E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvati "zonjën BMW", zhigoloja dënohet me 6 vjet burg

Zhigoloja zviceran, Helg Sgarbi, burri i akuzuar për joshjen dhe më pas zhvatjen e grave të pasura, mes tyre Susanne Klatten, aksionisten më të madhe të shtëpisë automobilistike gjermane BMW, nuk bëri asnjë lutje kur gjykatësi i gjyqit të Munihut dha vendimin që e dënonte me 6 vjet heqje lirie.

Më shumë se një zhigolo, në këtë sallë gjyqi Sgarbi dukej si një biznesmen i vërtetë, i veshur me kostum gri të errët, këmishë të bardhë, kravatë blu dhe këpucë të zeza. Edhe pse gjashtë vitet në vazhdim do t‘i kalojë në burg, Sgarbi nuk dukej i mërzitur, madje herë-herë dhuronte edhe ndonjë buzëqeshje: fundja kur të dalë nga burgu, do të ketë mundësi të shijojë frytet e punës së tij. Bëhet fjalë për një shumë mbi 12 milionë euro, të cilat i ka fituar duke u dhuruar dashuri grave pasanike të gjysmës së Evropës; një thesar që nuk u gjend kurrë.

Kështu u mbyll edhe procesi i Helg Sgarbi, që zgjati më shumë se 4 orë. Pas listës së gjatë të akuzave që u hodhën mbi të, sidomos dëmet që i ka shkaktuar "Lady BMW-së" dhe zonjave të tjera, Helg, 44 vjeç, zyrtarisht këshilltar biznesesh, që zotëron tetë gjuhë të huaja, u ngrit nga karrigia e tij dhe para 200 gazetarëve e një publiku të madh (90 për qind ishin gra) rrëfeu: "Gabova! U kërkoj të falur zonjave. Më vjen keq vërtet për atë që ndodhi. U kërkoj të falur publikisht grave që janë fyer nga sjellja ime".

Në sallën e gjyqit mungonte viktima kryesore e kësaj intrige ndërkombëtare me bazë seksin dhe zhvatjen, 46-vjeçarja gjermane, Susanne Klatten, një prej grave më të pasura të botës. Ishte ajo që e denoncoi Sgarbi-n në fillim të vitit të kaluar. Një vendim i dhimbshëm, por i pashmangshëm, që erdhi pas një lidhjeje të gjatë sentimentale me zhigolonë. Susanne i kishte dhuruar Sgarbi-t 8 milionë dollarë. Më pas ky i fundit kishte tentuar ta zhvaste dhe në këmbim të heshtjes kërkonte një shumë të majme: 49 milionë dollarë, në të kundërt do të bënte publike skenat e nxehta të takimeve të tyre.

Duke qenë se situata ishte bërë e padurueshme, Susanne preferoi të tregonte "skandalin" e saj. Në takimin për dhënien e parave, në vend të Susanne, Sgarbi-n po e priste policia. I arrestuar në Austri më 14 janar të 2008-ës, zhigoloja zviceran ishte pjesëtar i një organizate të specializuar në zhvatjen dhe fundosjen e femrave të pasura, që sipas akuzave drejtohej nga italiani Ernano Barretta. Mekanizmi i mashtrimit dhe i zhvatjes ishte i thjeshtë: Sgarbi joshte zonjat e pasura, duke krijuar me to lidhje sentimentale, ndërkohë që Barreta filmonte marrëdhëniet intime. Më pas videot përdoreshin për t‘u bërë shantazh viktimave dhe për t‘i zhvatur ato.

Së bashku me Sgarbi-n, gjatë vitit 2008, përfunduan në burg bashkëshortja e Sgarbi-t, Francisca, dhe filmuesi i takimeve, Barreta, të cilët në një qytezë pranë Peskarës, kishin hapur një fermë elegante, e cila frekuentohej nga politikanë dhe prelatë të zonës. Të dy të dyshuarit, u kapën në Peskara dhe do të gjykohen pas dy javësh.

Pjesa më e madhe e thesarit, që është "fituar" nga e gjithë banda, nuk dihet se ku është fshehur. Kur gjykatësi i tha Sgarbi-t që t‘i kthente paratë dhe videot, me qëllim që të ulte dënimin, ai u përgjigj se nuk dinte gjë, as për paratë e as për videot e xhiruara gjatë takimeve të nxehta me klientet e tij.

Etapat

Lidhja

Në 2006-n Helg Sgarbi filloi një lidhje sentimentale me Susanne Klatten, "lady BMW", gruan e pestë më të pasur të botës

Paratë

Gjatë muajve në vazhdim, me një sërë pretekstesh, Klatten i dha Sgarbi-t 8 milionë euro

Kërcënimi

Në fund të 2007-s, Sgarbi tentoi ta zhvaste zonjën Klatten. Nëse ajo nuk do t‘i jepte 49 milionë euro, ai do të publikonte të gjitha videot e takimeve të nxehta

Arrestimi

Pas shantazhit, Klatten vendosi ta denonconte Sgarbi-n. Më 14 janar të 2008-s, ai shkoi për të marrë paratë në vendin e fiksuar, por atje gjeti atje policinë

Intervista

Helg Sgarbi flet menjëherë pas dënimit: E kam bërë gjithçka vetë, pa bashkëpunëtorë

"E dua gruan time, ajo është e vërtetë. Paratë e grave të tjera ishin vetëm dhurata"

Zoti Sgarbi, jeni dashuruar me ndonjërën prej grave që keni joshur dhe që ishin dashuruar me ju?

Bëhet fjalë për çështje shumë personale dhe nuk mund t‘ju përgjigjem, sidomos juve që jeni gazetar. Helg Sgarbi sapo është dënuar me 6 vjet heqje lirie, sepse i ka zhvatur para Susanne Klatten, "lady BMW"-së dhe miliardereve të tjera. Gjithsesi, nuk do të shprehë asnjë emocion.

Ju keni thënë se zonja Klatten "ju ledhatonte si një fëmijë" dhe ju quante "luftëtari im i ëmbël"...

E theksoj dhe një herë që janë çështje shumë personale. Ajo që mund të them është se unë nuk i kam zhvatur kurrë para zonjës Klatten. Është e vërtetë që kam dashur ta zhvat, por ato para (8 milionë euro) m‘i dhuroi ajo, nuk e detyrova. Pikërisht në atë periudhë marrëdhëniet tona ishin pakësuar: ishte ajo që më telefoni dy herë duke më kërkuar që të takoheshim përsëri dhe gjatë asaj kohe m‘i dha edhe paratë. Para të tjera nuk kam marrë. Veç të tjerash, zonja Klatten është një grua shumë e zgjuar dhe ka lidhje me shumë biznesmenë të botës.

Edhe gra të tjera ju kanë dhënë para. I keni pranuar?

Po, është e vërtetë që më kanë dhuruar para, por nuk i kam pranuar: ato vetë e kanë pohuar kur janë pyetur nga policia gjermane.

Çfarë do t‘i thoshit gruas që do të gjykohet së shpejti në Peskara, sepse akuzohet se është bashkëpunëtorja juaj dhe se ka fshehur të gjithë ato miliona euro që nuk janë gjetur ende?

Atë që dua t‘i them, do të mund t‘ia them kur të jemi vetëm. Francisca, është një grua e madhe. Është një grua e vërtetë.

Pse të tjerat shtireshin?

Jo, por femra si Francisca në botë ekzistojnë pak, janë shumë të rralla dhe unë e dua shumë, madje sot më shumë sesa dje.

Gruaja juaj do të gjykohet bashkë me ju dhe bashkëpunëtorin tuaj, që sipas akuzave filmonte fshehurazi takimet e tua të zjarrta me zonjën Klatten dhe zonjat e tjera...

Zoti Barreta është njeri për së mbari dhe i pafajshëm, ashtu si gruaja ime: ata nuk kanë lidhje me këtë histori, nuk kanë bërë asgjë të jashtëligjshme.

Por kur të dilni pas 6 vjetësh nga burgu, çfarë do të bëni?

Atë që do të bëj më pas, vetëm Zoti e di.

Detaje

Nuk kam zhvatur

Është e vërtetë, kam tentuar ta zhvat zonjën Klatten, por nuk e kam bërë kurrë

Kur të dal nga burgu

Nuk e kam idenë se çfarë do të bëj kur të dal nga burgu: një Zot e di

Personazhet

Majtas Susanne Klatten, trashëgimtare e BMW-së. Djathtas zhigoloja zviceran, Helg Sgarbi


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›