E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm: Temperaturat do të vazhdojnë të rriten

Disa muaj llogaritje të pandërprera falë fuqisë së dy supernjehsuesve. Një shekull i tërë me klimë jo normale: pesëdhjetë vitet që sapo kaluam dhe pesëdhjetë vitet që do të vijnë. Një model i detajuar në gjendje të projektojë në monitorin e kompjuterit se çfarë do të ndodhë me klimën mesdhetare në vitin 2050 e që konfirmon gjithë shqetësimet e shkencëtarëve të shprehura deri më sot mbi efektet e ngrohjes globale, me temperatura verore gjithmonë e më të larta, të cilat do të jenë më të shpeshta duke nisur nga viti 2020. Ky është rezultati i përpjekjeve të fundit të nxjerra nga një kërkim italian - në veçanti nga ENEA - që do të prezantohet në Kopenhagen me rastin e Kongresit të thirrur nga IPÇ, organizmi i krijuar nga OKB për të kuptuar dhe monitoruar ndryshimet e klimës. I cilësuar ndryshe si "Samiti i shkencës për politikën", është menduar që t‘i japë liderëve botërorë elementet më të fundit shkencore në prag të konferencës së dhjetorit, ku do të përpiqet të gjendet marrëveshja e vështirë për ta zgjatur protokollin e Kyotos përtej vitit 2012. Gjërat që shkenca ka për t‘i thënë politikës janë kryesisht dy. Së pari, situata është shumë herë më e rëndë sesa ajo që mendonim dy vjet më parë, mbi të gjitha, sepse edhe qarkullimi i rrymës së Golfstrimit, që mendonin se ishte nën kontroll, rrezikon të çmendet. Së dyti, të mos u japin të drejtë alarmeve të rreme të skeptikëve dhe mohuesve, që kanë ngritur zërin më fort se kurrë këto muajt e fundit pas një dimri me temperatura shumë të ndryshme dhe shumë më të ftohtë nga dimrat e viteve të fundit të karakterizuar nga butësia. Pikërisht këto ditë "Heartland Insitute", një organizëm joqeveritar që në të kaluarën financohej nga gjigantët e naftës si "Exxon Mobil", ka mbledhur në një takim në Nju Jork disa qindra menaxherë, politikanë dhe shkencëtarë të bindur se alarmi mbi ngrohjen globale është një mashtrim i madh. Argumenteve të tyre rreth 1600 studiues që do të marrin pjesë me punimet e tyre në samitin e IPÇ, do t‘u kundërvihen duke paraqitur risitë e fundit shkencore mbi atë që të gjithë dimë për ndryshimet klimatike. "Do jetë e vështirë të dëgjojmë ndonjë lajm të mirë", thotë Katherine Richardson, organizatore e kongresit dhe zëvendësrektore e Universitetit të Kopenhagenit. "Pjesa më madhe e studimeve që do të prezantohen këtu do të ndërtojnë një tablo të errët". Por më shumë se për të bindur skeptikët, ky samit duhet të shërbejë për të bindur liderët botërorë që të veprojnë shpejt dhe në mënyrë më të vendosur sesa kanë bërë deri tani. Shumë prej diskutimeve që do të bëhen aty do të bazohen në raportin e katërt të IPÇ-së. Jo se këto përfundime nuk ishin alarmante, por me aq sa tregojnë studimet e bëra kohët e fundit, nga viti 2005 deri më sot situata është shumë më e rëndë dhe nuk ka më kohë për të humbur. "Problemi më i madh kohët e fundit, është se u nënvlerësua shkrirja e shpejtë e akujve në Groenlandë dhe Antarktidë. Këto masa të mëdha uji të ëmbël që derdhen në det rrezikojnë të ndryshojnë qarkullimin termik, më parë sesa ne mendonim, duke devijuar rrymën e Golfstrimit, një element thelbësor në qëndrueshmërinë klimatike", tregon italiani Vinsente Atrale, anëtar i IPÇ-së. Ai do të jetë i pranishëm në kryeqytetin danez për të ilustruar rezultatet e dala nga monitorimi i një modeli të ri të sofistikuar të bërë nga ENEA falë bashkëpunimit me Qendrën Euromesdhetare për Ndryshimet Klimatike. Përmes dy superllogaritësve ishte e mundur të shihje atë çka mund të ndodhë me klimën që sot deri në 2050-n në pellgun e Mesdheut. Një studim i rëndësishëm për të programuar investimet në fushën e turizmit, agrikulturës dhe ndërtimeve.

"Duhet akoma ta perfeksionojmë dhe përmirësojmë modelin, sepse ato që do të prezantohen në Kopenhagen janë vetëm provat e para, por gjithsesi, kemi tregues të rëndësishëm. Mes skenarëve të parashikuar nga ICCP-ja kemi adaptuar atë të mesmin, A1B, me një rritje ekonomike botërore të qëndrueshme dhe një rritje demografike që do të arrijë pikun e saj në vitin 2050. Treguesi më i rëndësishëm është se gjendja do të jetë e qëndrueshme deri në 2020, pastaj do të jemi vetë dëshmitarë kur temperaturat e verës do të arrijnë vlera të papara ndonjëherë. Më pak alarmante është situata për sa u përket reshjeve që sipas këtyre simulimeve të fillimit nuk duhet të pësojnë reduktime shumë dramatike", shpjegon Atrale. Modeli arrin të shohë edhe ndërveprimin mes detit dhe atmosferës dhe të simulojë ndryshueshmërinë natyrore. Megjithatë, ai duhet të ndërveprojë me modelet globale, në gjendje që t‘i shpjegojnë se çfarë ndodh në kufijtë e tij. Ajo që merret me këtë është Qendra Euromesdhetare, që e ka ndihmuar ENEA-n në llogaritjet e saj. "Po ndërtojmë sistemin tonë global dhe shpresojmë të përfundojmë eksperimentet në qershor. Bëhet fjalë për një punë të gjatë dhe të lodhshme që kërkon shumë muaj kohë dhe prova të ndryshme për të evituar lëkundjet që mund të ndikojnë në saktësinë e rezultateve". Mbi rritjen e nivelit të deteve, një tjetër kërcënim i madh i ndryshimeve klimatike, modeli i ENEAS-s për momentin paraqet shumë pasiguri. "Gjithçka varet nga rrymat në ngushticën e Gjibraltarit, por ende kemi shumë gjëra për të kuptuar. Kjo është gjëja më befasuese e klimës: më shumë gjëra të dish për të aq më shumë ngelen për të mësuar. Mbi ngrohjen globale nuk është thënë fjala e fundit, por ajo që duhet të bëjmë është që të përshpejtojmë kërkimin drejt një ekonomie me emision zero. Ajër më i pastër, më pak luftëra për resurset energjetike më shumë barazi sociale: është një zgjidhje nga e cila do të fitojmë të gjithë".

Etapat

1997, Kyoto

Pas shumë ndërhyrjeve hyri në fuqi protokolli ndërkombëtar për të reduktuar///////////////// emisionit e gazit sere. SHBA-të nuk marrin pjesë

2007, Raporti i IV IPÇ

Organizmi shkencor i OKB-së publikon të dhënat e fundit mbi ngrohjen globale dhe rreziqet e saj

2009, Obama jeshil

Presidenti i ri ndryshon tërësisht linjë në krahasim me Bushin: "SHBA është gati për një marrëveshje ndërkombëtare".

2009, Kopenhagen

Në dhjetor, konferenca e OKB-së duhet të gjejë gjuhën e përbashkët për një "Kyoto 2" që shkon përtej vitit 2012 dhe përfshin edhe SHBA-në, Kinën dhe Indinë për të kufizuar sasinë e CO2 që duhet të emetojnë

Gjendja

Është më e rëndë sesa mendohej më 2007-n

(Raporti i IV i IPCC)

Klima sipas IPCC
1. Akujt e Groenlandës dhe Antarktidës po shkrijnë më shpejt sesa ishte parashikuar

2. Rreziku është që fluksi i ujërave të ëmbla të çrregullojë rrymat e Golfstrimit më shpejt sesa ishte menduar

3. Dimë akoma shumë pak se si ndërveprojnë retë dhe aerosolët

Mesdheu

Rrëfimi për ndryshimin e klimës në këtë zonë

Në Kopenhagen do të prezantohen rezultatet e para të bëra nga supermodeli italian i ndërtuar me njehsues të fuqishëm

Sistemi është në gjendje të bëjë llogaritje për ndryshimin e klimës në disa mikrozona specifike me sipërfaqe 30 km me 30 km

Deri në 2020, sistemi klimatik duhet të mbahet, pas këtij viti do të kemi një rritje të shfrenuar të temperaturave

Rritjet më të dukshme të temperaturave do të vihen re gjatë muajve të verës me rrezikun për valë të rrezikshme nxehtësie

Më pak i "rëndë‘ sesa parashikohej do të jetë procedimi i reshjeve që duhet të qëndrojë i pandryshueshëm

Çfarë thonë skeptikët

Në përgjigje të raportit të IPÇ

1. Modelet e përdorura për të monitoruar klimën nuk janë shumë të besueshme

2. IPPC nënvlerëson rolin e cikleve diellore për///////////// vlerësimin e ndryshimit të temperaturave në vitet e fundit

3. Nuk është provuar asnjëherë që një botë akoma më e nxehtë do të vinte në rrezik qeniet njerëzore dhe aktivitetin njerëzor

4. Të reduktosh emisionet e CO2 do të ishte shumë e kushtueshme në krahasim me avantazhet për t‘u treguar



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›