E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulm kundër koptëve të krishterë në Egjipt

Forcat egjiptiane të sigurisë kanë filluar sot aksionin për të kapur personat e armatosur, të cilët hapën zjarr në drejtim të një turme të besimtarëve në jug të Egjiptit, duke vrarë shtatë prej tyre, përderisa po largoheshin nga mesha e mesnatës, e cila u organizua me rastin e Kërshëndellave kopte.

Sulmi ndodhi në qytetin Nag Hamadi, në provincën Qena, rreth 64 kilometra nga Luksori. Ministria e Brendshme e Egjiptit theksoi se sulmi i cili ndodhi të mërkurën pak para mesnatës, me gjasë ka qenë hakmarrje për shkak të dhunimit të një femre myslimane në nëntor të vitit të kaluar, e cila u dhunua nga një mashkull i krishterë.

Në kumtesën e ministrisë u theksua se dëshmitarët okularë kanë identifikuar kryesuesin e sulmuesve.

Shefi për siguri në provincën Qena, Mahmoud Gohar, theksoi se pjesëtarët e sigurisë kanë identifikuar kryesuesin e sulmuesve, përndryshe një kriminel të njohur, për të cilin theksoi se ende nuk është arrestuar.

Gohar theksoi se në qytet dhe në fshatrat përreth janë shtuar masat e sigurisë dhe se janë vendosur në rajon, për shkak të ngritjes së tendosjeve në radhët e komunitetit të krishterë.

Ai theksoi se një turmë e krishterëve të hidhëruar ka shkatërruar dy automjete të policisë menjëherë pas sulmit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›