E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, opozita voton kundër

Saktësohen kriteret, shtohet rrethi i familjarëve përfitues

TIRANE - Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje projektligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë”, ndërsa deputetët e opozitës, anëtarë të këtij komisioni kanë votuar kundër ndryshimeve të projektligjit, për shkak të parashikimit në ligj të përfitimit të shpërblimit edhe të disa kategori personash që sipas deputetëve të PS-së, ishin bashkëpunëtorë me pushtuesit.
Drafti i paraqitur dje rikthehet në komision si propozim i Ministrisë së Drejtësisë, në mbështetje dhe plotësim të iniciativës ligjore të deputetit të PD-së, Astrit Bushati. Përfshirja në skemën e dëmshpërblimit të individëve që janë dënuar për krime lufte para çlirimit, ka ndezur zemërimin e socialistëve.
Projektligji parashikon dëmshpërblim për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30 nëntor 1944 - 1 tetor 1991.
Sipas projektit, dëmshpërblen personat që kanë vrarë bashkëkombësit e tyre për interesa të okupatorit. Deputetët e mazhorancës të cilët mbrojtën variantin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë me nismë të deputetit të PD-së Astrit Bushati, kanë sqaruar se këta persona janë pushkatuar pa gjyq.
“Ne jemi në favor të dëmshpërblimeve të ish të përndjekurve dhe të pasardhësve të tyre, nipërve apo mbesave. Në projekt përfshihet edhe dëmshpërblimi i kolaboracionistëve. Në Evropë janë pushkatuar edhe prostitutat që kanë shkuar me gjermanët. Tani është krejtësisht e palogjikshme që në 2009-ën në një parlament të Evropës të diskutohet për dëmshpërblimin e kolaboracionistëve. Ju lutem mos na provokoni. Për sa i përket të tjerave, votën tonë e kemi me të dyja duart, por të dëmshpërblejmë kolaboracionistët, mos na e kërkoni”, tha deputeti i PS-së, Pandeli Majko.
Relatori i draftit, deputeti Gjovalin Prenga, tha se, “paketa e ndryshimeve e propozuar nga dikasteri i drejtësisë synon të zgjidhë në mënyrë integrale problematikën e dalë nga zbatimi i ligjit dhe rivendosjen e së drejtës për kategori të përjashtuara nga përfitimi, sipas parimit të barazisë para ligjit.
Sipas relatorit, projekti i jep zgjidhje pamundësisë për t’u materializuar dëmshpërblimi  për ish-të dënuarit që nuk kanë lënë pasardhës në linjë të drejtpërdrejtë, duke e zgjeruar rrethin e përfituesve tek vëllezërit dhe motrat, si dhe fëmijët e tyre. Me këtë ndryshim krijohet mundësia e përfitimit edhe për familjarët e klerikëve.
Ndërsa drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferllari sqaroi se, “në këto vendime nuk përcaktohet koha e kryerjes së veprës penale, veprimet konkrete që ai i ka kryer, por janë thjesht veprime të vendosura në kuadrin e dogmave dhe të propagandës për të etiketuar një person si ‘armik i popullit’”. 
Me ndryshimet e miratuar nga Komisioni i Ligjeve, afati i paraqitjes së dokumentacionit në Ministrinë e Drejtësisë për të përfituar dëmshpërblimin, u shty deri në korrik të këtij viti. Kjo shtyrje, sipas Xhaferllarit nuk shtyn procesin e dëmshpërblimit.
“Shtyrja e afatit të paraqitjes së dokumenteve me 6 muaj, është pranuar dhe në bazë të tij janë parashikuar të gjitha veprimet e tjera dhe janë ndryshuar dispozitat që lidhen me këtë afat. Nuk shtyhet dhënia e dëmshpërblimit, por shtyhet procesi administrativ, pra procesi i rakordimit të veprimeve mes institucioneve përgjegjëse”, tha ajo.
Ndryshimet gjithashtu, realizojnë një saktësim të kritereve ligjore që ish-të dënuarit politikë dhe familjarët e tij duhet të plotësojnë për të përfituar dëmshpërblimin duke precizuar më mirë veprat penale politike referuar legjislacionit të kohës, si dhe duke njohur si provë të internimit çdo akt administrativ apo dokument zyrtar që e provon atë.
Projektligji, që pritet të votohet në seancën e së enjtes (12 mars), parashikon shtyrjen me 6-muaj të afatit të aplikimit të kërkesës, për t’iu mundësuar përfituesve paraqitjen e dokumentacionit përkatës sipas ligjit.      
Po ashtu, projekti zgjeron rrethin e përfituesve, si dhe përfshin në ligj viktimat e ekzekutuara pa gjyq, të dënuarit në kampe internimi të rrethuar me tela me gjemba dhe të afërmit e klerit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›