Siguria dhe reformat e qeverisë shqiptare zgjojnë interesin e udhëheqësve të Katarit
Emiri dhe Kryeministri i Katarit pranojnë ftesën e Kryeministrit Sali Berisha, për të vizituar Shqipërinë
“Dua t’ju përgëzoj personalisht, sepse jam në dijeni të angazhimit që keni ndërmarrë ju dhe qeveria që ju drejtoni për investimin e madh të buxhetit tuaj në infrastrukturë, pasi infrastruktura është baza më e mirë për çdo zhvillim tjetër”
TIRANE – Reformat e qeverisë shqiptare, në sektorin fiskal, legjislacion, por edhe siguria e ofruar, ka zgjuar interesimin e udhëheqësve më të lartë të Katarit. Interesimin e tyre, për të bashkëpunuar ekonomikisht me Shqipërinë, si edh për të investuar në vendin tonë, krerët e Katarit ia kanë shprehur drejtpërsëdrejti Kryeministrit Sali Berisha, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Katar.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri shqiptar Sali Berisha u prit dje në takim nga Lartësia e tij, Emiri i Katarit Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani.
Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, Emiri Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani u shpreh se e gëzonte fakti që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Katarit janë në një nivel shumë të mirë dhe theksoi se midis dy vendeve ka potenciale të mëdha që mund ta çojnë përpara bashkëpunimin dypalësh.
Kryeministri Berisha, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, tha se qeveria shqiptare dhe ai personalisht do të impenjohen për forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ndërkohë, po dje, Kryeministri Sali Berisha u prit edhe nga homologu i tij, Kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani.
Kryeministri i Katarit u shpreh se ishte shumë i lumtur që takohej me Kryeministrin e Shqipërisë Berisha dhe vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer. Vendet tona, tha ai, janë vende të vogla dhe mundësitë e bashkëpunimit janë të mëdha.
Kryeministri Berisha u shpreh se ishte një nder që takohej me Kryeministrin e Katarit, një vend me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera.
Pas takimit mes tyre, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani asistuan në nënshkrimin e Marrëveshjes dypalëshe për Bashkëpunimin Ekonomik, Tregtar dhe Teknik.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Financave Ridvan Bode dhe homologu i tij i Katarit.
Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte morën pjesë, gjithashtu, në drekën e shtruar nga Kryeministri i Katarit, gjatë së cilës biseda u përqendrua sërish mbi forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët dhe rrugët drejt këtij qëllimi.
Kryeministri i Shqipërisë takon Emirin e Katarit
Në takimin me Emirin e Katarit Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, Kryeministri shqiptar Sali Berisha u shpreh se Shqipëria, falë ekonomisë së tregut, reformave të ndërmarra, burimeve natyrore e humane të saj, ka njohur një zhvillim të madh vitet e fundit dhe qeveria po bën përpjekjet maksimale veçanërisht për të krijuar një klimë sa më të ngrohtë biznesi.
“Shqipëria, tha Kryeministri Berisha, është një vend po potenciale të mëdha, me një pozitë të admirueshme gjeografike dhe përballë një tregu shumë të madh përballë një tregu të madh si ai Evropian”.
Kryeministri Berisha shprehu interesin e Shqipërisë veçanërisht për investime në fushën e shfrytëzimit dhe përpunimit të gazit të lëngshëm. Në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se do të ishte tepër e vlefshme shkëmbimi i vizitave në nivel ministrash dhe të ekipeve të ekspertëve për të vlerësuar më mirë projektet në këtë fushë, duke marrë edhe mbështetjen e Emirit të Katarit.
Duke vënë në dukje potencialet e shumta veçanërisht në minerale, ku Shqipëria është vendi i tretë botë për burimet në krom, hekur nikel etj., shumë e pasur në burime ujore, me një bregdet prej 400 kilometra ende të pashfrytëzuar, si dhe me burime njerëzore, Kryeministri Berisha u shpreh se kompanitë e Katarit janë të mirëpritura të investojnë në Shqipëri dhe janë të favorizuara gjithashtu nga një sistem fiskal i përshtatshëm.
Një fushë tjetër me interes për investitorët nga Katari, u shpreh Kryeministri Berisha, do të ishte infrastruktura, që është edhe një prioritet i qeverisë shqiptare.
Emiri Al Thani u shpreh shumë i interesuar për mundësitë që ofron Shqipëria për afrimin e kompanive të mëdha të Katarit dhe se ai do të angazhohej personalisht në suksesin e këtyre kompanive. Ai u shpreh se komuniteti i biznesit kishte shprehur interes të veçantë për turizmin, duke qenë se 30 për qind e popullsisë së Katarit gjatë gjithë vitit e shfrytëzonte shumë atë. Në këtë aspekt, u shpreh ai, edhe turizmi shqiptar do të përbënte një fushë me shumë interes për ta. Sikundër theksoi se edhe shfrytëzimi i mineraleve dhe potencialeve të tjera që ofron Shqipëria, janë fusha me interes për komunitetin e biznesit të Katarit.
Emiri Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani iu përgjigj shumë pozitivisht ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë dhe u shpreh se në vijim të agjendës së tij do të shohë mundësinë të vizitojë këtë verë Shqipërinë për t’u njohur nga afër me bukuritë e potencialet e saj.
Kryeministri i Shqipërisë takon Kryeministrin e Katarit
Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Katar, Kryeministri Berisha u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Katarit
Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin e Katarit me ecurinë e reformave në vend si, vendosjen e barrës fiskale më të ulët në Evropë, vendosjen e sistemit të prokurimeve elektronike, taksat on-line, investimet e mëdha të qeverisë shqiptare në infrastrukturë duke përcaktuar 32 për qind të buxhetit të vitit të kaluar në këtë funksion. Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë sa më tërheqëse për investimet vendase e të huaja.
“Biznesmenët e Katarit, vijoi Kryeministri Berisha, janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri dhe kanë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, në mënyrë që investimi i tyre të jetë një histori suksesi. Unë do të jem i lumtur, nënvizoi Kryeministri, që të shoh kompanitë nga Katari të investojnë në vendin tim, për të zhvilluar potencialet e mëdha në fusha të ndryshme, si minerale, turizëm, pasuritë hidrike, në infrastrukturë, në fushën e ndërtimit, etj”.
Në takim, të dy personalitetet e larta diskutuan për dy aspekte shumë kryesore për sa i përket krijimit të një baze për investitorët; nënshkrimi i marrëveshjes për lehtësimin e regjimit të vizave dhe nënshkrimi i marrëveshjes për taksimin e dyfishtë. Ata ndanë të njëjtin mendim se këto dy marrëveshje i hapin rrugën investimeve të Katarit në Shqipëri.
Të dy homologët u ndalën veçanërisht në projektin e madh të rigazifikatorit dhe projekte të shfrytëzimit të gazit të lëngshëm dhe depozitave të gazit në Shqipëri. Në këtë aspekt, Kryeministri i Katarit tha se do të nxiste dhe organizonte takime konkrete për sa i përket këtij projekti madhor dhe projekteve të tjera të shfrytëzimit të gazit në Shqipëri.
Kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani vlerësoi arritjet e qeverisë së Kryeministrit Berisha.
“Dua t’ju përgëzoj personalisht, tha Kryeministri i Katarit, sepse jam në dijeni të angazhimit që keni ndërmarrë ju dhe qeveria që ju drejtoni për investimin e madh të buxhetit tuaj në infrastrukturë, pasi infrastruktura është baza më e mirë për çdo zhvillim tjetër”.
Për sa i përket çështjes së turizmit, ai u shpreh se e gëzonte fakti që Shqipëria tashmë ishte një vend i sigurt, ku turistët mund ta vizitojnë këtë vend të qetë.
Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha e informoi homologun e tij se lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar ka dhënë rezultatet e saj, duke bërë të mundur që vitin që kaloi 2 700 000 turistë të vizitojnë Shqipërinë pa asnjë incident.
Nga ana e tij, Kryeministri i Katarit u shpreh se do të përkrahte me të gjitha mundësitë e tij investitorët e Katarit për të investuar në fushën e turizmit në Shqipëri.
Kryeministri i Katarit Sheikh Hamad bin Jassem bin Jabr Al Thani tha se të dy palët duhet të forcojnë lidhjet edhe më tej. Ai vlerësoi vizitën e Kryeministrit Berisha në Katar dhe u shpreh se së shpejti edhe ai do të vizitonte Shqipërinë, në kohën më të afërt që i mundësonte axhenda e tij.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha tha se do të shihet mundësia e hapjes së një përfaqësie diplomatike mes dy vendeve, për të lehtësuar shërbimet dhe bashkëpunimin dypalësh.