe pse të tilla do të shihen si zgjedhje të përgjithshme. A mendoni se numri i madh i vëzhguesve ndërkombëtarë do të ndihmojë që të ketë një vëzhgim të rreptë të tyre?
Zgjedhjet lokale në Shqipëri janë një test për pjekurinë politike të vendit. Është shumë e rëndësishme për të gjitha forcat politike në vend që të tregojnë se këto zgjedhje janë vërtet serioze, që të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. I gjithë Komuniteti Ndërkombëtar do të shohë dhe monitorojë këto zgjedhje dhe shpresoj që Shqipëria do të tregojë zotësinë e saj duke zhvilluar zgjedhje të lira dhe demokratike, pasi nuk është vetëm një test për pjekurinë politike por edhe për treguar, se vendi është i angazhuar që të ndjekë reformat e integrimit. Shqipëria ka hasur shumë probleme në të kaluarën dhe sinqerisht shqiptarët nuk e meritojnë këtë.
Ndërkohë nuk përjashtohet rasti që forca politike të duan të kontestojnë zgjedhjet pas zhvillimit të tyre. A është numri i më shumë se 5000 vëzhguesve një lloj garancie për të verifikuar se si do zhvillohen ato dhe çdo ndodhë vërtet gjatë zgjedhjeve?
Nuk dua të flas për skenarë negative pas zgjedhjeve. Unë pres që secila forcë politike të pranojë rezultatin, që rezultatet të jenë të ndershme dhe që Komuniteti Ndërkombëtar me të gjithë vëzhguesit, duke përfshirë këtu edhe Parlamentin Europian të jetë në gjendje që të thonë në fund të zgjedhjeve, se rezultatet janë këto dhe asnjë nuk do t’i cënojë ato. Është shumë e rëndësishme për pjekurinë politike të vendit.
Besoni, se do ketë një erë të re në Shqipëri pas zgjedhjeve?
Shpresoj, që do ketë një erë të re në Shqipëri, që Shqipëria të provojë që është një vend serioz dhe i besueshëm dhe të tregojë një fytyrë tjetër të saj. Fatkeqësisht, muajt e fundit, ne e kemi parë Shqipërinë që të bëjë hapa prapa në vend që të avancojë, ndaj shpresoj, që pas zgjedhjeve do të nisë sërish një periudhë pozitive dhe që Shqipëria të shënojë progres substancial në integrimin europian.
Së fundi, lidhur me liberalizimin e vizave afatshkurtra, meqë ju keni qenë raportuese për disa vende, mund të thoni tani se nuk jeni e zhgënjyer nga shqiptarët, duke qenë se ne nuk kemi parë vërshim të azilkërkuesve shqiptarë, pra, që ku vendim ishte i drejtë për qytetarët shqiptarë?
Jam e sigurt, se kisha të drejtë kur po luftoja për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë dhe së shpejti do të kem në duar edhe provat përkatëse, pasi deri tani nuk kemi lajm negativ për dëmtimin e heqjes së regjimit të vizave nga Shqipëria. Komisioni Europian do të hartojë raportin e saj në qershor dhe shpresoj, që Shqipëria të jetë ndoshta vendi që ka numrin më të vogël të azilkërkuesve. Ne po përballemi aktualisht me një shqetësim të azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia. Këto janë lajme shqetësuese për të gjithë rajonin , pasi po humbasim besimin për atë që luftuam, por siç e thashë më sipër, nga Shqipëria nuk kemi lajme negative, ndaj mund të them, se autoritetet shqiptare dhe qytetarët shqiptarë kanë provuar që ata mund të jenë të besueshëm dhe partnerë të mirë.