E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm erozioni Zorba Ndertojme ne toka qe shemben

Erozioni i tokës vazhdon të jetë problem në Shqipëri. Me mijra hektarë tokë , janë të rrezikuara gjithnjë e më shumë nga ky fenomen, i cili në vendin tonë ka marrë përmasa  të mëdha si pasojë e disa faktorëve, ku  më të shpeshtit janë prerja masive e pyjeve, lënia e tokave pa mbjellë, apo ndërtimi i banesave në zona jo të studuara mirë, të cilat shpesh bëhen shkak për rrëshqitjen e tokës, duke sjellë në shumë raste edhe shembjen e tyre.

“Shkalla e erozionit është në tokat me një farë pjerrësie pasi aty grumbullohen një sërë faktorësh që e rrisin më tej nivelin e erozionit. Së dyti, janë tokat e zhveshura, të cilat ose nuk kultivohen, ose për arsye të ndryshme janë lënë bosh dhe diku zihen për qëllime të tjera. Unë mendoj se qoftë vendimarrja qëndrore, qoftë ajo lokale duhet të marrin masa urgjente për të vendosur rregulla strikte, shumë të forta që toka bujqësore në veçanti të mbrohet”-thotë Petrit Zorba, Shef i Departamentit të Klimës dhe Mjedisit.

Specialistët që merren me studimin e tokës thonë se problemi më shqetësues , është se në zonat ku ka erozion,  po ndërtohet gjithnjë e më shumë. Ata thonë se ka dhe nga ato subjekte ndërtimi të cilat shpesh i neglizhojnë kushtet që duhet të përmbushin për ndërtime.

“Firmat e ndërtimit në përgjithësi paisen, por duhet të them që ka tendenca për t’u shmangur. Duhet të them që është një problem shumë serioz. Ndërtimi në fushë përbën një problem të madh. Edhe në zonat e pjerrëta konstatohen parakushte për rrëshqitje, shembje, erozion të fuqishëm”-tha Ibrahim Milushi, Drejtor i Institutit të Gjeologji-Minierave.

Një vit më parë, nga erozioni i tokës janë shembur shtëpi, objekte publike, por edhe rrugë të cilat fatmirësisht kanë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërkohë që nuk janë shënuar viktima.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›